Si do të zhvillohen seancat dëgjimore tani që u hapën gjykatat e emigracionit?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara lëshoi më 30 korrik, 2021 udhëzimet e mëposhtme:

Në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga zyra për çështjet e shëndetit publik, zyra ekzekutive që merret me shqyrtimin e çështjeve të emigracionit (EOIR) ka vënë në zbatim disa praktika që synojnë t’i vijnë në ndihmë mbrojtjes së shëndetit të punonjësve si dhe të personave që vizitojnë hapësirat e EOIR-it anembanë vendit. Angazhimi ynë për të garantuar që punonjësit dhe vizitorët janë në dijeni të këtyre praktikave do të mbetet i vazhdueshëm. 

Pyetjet që bëhen më shpesh:

A duhet të vë maskë mbrojtëse nëse gjykatësi i emigracionit ma kërkon këtë gjë ndonëse e kam bërë vaksinën? 

EOIR-i do të vazhdojë të ndjekë nga afër udhëzimet e zyrës për çështjet e shëndetit publik. Nëse udhëzimet që kanë të bëjnë me mbulimin e fytyrës në hapësirat e brendshme publike ndryshojnë, po kështu do të ndryshojnë dhe rregullat dhe procedurat e EOIR-it. Megjithatë, pavarësisht nga rregullorja e përgjithshme e agjencisë në fjalë, gjykatësit e emigracionit gëzojnë të drejtën për të kërkuar që të pranishmit në sallën e gjyqit të mbulojnë fytyrën, duke respektuar përjashtimet e vëna në pah nga zyrtarët e çështjeve të shëndetit publik.

A do të më kërkojnë të mbuloj fytyrën në hapësirat e pritjes së EOIR-at?

Po. Nëse nuk ke diçka për të mbuluar fytyrë, ju lutemi t’i kërkoni personit në sportelin e gjykatës së emigracionit që t’ju pajisë me diçka të tillë. Kërkesat variojnë nga një ndërtesë tek tjetra dhe ka mundësi që t’ju kërkojnë që ta mbuloni fytyrën përpara se të hyni në hapësirat e EOIR-it. EOIR-i është në dijeni që udhëzimet nga zyra e shëndetit publik që kanë të bëjnë me mbulimin e fytyrës në ambjente të mbyllura, ndryshojnë.

A mund të më pyesë gjykatësi i emigracionit nëse jam ose jo i vaksinuar?

Po. Nëse nuk ke vënë maskë, gjykatësi i emigracionit ose dhe një punonjës i gjykatës së emigracionit mund t’ju pyesë lidhur me statusin tuaj të vaksinimit për të vendosur nëse është e përshtatshme ose jo që të vini maskën. Kini parasysh që gjykatësit e emigracionit mund t’ju kërkojnë të vini maskë mbrojtëse pavarësisht nga statusi juaj i vaksinimit. 

A ka në plan EOIR-i që të vazhdojë të kufizojë numrin e vizitorëve në sallat e gjyqit si dhe në hapësirat publike? 

Është në dorën e gjykatësit të emigracionit që të kufizojë numrin e personave që ndjekin seancën. Për momentin, rekomandojmë që të paraqiten fizikisht palët e përfshira në proces si dhe dëshmitarët.

A do t’i njoftojë EOIR-i vizitorët në rast se ata mund të kenë patur kontakt me dikë që dyshohet të ketë ose është konfirmuar që ka COVID-19-ën?

Brenda mundësive, personeli i gjykatës së emigracionit do të njoftojë personat që mendohet të kenë patur kontakt me dikë që dyshohet ose që është konfirmuar që ka Covid-19-ën. Për jo-nënshtetasit që kanë dalë përpara EOIR-it të përfaqësuar nga një avokat, personeli i gjykatës do të njoftojë avokatin.  Për jo-nënshtetasit që nuk janë përfaqësuar nga një avokat, personeli i gjykatës do të njoftojë personin vetë. Palët në proçes gjyqësor duhet të sigurohen që informacioni që ka të bëjë me mënyrën se si mund të kontaktohen është i saktë.

Sa shpesh pastrohen sallat e gjyqit si dhe ambjentet e pritjes dhe me çfarë lloj dizinfektuesish?

Zyra të caktuara shërbimesh të qeverisë së SHBA-së janë të ngarkuara me pastrimin e hapësirave të EOIR-it. Ato kanë vënë në zbatim procedura akoma më rigoroze pastrimi të cilat ndiqen çdo ditë me përpikmëri. 

Nëse ditën kur duhet të paraqitem në gjyq jam sëmurë, çfarë duhet të bëj?

Kushdo që ka simptoma sëmundjeje nuk duhet të hyjë në hapësirat e EOIR-it. Ju lutemi, njoftoni gjykatën e emigracionit sa më shpejt që të jetë e mundur nga pikëpamja praktike, në mënyrë që personeli të mund të njoftojë gjykatësin e emigracionit. Personeli i gjykatës në fjalë do t’ju udhëzojë se çfarë duhet të bëni më tutje. Gjykatësi i emigracionit do të njoftohet lidhur me rrethanat individuale dhe ndihmësi i gjykatësit do të ndjekë udhëzimet e gjykatësit që kanë të bëjnë me komunikimin me palët përkatëse.

Çfarë mund të ndodhë kur të arrij në ndërtesë për të dalë në gjyq? 

Duhet të përgatiteni që mund të ketë vonesa në zonën e kontrollit në hyrje të ndërtesës. Duhet të keni me vete maskë për të mbuluar fytyrën në përputhje me kërkesat federale, shtetërore, lokale apo të ndërtesës ku do të futeni. 

Mund të paraqitem në video duke përdorur pajisjen time apo duhet të jem në zyrën e avokatit që më përfaqëson?

Nëse seanca dëgjimore është caktuar të zhvillohet përmes Webex-it, qoftë kur pala ka paraqitur mocion që seanca të zhvillohet në këtë mënyrë, qoftë kur gjykata ka vendosur kështu, i padituri zakonisht mund të dalë në video nga një vend që nuk është zyra e avokatit.

A mund të paraqesë avokati një mocion përmes së cilit të kërkojë të paraqitet nëpërmjet Webex-it, kurse klienti i tij të paraqitet fizikisht?

Po. Njëra palë mund të paraqesë një mocion përmes së cilit të kërkojë që i padituri ose personi që e përfaqëson në gjyq të dalin përpara gjykatësit në video nëpërmjet Webex-it. 

A do të jetë në dispozicion regjistrimi video i seancës dëgjimore, i bërë nëpërmjet Webex-it në rast rishikimi të çështjes?

EOIR-i nuk bën regjistrime video të seancave dëgjimore përfshirë dhe ato që mbahen nëpërmjet Webex-it. Seancat dëgjimore (me përjashtim të atyre kur merret vendim për dorëzanien) regjistrohen duke përdorur sisteme dixhitale regjistrimi audio. Palët mund t’i dëgjojnë këto regjistrime pasi të jenë marrë vesh paraprakisht me personelin e gjykatës së emigracionit. Palët dhe publiku i gjerë mund të kërkojnë kopje të këtyre regjistrimeve duke paraqitur një kërkesë FOIA.  

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]