Shtrirje e gjerë e zjarreve në Shqipëri, situatë e vështirë sidomos në jug

Tiranë, 5 gusht 2021 – Tempraturat e larta dhe era e fortë ka shkaktuar përhapje të vatrave të zjarrit anembanë Shqipërisë. Mediet në Shqipëri raportojnë për dhjetra vatra të reja dhe të riaktivizuara.

Situatë më e rëndë mbretëron në jug të Shqipërisë, veçanërisht në zonat e Vlorës, Gjirokastrës dhe Sarandës, ku zjarret kanë përfshirë mijëra hektarë pyjesh, shkurresh e kullosash.

“News 24” raportoi se aktualisht janë dy vatra më problematike, një në Gjormë dhe në Gumenicë. Situata atje është shumë e vështirë, prandaj shumë banorë janë evakuuar.

“Në të dyja këto vatra po punohet intesivisht nga forcat e ushtrisë dhe një helikopter. Rreziku më i madh është afrimi i zjarrit në afërsi të banesave të Gumenicës. Ka vatra që po riaktivizohen. Zjarri në Gumenicë ka djegur një sipërfaqe të madhe mali. Situata paraqitet e vështirë. Kemi pasur edhe evakuime të banorëve nga shtëpitë. Reja e tymit ka mbërritur edhe në qytetin e Vlorës, edhe pse janë disa kilometra larg”, raportoi gazetari Enrik Mehmetaj  për News24.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka shkuar në Gjorm dhe Gumenicë, u ka bërë thirrje banorëve të evakuohen nga shtëpitë e tyre që rrezikohen nga flakët e zjarrit.

Ai ka thënë se 40 trupa të Forcave të Armatorura janë angazhuar në fikjen e zjarreve, me ndihmën e një helikopteri që po hedh ujë nga ajri.

”M’u desh të shkëputem me 40 trupa në Gjorm e Gumenicë, ku kemi situatë të vështirë. Prej një ore po punon dhe helikopteri për të shuar zjarrin që ka ardhur nga zona lindore dhe po shtrihet, për shkak të erës së pafavorshme”, ka thënë Peleshi.

“Kemi ende banorë në fshat. E kam ritheksuar nevojën për evakuim të të gjithë njerëzve. I kemi sjellë dy zjarrfikëse nga Forcat e Armatosura. Një tjetër po vjen nga Vlora”, ka thënë ai.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjete sociale pamje nga operacioni për fikjen e zjarrit në Gjormë. Ai ka theksuar se prioritet mbetet shpëtimi i banorëve.

“Po shtohen forcat e ndërhyrjes nga toka në Gjormë në zonën e lumit të Vlorës, ndërkohë vazhdon shuarja e zjarrit nga ajri, ku deri në këto momente ndërhyrja e helikopterit në Gumenicë ka arritur të largojë flakët e paparashikueshme prej erës që mund të preknin banesat.

Prioriteti kryesor mbetet evakuimi i banorëve të cilët duhet të veprojnë sipas urdhërave të strukturave të Mbrojtjes Civile për evakuim”, ka shkruar Rama.

Ministri Peleshi ka treguar se në gadishullin e Karaburunit vazhdon të jetë edhe më tutje një situatë e vështirë. Ai ka thënë se aktualisht po zhvillohet beteja për parandalimin e përhapjes së zjarrit në Parkun Nacional të Llogorasë.

“Beteja jonë më e madhe e këtyre ditëve ka qenë aty, për të shmangur prekjen e parkut”, ka thënë Peleshi.

Zjarri e ka përfshirë edhe zonën turistike të Vithkuqit, në Korçë. Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se zjarri rrezikon edhe manastirin e Shën Pjetrit.

“Flakët po përhapen me shpejtësi, çka rrezikon dhe monumentin e kulturës, Manastirin e Shën Pjetrit. Banorë dhe zjarrfikës po punojnë për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë ka ardhur edhe një zjarrfikëse nga Pogradeci”, ka raportuar ajo.

(Ramadan Muçolli, sipas Balkanweb dhe Panorama)