Shteti i dytë shqiptar në Ballkan do ta ndryshojë rrënjësisht dhe për mirë gjithë kombin shqiptar

Intervistë e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, ditën e shpalljes së pavarësisë në Kosovë, në 17 shkurt 2008

Vehbi Bajrami

Pyetje: Zoti Kadare, “ora e pagëzimit” erdhi. Kosova shpalli pavarësinë. Si e vlerësoni këtë akt të Parlamentit të Kosovës?

Përgjigje: Lajmi është i madh e i jashtëzakonshëm. Aq i madh sa na kapërcen të gjithëve. Çkado që të themi ne do të ngjajë e zbehtë në krahasim me të. Kjo vjen ngaqë gjuha zakonisht nuk është e përgatitur për dukuri që ndodhin një herë në disa shekuj. Madje më rrallë.

Vitet e fundit, sidomos pas rënies së komunizmit, shumë shtete të rinj kanë lindur në Europë e rrotull saj. Por asnjë prej tyre nuk ka krijuar një atmosferë të veçantë si shteti shqiptar i Kosovës. Një atmosferë si prej të kremteje, një farë ankthi, por i këndshëm, një kureshtje që kapërcen interesin politik, shkurt, një përmasë planetare, që të kujton disi mbarimin e vitit dhe fillimin e vitit të ri.

Në shumicën e emisioneve të lajmeve lindja e shtetit të ri zë vendin e parë. Parmbrëmë presidenti i Francës, si t’i përshtatej kësaj atmosfere, kështu e shpalli, përpara një grupi vocrrakësh francezë, vendosmërinë e Francës për të njohur menjëherë shtetin e ri. Sytë e kthjelltë të fëmijëve, ndiqnin me habi presidentin e vendit që po u shpjegonte përpara hartës: “Nesër ju do të nisni të mësoheni me një ndryshim në hartën e Europës. Një shtet i ri po lind: Kosova”.

Shteti i dytë shqiptar në Ballkan do ta ndryshojë rrënjësisht dhe për mirë gjithë kombin shqiptar. Ndryshimi do të jetë trupërisht dhe psikikisht. Bota shqiptare, me një cen të rëndë në themelet do të punojë, më në fund, normalisht. Si një qenie që merr frymë jo me një, por me dy mushkëritë.

Një popull në liri ka tjetër ndërgjegje e tjetër fytyrë, se sa në robëri. Bota shqiptare ka qenë e tillë, jo e natyrshme: gjysëm e lirë, gjysëm jo. Ajo do të bëhet këndej e tutje jo vetëm më e fuqishme, por më e qytetëruar, e çliruar nga shumë helme që sjell gjendja jo normale e gjërave. Si e tillë ajo do të jetë më tolerante, më harmonioze, jo vetëm për veten, por për krejt gadishullin.

Pyetje: Cilat janë sfidat e ardhshme te Kosovës? Si duhet të veprojnë shqiptarët në një Kosovë të pavarur?

Përgjigje: Sfidat janë të mëdha pa dyshim. Por mendoj se sfida të tilla, përpara se të jenë shqetësuese, janë të gëzueshme. Sfidat, në këtë rast, lidhen me një zbërthim të madh energjish.

Çdo popull ka të tilla rezerva, të cilat, ngjarjet si kjo i zbërthejnë gjerësisht.

Jeta në pavarësi nuk është aspak shesh me lule. Problemet janë të shumta, të ngutshme. Por cili vend është zhvilluar pa to? Në fund të fundit zhvillim do të thotë zgjidhje e pafund problemesh. Të trembesh nga problemet do të thotë të trembesh nga jeta.

Liri do të thotë, veç të tjerash, jetë me një ritëm të lartë.

Një sfidë të parë, jo të parëndësishme, shqiptarët e kanë fituar ndërkaq. Eshtë problemi më delikat, ai i pakicës serbe. Përpara kamerave të gjithë Europës, ka një shpalosje të mendësisë të të dy palëve: shqiptare dhe serbe. Njerëz të thjeshtë të ndalur rastësisht në rrugë, të pamësuar nga askush, u përgjigjen gazetarëve. Në mënyrë të qartë dëshmohen dy vizione të botës, për të mospërdorur fjalët e mëdha “dy qytetërime”. Në mënyrë të admirueshme mendimi shqiptar është tolerant, i fismë, njerëzor: serbët le të rrijnë në Kosovë, askush nuk do t’i ngacmojë.

Kamerat televizive europiane ndalen mbi vëllanë e Adem Jasharit. Vështirë të gjendet një familje tjetër, në historinë e Europës, veç te hebrenjtë, që të ketë aq shumë të masakruar: gra, vajza, fëmijë, sidomos fëmijë. Përpara kamerave është një nga familjarët e mbetur gjallë. Hijerëndë, me mustaqet e verdha proverbiale, jashtëzakonisht të gjata, ngjan si portreti i hakmarrësit shqiptar të përjetshëm, ashtu siç përfytyrohet nga mediat. Fjalët e tij janë të papritura, sfiduese: le të rrijnë serbët në Kosovë, le të vijnë edhe në shtëpinë time, me përjashtim të atyre që kryen masakra.

Tek pala tjetër, për fat të keq, asnjë reflektim. Asnjë vullnet për të kuptuar ç’ka ndodhur. Përkundrazi, mania për t’u hequr si viktima!

Pyetje: Historia e shqiptarëve të Kosovës për shekuj ka qenë jo e favorshme për ta. Ç’mësime duhet të nxjerrin ata nga kjo histori e kaluar?

Përgjigje: Historia e shqiptarëve të Kosovës është historia e dy robërive që, për fat të keq, nuk e kanë ditën midis.

Robëritë e gjata lënë pas tyre gjurmë që nuk shlyhen lehtë. Ato u ngjajnë mbetjeve radioaktive. Një nga qëllimet e robërisë së gjatë është pikërisht ndërhyrja e thellë në genet e një kombi. Ajo përpiqet të shkatërrojë imunitetin e tij e pas kësaj të zvetënojë natyrën e tij, atë ndërthurje faktoresh që përbëjnë identitetin.

Kulmi i suksesit të një robërie të gjatë është kur ajo plazmohet mbi identitetin e kombit, për ta gjymtuar atë, e për të krijuar kështu një surrogat të tij, atë që quhet “identitet i robërisë”.

Kështu ka ndodhur me sundimin osman. Rilindja kombëtare shqiptare në shekullin e XiX, në kohën e duhur ngriti një stuhi kundërshtuese ndaj kësaj vdekjeje të ngadaltë. Pa këtë Rilindje, nuk do të kishte pavarësi të Shqipërisë.

Jugosllavia u përpoq të bënte të njejtën gjë me shqiptarët e Kosovës. Por, meqenëse kohën e kishte më të shkurtër dhe, veç kësaj, përbri Kosovës ishte Shqipëria historike, në ndihmë të metodave të ngadalta osmane, Jugosllavia përdori dhunën e shpejtuar, terrorin, masakrat dhe shpërnguljet.

E gjithë kjo përvojë e hidhur nuk duhet të harrohet. Synimi i shqiptarëve të Kosovës, ashtu si i gjithë shqiptarëve drejt Bashkimit Europian, kushtëzon ndarjen e shpejtë me mbeturinat e një bote që s’ka asnjë lidhje me të.

Pyetje: Si i mendoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës tani që kjo e fundit shpalli pavarësinë?

Përgjigje: Shteti më i ri i Europës ka disa veçanti. Lindja e tij ka qenë pas një buje të madhe, pas një lufte të armatosur të shqiptarëve, pas një bombardimi ndëshkues të aleatëve, pas një trazimi botëror, i cili pothuajse e ndau planetin në dy qëndrime të kundërta. Shteti i ri shqiptar pati një veçanti tjetër, ai nuk ishte jetim si Shqipëria historike e vitit 1912, por kishte në shpinë të tij pikërisht këtë Shqipëri të vjetër.

Shqipëria, ajo që është bërë zakon të quhet “shteti amë”, është dhe do të mbetet vendi më i afërt i Kosovës – shtet, vendi që, sido që të vijnë punët, nuk do ta lejë kurrë në baltë tjetrin.

Shqiptarët, në të dy anët e kufirit, në altar të idealit europian hoqën dorë nga bashkimi shtetëror mes tyre, por kjo s’do të thotë kurrësesi se ata (më saktë, njera gjysmë e tyre) do të heqë dorë nga të qenit shqiptar, sepse kështu mund t’i pëlqejë dikujt. Kombi shqiptar ka qenë dhe mbetet Një. Një komb në dy shtete, një dukuri që bota e njeh.

Ky komb, ashtu si më parë, gjithçka e ka të njejtë: gjuhën, doket, ngrehën shpirtërore, kujtimet historike e të gjitha shenjat e tjera identifikuese. Përpjekjet që bëhen aty-këtu , duke nisur nga ndarja e gjuhës, për të përfunduar në ndarje të gjithçkaje, në një identitet të ri, nuk mund të jenë veç me qëllime të mbrapshta. Eshtë pak a shumë ideja e “Shqipërisë së madhe” në kah të kundërt. “Shqipëria e madhe” si spikamë, transferohet në kuptimin e saj mohues, te kombi shqiptar. Me fjalë të tjera, ashtu siç është quajtur “Shqipëria e madhe” e dëmshme dhe besdisëse, ashtu bëhet tani me tërësinë e kombit shqiptar. Ky komb, ashtu siç është, natyral dhe i plotë, quhet i dëmshëm dhe besdisës. Për ta bërë të pranueshëm, duhet ta ndajmë më dysh. Kështu fillojmë nga gjuha, e më tutje është gjithmonë më lehtë. Një grup rimohuesish në Prishtinë dhe në Tiranë kanë kohë që u bijen borive të tilla.

Mendoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, sidomos tani që të dyja kanë përpara fjalët “shtet”, duhet të jenë model i marrëdhënieve të shkëlqyera. Mbi këtë harmoni duhet të vigjëlojnë të gjithë.

Pyetje: Keni paralajmëruar prej kohësh se dy shtete shqiptare do ta qetësojnë rajonin. Tani që ky është fakt i kryer, si e shihni Ballkanin me dy shtete shqiptare?

Përgjigje: Dy shtetet shqiptarë në Ballkan, kjo ka filluar të acarojë nervat e atyre që mezi e presin rastin për t’iu sulur Shqipërisë. Në një gazetë ruse, një farë ideologu jepte kushtrimin, duke u përpjekur të tmerrojë botën se së shpejti shqiptarët, si grykësa që janë, mund të kërkojnë pesë Shqipëri. (Me sa duket, e sipas tij, një në Maqedoni, një në Mal të Zi e një në Greqi, Çamêria, ndoshta.)

Gjithmonë sipas këtij ideologu, këto “pesë Shqipëri”, që drejtohen nga Al Qaeda dhe islamistët, do të përpiqen së shpejti t’i bëjnë gropën Europës. Gjithmonë sipas rusit, aleatja kryesore e “pesë Shqipërive”, SHBA, e përkrah këtë “tufë Shqipërish”, gjithmonë me të njejtin qëllim, prishjen e Europës.

Që t’i kthehemi seriozisht çështjes, mendoj se dy shtete shqiptare do të rritin ndjeshëm faktorizimin shqiptar në Ballkan. Bashkë me këtë përgjegjësia shqiptare për punët në gadishull do të rritet gjithashtu.

Përveç kësaj, mendoj se kjo “dyshe shtetërore” do të ketë ndikim pozitiv të brendshëm në seriozitetin dhe moralin e shoqërisë, e sidomos të politikës shqiptare. Ajo do të zgjerojë vizionin për botën,

kurse patriotizmin natyral tradicional, atë për të cilin ka aq shumë diskutime çoroditëse sot, do ta shoqërojë me një përmasë të re, atë që cilësohet “patriotizëm institucional”, brenda modelit të sotëm europian.

Pyetje: Beogradi e Rusia janë pozicionuar fort në mosnjohjen e kësaj pavarësie. A do të zbutet ky qëndrim në të ardhmen?

Përgjigje: Qëndrimi i Serbisë pritej. Me Kostunicat e tipat si ai, të cilët nuk ndahen dot nga martirologjia folklorike e betejes së Kosovës, e «djepit» dhe e fabulave të tjera, nuk shkohet larg.

Eshtë në interes të të gjithëve që dy shtetet shqiptare të kenë marrëdhënie normale si me Serbinë, si me Rusinë, por marrëdhëniet, siç e tregon vetë fjala, nuk mund të jenë veç të dyanshme.

Qëndrimi i Rusisë ka qenë tejet zhgënjyes. Asnjë shteti nuk mund t’i lejohet një mllef e një revan i tillë kundër pavarësisë së një populli, siç ndodhi me qëndrimin rus kundër Kosovës. E dehur nga hapësira, Rusia vazhdon të bëjë gabimet e vjetra kur ajo vetë fabrikonte urrejtje, që ktheheshin pastaj kundër saj. Kështu i ka ndodhur me popujt e Baltikut, me disa nga popujt e Kaukazit, e me të tjerët që dihen. Përpara dalldisë kundër lirisë së shqiptarëve të Kosovës, që, me sa duket, sipas saj, nuk e meritojnë lirinë ngaqë nuk janë sllavë. Rusia do të bënte mirë që, në vend të dëgjonte demagogë të tillë, si ai i pesë Shqipërive, të dëgjonte mesazhin që i la shkrimtari që përfaqësonte ndërgjegjen e saj, Leon Tolstoi, në librin e tij të fundit «Haxhi Murati». Në këtë vepër, të vetmen që iu çensurua plotësisht ose përgjysëm në të tre regjimet, carist, komunist dhe postkomunist, (dhe kjo është e kuptimplotë), ai e paralajmëroi Rusinë kundër dalldive të tilla. Si çdo shkrimtar i madh, duke e bërë këtë paralajmërim, lidhur me një popull të Kaukazit, ai e ka bërë njëkohësisht për të gjithë popujt. Ai e ka bërë atë edhe për Kosovën.

Pyetje: Pavarësia e Kosovës nuk do të arrihej pa ndihmën e Amerikës. Në çfarë mënyre duhet ta tregojnë mirënjohjen e tyre shqiptarët ndaj këtij shteti të madh?

Përgjigje: Kjo që thoni ju është jashtë çdo dyshimi. Mirënjohja shqiptare për SHBA-në dhe aleatët e tjerë europianë është një detyrim moral, për të cilin gjithë shqiptarët janë plotësisht të ndërgjegjshëm.

Dihet se kjo miqësi dhe simpati e shprehur pa asnjë rezervë e në stilin shqiptar prej shqiptarëve, ka shkaktuar një farë nënqeshje ironike në rrethe të caktuara europiane, pêr të mos pêrmendur rrethet që jo vetêm bezdisen prej saj, por do të bëjnë çmos të intrigojnë kundër saj.

Mendoj se askush në Shqipëri dhe në Kosovë nuk duhet ta marrë seriozisht këtë ironi e bezdisje. Populli shqiptar ka arsyet e veta, të njohura botërisht për këtë mirënjohje. Në fillim të shekullit XX me diplomacinë e vet, në mbarim të shekullit me armët e veta, në fillim të shekullit XXI me vendosmërinë e vet të admirueshme, SHBA-të e ndihmuan si askush këtë komb të qëndrojë në këmbë. Ç’arsye tjetër mund të kërkojë një popull për të qenë mirënjohës?

Zonjushet ironizuese është mirë të shqetësohen për valën e antiamerikanizmit , që mendjelehtësisht është bërë e modës sot në shumë vende. Shumë shpejt është harruar se anti-amerikanizmi ka qenë shtylla kryesore ku mbështetej stalinizmi rus, kinez dhe botëror.

Pyetje: Diaspora shqiptare e Amerikës ka bërë shumë për pavarësinë e Kosovës. Ju keni pasur dhe keni kontakte të vazhdueshme me këtë diasporë. Cili është pozicioni që duhet të marrë tani ajo për Kosovën?

Përgjigje: Eshtë një nga të vërtetat e pranuara nga të gjithë, se diaspora shqiptare, kjo «Shqipëri e tretë», siç mund të thoshim ne, për rusin do të ishte e gjashta , ka qenë e pranishme në të gjitha çastet, të mëdha e të përditshme të Shqipërisë.

Vizioni i saj, ai vizion që largësia zakonisht e bën më të kthjellët e të paanshëm, në rastin e çështjeve madhore kombëtare, si çështja e Kosovës, ka qenë jashtëzakonisht pozitiv dhe i domosdoshëm. Në kushtet e dy shteteve shqiptare, ky «vision diasporial», nëse mund të përdoret një shprehje e tillë, si asnjë herë tjetër bëhet i domosdoshëm. Ai bëhet i tillë sidomos për një nga çështjet themelore të së ardhmes: harmonisë midis dy shteteve shqiptare, të vjetrit dhe të riut.