SI DUKET SERBIA NË SYTË E EDI RAMËS?

Emin AZEMI

Serbia nuk pranon të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, të cilën Rama po e shlyen me gomën e “Open Balkan”, në emër të një ardhmërie fiktive. Në Serbi ka plot mësues pa punë dhe mos u habitni nëse një ditë të bukur me diell Tirana gdhin me ‘dobro jutro’, si ndihmë e pakursyer e Vuçiqit për kursistët e rinj të rusishtes dhe kinezçes.

 

Serbia e Edi Ramës kufizohet direkt me Shqipërinë (!). Kjo Serbi, Kosovën e konsideron pjesë të saj dhe, për rrjedhojë, Edi Rama, përmes “Open Balkan” ,synon ta lidhë pahkëputshëm territorilalisht Shqipërinë me Serbinë. Kjo ndoshta është e mundur përmes një tuneli nëntokësor nga Morini në Merdarë.

Kur thua “Open Balkan”, gjithçka është e mundur. Pse të mos bëhet edhe ky tunel?!

Kur thua “Open Balkan”, në fakt ke përdorur një bay pas për të anashkaluar Kosovën!

Serbia e Edi Ramës për çdo ditë të Zotit zbaton në praktikë politikat shpopulluese kundrejt shqiptarëve të Medvegjës, Bujanocit e Preshevës, duke ua pasivizuar adresat dhe duke ua pamundësuar kthimin në vendlindjet e tyre.

Shqiptartë në këtë pjesë të Serbisë për çdo ditë po pakësohen, kurse Edi Rama me projektin e tij “Open Balkan”, synon të shumëzojë praninë serbe në brigjet shqiptare të Adriatikut!

Sa më pak shqiptarë në Serbi, aq më shumë serbë në Shqipëri. Ky është përafërsisht lajtmotivi i “Open Balkan”!

Përmes “Open Balkan”, Edi Rama synon të kalojë pahetueshëm mbi këtë problem të politikës serbe që dhunshëm pretendon të krijojë një realitet të ri etnik në terren, pikërisht ngjashëm me siç ndodhi pas Kongresit të Berlinit (1878), kur Serbia zbrazi i dhunshëm, në pikë të dimrit, afro 1000 fshatra shqiptare të Sanxhakut të Nishit.

Serbia e Edi Ramës i ka kundërshtuar politikat evropiane dhe amerikane mbi pavarësinë e Kosovës dhe ka vazhduar me këmbëngulje të punojë kundër interesave shtetërore, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Por, ky fakt nuk paraqet problem që nga Edi Rama të përqafohet “Open Balkan”, si një opsion për të çuar përpara, siç thotë ai, katër liritë universale: Lirinë e lëvizjes së njerëzve, të të mirave, kapitalit dhe shërbimeve.

Megjithatë, nuk e kemi të qartë se me çfarë pasaporte do të lëvizin qytetarët e Kosovës drejt Serbisë?

Me cilat targa do të mund të kalojnë nëpër Serbi automobilat e Kosovës?

Mallërat e Kosovës a do të doganohen në Serbi, me dokumenta ku figuron shteti i Kosovës apo do të marrin ndonjë dokument special nga ofiqina e “Open Balkan”?

Serbia e Edi Ramës vazhdon të punojë fort në bosnjizimin e Kosovës, duke shtyrë përpara Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, si një projekt që do të shërbejë si pyka e Çubrilloviqit për defunskionalizimin e shtetit të Kosovës.

Serbia e Edi Ramës i ka kopjuar ligjet e Millosheviqit për përvetësimin e pronave të manastireve serbe në Kosovë. Këto zona kanë status ekstraterritorial dhe quhen “trashëgimi kulturore serbe” mbi të cilat nuk guxojnë të fluturojnë as zogjtë e Kosovës.

Serbia e Edi Ramës e paska ndihmuar e para Shqipërinë e goditur nga tërmti para dy vjetësh, ndonëse  e vërteta është krejt ndryshe. Kosova (FSK dhe Policia e Kosovës) ishin të parat që arritën në zonat e Durrësit e Thumanës, madje edhe para disa njësiteve shqiptare, për të shpëtuar njerëzit e mbetur nën rrënojat e tërmetit.

Ndoshta, kur bëhesh pjesë e “Open Balkan”, jeton në një botë iluzioniste dhe harron se kush të ka ardhur i pari në ndihmë në një mëngjes të trishtuar nëntori.

Serbia e Edi Ramës me elegancë po u shmanget ideve euro-atlantike dhe po promovon projekte rajonale (“Open Balkan”) që janë zgjatime të iniciativave euro-aziatike, ku Rusia dhe Kina e përbëjnë boshtin kryesor gjeostrategjik. Këto iniciativa kanë lindur si reagim ndaj politikave euro-atlantike të sigurisë kolektive dhe të demokracive liberale, kurse tani me “Open Balkan” skepticizmi euro-atlantik merr një dimension më të strukturuar dhe më të etabluar në mendësinë e politikanëve, të cilët gjatë ditës e kanë mendjen në Bruksel e Washington, kurse natën punojnë në gjetjen e alternativave për t’i zëvendësuar ato. Shpejt mund të ndodhë që të zëvendësohet edhe leku me rublën ruse, kurse anglishtja dhe italishtja të zëvendësohen me ruisishten dhe kinezçen! Në Serbi ka plot mësues pa punë dhe mos u habitni nëse një ditë të bukur me diell Tirana gdhin me ‘dobro jutro’, si ndihmë e pakursyer e Vuçiqit për kursistët e rinj të rusishtes dhe kinezçes.

Në Serbinë e Edi Ramës ka qeveritarë që punojnë në krijimin e një “bote serbe” në Ballkan. A mund të jetë “Open Balkan” paradhoma ku mbahen çelësat për të hyrë në “botën serbe”?!

Serbia në sytë e Edi Ramës duket si një vend idilik që duhet të ndiqet si shembull për demokraci, tolerancë, fqinjësi të mirë, etj.

Serbia në sytë e Edi Ramës paraqitet si një vend që nuk ka bërë gjenocid mbi popujt e Ballkanit, prandaj kjo është edhe arsyeja përse ajo nuk kërkon falje për një gjë të tillë.

Serbia në sytë e Edi Ramës del si një vend tepër paqësor që nuk i ka groposur mijëra trupa shqiptarësh të maskruar, prandaj kjo është edhe arsyseja përse ajo nuk i identifikon vendodhjet e këtyre varrezave masive!

Serbia në sytë e Edi Ramës është një iluzion që prodhon realitete të dyfishta. Njërin realitet Rama e percepton si gjakim për t’u dukur jo ajo që e sheh, por ajo që e ëndërron.

Duke u përgjumur në shtratin idilik të “Open Balkan”, Rama ëndërron një Serbi paqësore e miqësore, një fqinj të butë e të mirë, me të kaluar të shkëlqyer, që synon të projektojë të ardhme edhe më të shkëlqyer.

Realitetin tjetër, Rama nuk e sheh dot. Ose bëhet sikur nuk e sheh.

Rama nuk e sheh Serbinë e vërtetë. Serbinë që e mohon shtetin e Kosovës, Serbinë që nuk pranon të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, të cilën Rama po e shlyen me gomën e “Open Balkan”, në emër të një ardhmërie fiktive.

One Response to “SI DUKET SERBIA NË SYTË E EDI RAMËS?”

Read below or add a comment...

  1. TV says:

    Nuk e njoh autorin por do të doja t’i shprehja përgëzimet për shqipen e pastër dhe kulturën e të shkruarit.
    Përtej kësaj, artikulli nuk ka asnjë vlerë dhe nuk është gjë tjetër veçse një shkrim më shumë i veshur me patriotizëm e spekullime nacionaliste.
    Do të doja i dashur Emin t’i ishe përgjigjur pyetjes: Me që Kosova 60% të volumit të shkëmbimit të mallrave e bën me Serbinë, a nuk ke dhe ti nja 60% të artikujve në frigoriferin e kuzhinës tënde me markën “Made in Serbia”?
    Për ç’atdhetarizëm më flet ti, Kurti, Osmani, e ( thellësisht i zhgënjyer), edhe zonja Gërvalla?! Ku e sheh të keqen ti dhe politikanët dritëshkurtër kosovarë tek fakti që kosovarët, që nuk po u lejohet të lëvizin lirshëm në Europë, të kenë të paktën lirinë e lëvizjes në rajon?!
    Mendon ti dhe Kurti e co. se duke mos u ulur në tryezë bisedimesh me Vučić, ju do i bindni serbët të mos e zgjedhin President?! Mendoni ju se shqiptarët e votuan Ramën për të mbuluar paaftësinë qeverisëse të Albinit?!
    Ç’të keqe shihni ju atdhetarët e flaktë tek zmadhimi i tregut 2-3 milionësh në një treg 20 millionë, i preferuar për investitorët e mëdhenj?!
    Zotëri, akuzat për krimet e Serbisë Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të rreshtin së bëri, në gjykata dhe organizma ndërkombëtarë, por ndërkohë duhet të ecin përpara në zhvillimin ekonomik, teknologjik, turistik, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.