Si e nisi “reformën” në ministri nga ndërrimi i pajisjeve dhe një anektodë greke për Ulsi Manjan në kohë krize

A do ndikojë kjo “reformë mobilimi”, për të krijuar drejtësi reale në Shqipëri?/ Rinovimin e instituconit, nuk e filloi nga pastrimi i zyrave të mbushura me familjarë politikanësh, me persona me precedentë penal, me “ekselentë” me diploma “Kristali” dhe shefa e nëpunës të lidhur me korrupsionin e segmente të krimit, ndoshta ngaqë ministri do ketë konstatuar se shkak i mangësive e abuzimeve, paskan qenë orenditë e zyrave

Në fillim anektoda

Në kulmin e krizës greke, në kabinetin e Kryeministrit, stafi po bënte përpjekjet maksimale të bindte delegacionin evropian për të marrë këstin e parë të huasë. Në vijim të përpjekjeve, sekretari i Përgjithshem urdhëron ndërrimin e tapeteve të kryeministrisë me synimin që të rrisë përformancën në të gjitha drejtimet… Një pastruese e vjetër çuditet me veprimin e shefit dhe shpërthen: – ku nuk kam punuar, por këtë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë; edhe në bordello kur punoja, kur binte puna, shefi ndërronte k*rvat dhe jo çarçafët…

Në daljen e tij të parë publike te shkallët e kryeministrisë, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se do fillojë reformimin e kësaj ministrie sipas standardeve europiane, me një platformë të re, që sipas tij, do garantojë eficensë në drejtësi.

Mirëpo, një njoftim ankandi, i shpallur nga kjo ministri në datën 4 tetor 2021, tregon se ministri Ulsi Manja, nuk e paska nisur punën me reformimin e administratës nepotike, analfabete e të molepsur deri me dosje penale, por me “reformën e mobilimit” të zyrës së tij e të shefave të ministrisë.

Në listën e ankandit, të orendive dhe pajiseve të blera para 1-2 vitesh e të nxjerra në shitje me 15%-30% të çmimit, janë dhe kondicionerët, perdet, grilat, tapetet, abazhuret e tavanëve, varëset e rrobave, abazhuret e tavolinave, karriget, koshat e duhanit në korridore, kovat, ekspresët e kafesë, telefonat dhe deri te grirëset e letrave, të zyrës së ministrit e drejtuesve të tjerë.

Siç duket, ministri Ulsi Manja, gjatë këtyre ditëve në detyrë, do ketë konstatuar, se shkak i mungesës së eficencës në punë, bllokimit të reformave dhe allishverisheve në drejtim-shërbimin e burgjeve, të abuzimeve, pazareve e korrupsionit në këtë ministri, nuk paskan qenë nëpunësit dhe shefat e sektorëve, por pajisjet dhe orenditë e zyrave.

Përballë këtij fakti, bëhen dy pyetje:

– A do ndikojë kjo “reformë mobilimi”, për të krijuar drejtësi reale në Shqipëri, larg klientelizmit, intersave të pista, kontrollit të grupeve kriminale e klaneve politike-qeveritare?

– Përse as ministri Ulsi Manja, si ish-ministrja Gjonaj, nuk e filloi rinovimin e institucionit sipëror të drejtësisë shqiptare nga pastrimi i zyrave të mbushura me familjarë politikanësh, me persona me precedentë penal, me “ekselentë” me diploma false e “Kristali” dhe me shefa e nëpunës, të lidhur me korrupsionin e segmenteve të krimit?

Në fakt, kështu si Dr. Manja, kanë vepruar gjithë ministrat e drejtësisë të PD, PS e LSI në 20 vitet e fundit, duke ndërruar luksin e zyrave, por jo njerëzit./Pamfleti

pamfleti.net

 

Comment

*