Shtohet presioni për dorëheqjen e guvernatorit të Nju Jorkut

Nju Jork, 4 gusht 2021 – Deklarata e prokurores së përgjithshme të Nju Jorkut se guvernatori Andrew Cuomo është fajtor për disa raste ngacmimesh seksuale u përcoll me reagime të menjëhershme nga njujorkezët. Fryma e përgjithshme në popullatë është se ai duhet të japë dorëheqjen pa vonesë. Një koment të ngjashëm bëri edhe Presidenti Biden të martën në Shtëpinë e Bardhë në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve:

Po shtohet presioni ndaj guvernatorit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo për të dhënë dorëheqjen, pasi të martën Prokurorja e Përgjithshme ofroi hollësi të një hetimi të gjerë që tha se dëshmon për disa raste ngacmimesh seksuale nga ana e zotit Cuomo.

Njujorkezët e pritën lajmin me reagime të ngjashme:

“Përse paguajmë taksa? Ne, taksapaguesit duam në atë post dikë tek i cili kemi besim. Nuk na duhet një njeri që mendon se është i plotfuqishëm dhe ka të drejtë të prekë gratë si të dojë ,” thotë Lily Cantley.

“Mendimi im është që duhet të kishte dhënë dorëheqjen me kohë. Kur del një grua me këto akuza, duhet hetuar. Kur dalin dy, tre, katër me po të njëjtat akuza… siç thonë kur ka tym, ka zjarr. Në këtë rast ka shumë tym. Pa diskutim duhet të dorëhiqet,” thotë Daniel Moynihan.

Deri tani guvernatori ka qenë sfidues ndaj akuzave. Dje, pas konferencës së shtypit të prokurores së përgjithshme, zoti Cuomo nxori një deklaratë ku thoshte se kurrë nuk ka bërë gjeste të papërshtatshme dhe nuk ka ngacmuar kënd seksualisht.

“Dua ta dini drejtpërdrejt nga unë se kurrë nuk kam prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme apo të kem bërë ngacmime të papërshtatshme seksuale,” tha në një dekraratë të regjistruar më parë zoti Cuomo, një demokrat që ka shërbyer si guvernator që nga viti 2011.

“Unë jam 63 vjeç. Kam jetuar tërë jetën time të rritur në sytë e publikut. Nuk jam ndryshe. Dhe nuk kam qenë ndonjëherë si më përshkruajnë”.

Por presioni ndaj tij po shtohet. Demokratë me peshë, ndër ta Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi si dhe kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer u shprehën se në dritën e akuzave të ngritura një një numër kaq i madh grash, ai duhet të largohet nga posti.

Edhe Presidenti Biden reagoi, i pyetur nga një gazetare e CNN-it nëse u përmbahej komenteve të mëparshme se zoti Cuomo duhet të largohet nëse rezulton fajtor nga një proces hetimor:

“Siç e thashë, nëse hetimet, nëse prokurorja e përgjithshme arrinin në përfundimin se akuzat janë të sakta, gjë që thashë në mars, atëherë do të rekomandoja që ai të dorëhiqet. Këtë po përsëris sot. Nuk e kam lexuar raportin, nuk jam në dijeni të detajeve. Thjesht di rezultatin e hetimit,” tha presidenti.

Raporti i detajuar, i cili u prezantua të martën nga prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, është rezultat i një pune hetimore prej afro pesë muajsh të kryesuar nga dy juristë të pavarur. Ai doli me konkluzionin se 11 gra që e akuzojnë guvernatorin Andrew Cuomo se i kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme, apo kishte bërë komente të sikletshme, me nëntone seksuale ndaj tyre, po thonin të vërtetën.

Zoti Cuomo, babai i divorcuar i tri vajzave të rritura, u zgjodh tri mandate si guvernator, ashtu sikur babai i tij i ndjerë, Mario Cuomo.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*