Shtetasit e Shqipërisë do të mund të punojnë lirshëm në Kosovë

Prishtinë, 21 prill 2021 – Qeveria e Kosovës ka themeluar të mërkurën Grupin Punues ndërministror për bashkërendimin e punëve për zbatimin e marrëveshjes “Për Mobilitetin në Punë”, të nënshkruar në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një postim në Facebook, ka shkruar se zbatimi i kësaj marrëveshje u mundëson shtetasve të Shqipërisë të punojnë në Kosovë, siç ka thënë, “lirshëm dhe pa pengesa burokratike”.

Sipas Sveçlës, edhe procedurat e leje=qëndrimit për kategori të caktuara do të liberalizohen.

“Sot në mbledhjen e Qeverisë kemi themeluar Grupin Punues ndërministror për bashkërendimin e punëve për zbatimin e marrëveshjes ‘Për Mobilitetin në Punë’ e nënshkruar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje garanton se shtetasit e Shqipërisë lirshëm dhe pa pengesa burokratike do të mund të punojnë në Kosovë, e po ashtu se procedurat e leje qëndrimit për kategoritë e caktuara do të liberalizohen.

E kjo bazuar edhe në reciprocitet, meqenëse shtetasit e Kosovës veçse gëzojnë këto të drejta në Shqipëri”, ka shkruar ministri Sveçla.

(r.m.)