Si duhet vepruar me Putinin? Një historian i Luftës së Ftohtë ka disa këshilla

Nga Ruben Avxhiu

Sergey Radchenko, një profesor i njohur rus, që jep mësim në Shkollën John Hopkins të Marrëdhënieve Ndërkombëtare vë në pah ngadalësinë e pushtimit rus duke e krahasuar me ndërhyrjen sovietike në Çekosllovaki, në vitin 1968.

“Kjo luftë duket se nuk po shkon mirë për Putinin”, thotë ai. “Për shembull, në Çekosllovakinë e vitit 1968, pushtimi pothuajse nuk hasi fare qëndresë, udhëheqësi çekosllovak u arrestua në ditën e dytë, dhe u dërgua me avion në Moskë. Perëndimi thjesht e gëlltiti. Ajo që po ndodh sot në Ukrainë është tërësisht ndryshe”.  

Megjithatë, ai këshillon që të mos nxitohemi për ta shpallur Rusinë një “tigër prej letre”. Ka shumë potencial për gjakderdhje masive e pasoja të rënda.

Për këtë arsye Dr. Radchenko ndalet te një temë për të cilën shkruajta dje e që mesa duket po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje.

Çfarë po ndodh me Vladimir Putinin? Sa është në gjendje t’i thërrasë arsyes? A i kishte bërë gabim llogaritë kësaj here apo ka dalë mendsh?

Studjuesi që është historian i Luftës së Ftohtë dhe autor i disa librave ballinat e të cilëve janë në fotografinë lart, beson se Putin thjesht ka gabuar. Ai thotë se nuk përjashtohet që të ketë dalë nga binarët. Mirëpo, nëse është çmendur vërtet, ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Thjesht do të vuajmë pasojat e tmerrshme të kësaj çmendurie.

Pjesa ku mund të bëjmë diçka është nëse Putin thjesht ka gabuar. Kështu që është më mirë të shqyrtojmë këtë alternativë, që Putin gaboi dhe tani duhet gjetur një mënyrë për ta ndalur luftën duke peshuar të mirat dhe të këqiat e një kompromisi.

Nga një anë, thotë Dr. Radchenko lufta vetëm sa ka filluar. Ajo mund të shndërrohet në shumë mënyra, disa prej të cilave të frikshme. Vërtet përmendja e armëve bërthamore mund të ketë vetëm për arsye psikologjike për të parë si do të reagojë kundërshtari. Nga ana tjetër, kjo është edhe pjesa e rrezikshme e konfliktit se do të përcaktojë se çfarë rruge do të marrë.

Ideale thotë ai të gjendet një rrugëdalje për Putinin që të tërhiqet nga konflikti pa u thelluar më shumë. Ai thotë se një “kafshë e egër është më e rrezikshme kur ndjehet e mbërthyer në një cep pa rrugëdalje”.

Prandaj thotë studjuesi rus, “kjo duhet luajtur me zgjuarësi: pa mendjemadhësinë e panevojshme, me vendosmëri, por duke kuptuar plotësisht rreziqet e keqllogaritjeve që janë shumë të larta – për të dy palët”.