Shtetet e Bashkuara autorizojnë dozën e tretë të vaksinës për grupet e rrezikuara

Uashington, 13 gusht 2021 – Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave autorizoi dozën e tretë të të vaksinës Pfizer ose Moderna kundër COVID-19, për personat me sistem të dobësuar të imunitetit.

Komisionarja në detyrë e agjencisë, Dr Janet Woodcock, tha në një deklaratë të enjten vonë, se “FDA-ja është veçanërisht e vetëdijshme se njerëzit me imunitet të dobësuar janë veçanërisht të rrezikuar nga sëmundjet e rënda”.

“Individët e tjerë që janë plotësisht të vaksinuar mbrohen në mënyrë të duhur”, tha zonja Woodcock, “dhe nuk kanë nevojë për një dozë shtesë të vaksinës kundër COVID-19 në këtë kohë”. 

Shkencëtarët kanë debatuar nëse duhet të ofrohen doza shtesë të vaksinave COVID-19 për disa njerëz me imunitet të dobësuar, siç janë ata që kanë organe të transplantuara ose pacientët me kancer.

Një studim i kohëve të fundit nga Universiteti Johns Hopkins zbuloi se shumë pacientë me organe të transplantuara kishin pak ose aspak mbrojtje antitrupash pasi morën dy doza të plota të një vaksine, por një dozë e tretë rriti nivelin e antitrupave të tyre.

Nga 3 deri në 9 milionë amerikanë kanë sistem imunitar të dobësuar, ose për shkak të sëmundjeve, ose për shkak të ilaçeve që marrin.

(Zëri i Amerikës)