Shumë rekorde e remitencave në Kosovë

Prishtinë, 28 dhjetor 2021 – Të dhënat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës flasin për një shumë rekorde të parave që kanë ardhur nga bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Sipas këtyre të dhënave, prej muajit janar deri në muajin tetor të këtij viti, vlera e remitencave në Kosovë ka arritur në 955 milionë euro apo 160 milionë euro më shumë se vitin 2020.

Por, përveç remitencave, bashkartdhetarët që kanë ardhur gjatë kësaj periudhe në Kosovë kanë shpenzuar 1.33 miliard euro ose 151 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, kjo rritje ka ndodhur pasi një numër i madh i qytetarëve kosovarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit i kanë kaluar pushimet në Kosovë.

Në vitin 2019, diaspora i kishte anuluar vizitat në Kosovë, për shkak të pandemisë me COVID-19.

Sipas Mehmetit, remitencat dhe masat mbështetëse për ekonominë kzanë bërë që Kosova të shënojë rritje ekonomike për  9.9 për  qind.

“Lehtësimi i masave kundër koronavirusit, si në Kosovë dhe jashtë saj, bëri që viti 2021 të jetë një vit i suksesshëm, duke pasur parasysh ardhjen masive të diasporës gjatë verës. Edhe politikat mbështetëse të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës bënë që viti 2021, sipas vlerësimeve tona, të ketë një rritje ekonomike prej 9.9 për qind”, ka thënë Mehmeti javën e kaluar, në konferencën përmbyllëse për këtë fundvit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë se 850 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë e punojnë jashtë vendit. Numri më i madh i tyre jetojnë në Evropë, më së shumti në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Angli. Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Numri i saktë ose së paku i përafërt i qytetarëve të Kosovës jashtë vendit nuk dihet.

(r.m.)

Comment

*