Shtetasit e Kosovës në zonat e përmbytura në Evropë janë shëndosh e mirë

Prishtinë, 16 korrik 2021 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka njoftuar se deri në tani nuk është raportuar për viktima apo të plagosur, me shtetësi kosovare, në zonat e përmbytura në disa shtete të Evropës.

Përmes një komunikatë për media, kjo Ministri ka thënë se nga informacionet e siguruara në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Luksemburg dhe Zvicër, misionet diplomatike nuk kanë hasur në diçka të tillë.

“Nga raportet e misioneve të Kosovës në këto shtete, deri të premten në mesditë, është kontaktuar në dy raste Ambasada e Kosovës në Berlin si dhe Konsullata e Përgjithshme në Dyseldorf, të cilat kanë arritur të asistojnë në dy raste në identifikimin e një familjeje dhe një personi tjetër, të cilët kishin rezultuar të humbur në rajonet e prekura nga përmbytjet”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Ministria ka thënë se në të dyja rastet ka qenë në kontakt me autoritetet shtetërore të Gjermanisë dhe se personat e përfshirë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në pjesën perëndimore të Gjermanisë është rritur në 120.

Gjashtëdhjetë viktima janë raportuan në landin Rajnland Falc dhe 43 në landin fqinj, Nordrajn Vesthalen.

Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet ende.

Ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet për qindra njerëz të tjerë të zhdukur.

(REL)

Comment

*