Si Barack Obama?

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Amerikanët janë të ndarë për Presidentin Barack Obama. Shumica e tyre e votuan për president por numrat janë barazuar përsëri me skandalet e fundit në Washington. Po në Shqipëri nuk ka mëdyshje të tilla, të gjithë duajnë t’i ngjajnë presidentit amerikan.
Në zgjedhjet e vitit 2009, si Rama ashtu edhe Berisha përdorën fjalën “Ndryshim” (Change) në slogane qendrore të fushatave të tyre.
Sali Berisha dhe Partia Demokratike nuk kanë hequr dorë edhe sot, duke kopjuar sloganin njëfjalësh të fushatës së dytë presidenciale të e kandidatit demokrat amerikan, por pa hequr dorë tërësisht nga ai i fushatës së parë: “[Ne jemi ndryshimi] Përpara”.
Berisha madje thuhet se ka marrë edhe disa njerëz që kanë punuar për fushatën e presidentit amerikan dhe po fut në veprim të njëjtat metoda dhe të njëjtin vizion.
Edi Rama, ashtu si pothuajse çdo udhëheqës tjetër i majtë në Europë nuk ka e la fshehur dëshirën e tij për të qenë ai “Obama i Shqipërisë”. Katër vite më parë, madje kishte edhe një rival të fshehtë brenda partisë, benjaminin e tij, Erion Velisë, i cili me të drejtë ndoshta shihte tek vetja më shumë ngjashmëri me presidentin e parë afrikano-amerikan të Shteteve të Bashkuara.
Për të hequr edhe dyshimin më të fundit se kush përfaqëson më mirë Presidentin Obama në Shqipëri, Edi Rama ka startuar fushatën e tij në Tiranë, me një fotografi gjigande në faqen e murit të Pallatit të Sporteve ku kishte organizuar festën e fushatës.
Duke folur me lëvizje duarsh përpara përpara një publiku entuziast, Edi Rama foli ndërkohë që në sfond ishte shfaqur takimi mes tij dhe presidentit amerikan gjatë fushatës së dytë presidenciale në SHBA.
Siç u mor vesh në atë kohë, Rama kishte udhëtuar, pa paralajmërim në media, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me sa duket vetëm për t’u fotografuar me presidentin amerikan. Nuk pati asnjë njoftim për ndonjë veprimtari tjetër të tij, gjatë asaj vizite në SHBA.
Kjo mund të tingëllojë qesharake, mirëpo, duke pasur parasysh popullaritetin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, fotografia dhe takimi qoftë edhe fare rastësor e pa substancë ka vlerë reale politike te votuesi shqiptar.
Sigurisht ai mund të ketë parë nga afër mënyrën sesi zhvillohen takimet me popullin në SHBA gjatë fushatave, një metodë që po futet gjerësisht këtë vit në Shqipëri. Vetëm, dy ditë përpara paraqitjes publike të kësaj fotografie me presidentin Obama, kryesocialisti Rama bëri një takim rrethor me popullin e një njësi administrative të Tiranës. Takimi ishte interesant dhe u shfaq në disa kanale televizive. Nuk mungoi humori, klishetë politike, akuzat për kundërshtarin, provokimet, madje edhe nervozizmi. Takimet e paparashikuara me popullin janë gjithnjë një sport i vështirë.
Për gjysmën e amerikanëve të duash t’i ngjash Presidentit Obama është fisnike. Për gjysmën tjetër është të jesh i çmendur. Po pavarësisht nëse të pëlqen apo nuk të pëlqen Presidenti Obama, janë disa gjëra që politikanët shqiptarë duhet t’i mësojnë nga ai nëse duan vërtet që t’i ngjajnë.
Së pari, Presidenti Barack Obama nuk do të nxirrte fyerje për tiparet fizike të kundërshtarëve të tij. Është një minimum etik që duhet ta provojnë që ta zbatojnë të gjithë në jetën publike shqiptare. Po ashtu nuk tallen njerëzit për shkak të emrit e mbiemrit por mbi të gjitha ata nuk fyen personalisht.
Presidenti Obama ka kërkuar me këmbëngulje që dy vajzat e tij të mos bëhen pjesë e fushatave politike apo publicitare, qoftë nga miqtë e aleatët ashtu edhe nga kundërshtarët. Ai zbaton të njëjtin rregull për rivalët e tij politikë.
Në Shqipëri sulmi ndaj familjarëve të kundërshtarit është kthyer në modus operandi të natyrshëm.
Ndonëse Republikanët e quajnë si liberal të skajshëm, Barack Obama flet gjuhën e bashkëpunimit. Ai i ka mërzitur shpesh liberalët në partinë e tij duke bërë vazhdimisht lëshime drejt qendrës.
Kundërshtarët brenda partive të tyre u mbyllet goja pa mëdyshje. Përjashtohen nga listat e deputetëve apo edhe përjashtohen nga partia.
Nuk është zakon në politikën amerikane të armiqësohesh me presidentin në fuqi të partisë tënde, por kritikat dhe përplasjet janë të natyrshme. Një numër kandidatësh demokratë për në Kongres nga zonat më konservatore të vendit, refuzojnë të takohen apo të lavdërojnë në publik presidentin Obama. Në SHBA, kontrata është me votuesin dhe jo me udhëheqësin e partisë.
Në fund, Obama është në krye të Shtëpisë së Bardhë, pasi doli së pari në krye të Partisë Demokratike Amerikane pas një beteje nga më të ashpërat në histori brenda një partie. Beteja të ngjashme as që mund të mendohen në PD dhe PS. Berisha ka ardhur në krye që në vitin 1991 dhe nuk është konkurruar kurrë seriozisht. Rama u katapultua në krye të partisë, së pari me ndihmën e Nanos, duke injoruar udhëheqës më të vjetër në PS dhe pastaj duke rrëzuar Nanon pikërisht me ndihmën e këtyre udhëheqësve të vjetër.
Një garë e vërtetë nuk mendohet më as brenda PS-së. Për herë të fundit, një gjë e tillë ndodhi në 2009 dhe i ngjau më shumë farsës së zgjedhjes së Ramiz Alisë në vitin 1991 sesa garës Clinton-Obama. Për Berishën hera e fundit qe në vitin 1999 dhe përfundoi me përjashtimin e rivalit të tij nga partia.
Përpjekja për t’i ngjarë Barack Obamas është pozitive. Më mirë të duash t’i ngjash presidentit amerikan sesa diktatorëve të Iranit, Rusisë dhe Koresë së Veriut. Le të shpresojmë se dëshira për t’i ngjarë nuk do të mbetet vetëm në fotografi, slogane e premtime, po edhe në mënyrën e sjelljes dhe të drejtimit. Se edhe variant më i keq i presidentit Obama (ai që besojnë republikanët seriozë) është gjithësesi më i mirë sesa Berisha dhe Rama në ditën e tyre më të mirë.