SI E SHKROVA NJË DRAMË PËR FËMIJË QË NUK DO ISHTE SHKRUAR KURRË

(Lenini Mes Fëmijëve) 

Naum Prifti

Naum Prifti

Fati i dramave është tekanjoz. Por kurrë nuk do besoja se do hyja në historikun e Teatrit Popullor me një dramë, të cilën ma sugjeruan ta shkruaja. Dy drama të mira si “Mulliri i Kostë Bardhit” dhe “Plumbat e shkronjave” nuk u vunë në skenën e Teatrit të Tiranës megjithëse ishin të suksesshme. Të parën e vuri Durrësi me regji të Pandi Stillut dhe Vangjel Hebes, kurse të dytën e vunë paralelisht Petrit Tuna në Fier e Sotir Çili në Korçë. 

Historia e dramës që nuk besoj se do më kishte shkuar mendja ta shkruaja filloi me nxitjen e Pallatit të Pionierëve të Tiranës. Fuat Gega, koreografi dhe punonjës i dedikuar i Pallatit të Pioniereve, me të cilin kisha miqësi, shprehu mendimin se vetëm unë mund t’ia dilja mbanë një drame për Leninin dhe fëmijët. Në fillim dredhova duke menduar se ishte nga ato ide fluturake që vinë e shkojnë si flladi i erës, mirëpo pas një viti ai u kujtua për porosinë dhe Pallati i Pionerëve filloi të më kërkonte dramën. Ideja kësaj here  m’u duk më tërheqëse dhe kureshtja të provoja forcat e mia më dha një shtysë të habitshme.  Më vonë mësova se edhe Pallati i Pionierëve nuk ishte ideatori origjinal. Ata kishin marrë porosi prej zëvendëskryeministrit të atëhershëm, Manush Myftiu. Meqë aktorit të njohur me fizionomi të ngjashme me Leninin, Lazër Filipit, po i afronte koha të dilte në pension, u mendua të shkruhej një pjesë e posaçme ku mund të përtërihej roli i gatshëm i tij te “Orët e Kremlinit”. Kush mund ta merrte përsiper këtë përgjegjësi? Kush mund të guxonte të merrej me një figurë madhore historike, e cila duhej të shpalosej në botën e ndërlikuar tëfëmijëve? Lexova edhe njëherë me kujdes biografinë e shkurtër të Leninit e gjithë kujtimet dhe tregimet e botuara për të. U befasova kur nuk gjeta krijime të tjera për Leninin veç tregimeve të A. Kononovit, i cili m’u duk tepër i thatë, ndryshe nga mbresat që kisha provuar kur i kisha lexuar ato si djalë 13-14 vjeçar. Harxhova më shumë kohë për të lexuar materialet se sa për të shkruar dramën. E konceptova në tre akte, për tri periudha të ndryshme kohe: në prag të revolucionit, pas revolucionit dhe në festën e vitit të ri 1919. Të tre aktet i hodha në letër me një frymë, brenda dhjetë ditësh. Me pëlqente kasollja e Razlivit, sipas një tabloje të një piktori rus, ku Lenini qëndronte mbi një trung peme pranë një kasolleje me kashtë, mes një pylli mështeknash plot ngjyra vjeshte. Veçse m’u desh ta sakrifikoja dhe  ta zhvendosja ngjarjen në Finlandë, që drama të kishte intensitet dhe një ndjeshje më të fortë kohore.

Lazër Filipi, në rolin e Leninit

Në aktin e parë Leninin është në natyrë, rrethuar nga fëmijë finlandeze, me të cilët shkon të mbledhë luleshtrydhe e shetit pranë liqenit, ndërkohë që policia e fshehtë e gjurmon. Në aktet e tjera u mundova të shkrija episode të ndryshme nga kujtimet e motrave, të Krupskajës, si edhe të nëpunësve të Kremlinit. Nuk ishte aspak e lehtë t’i mbetesha besnik disa fakteve të historisë, personalitetit të tij e ndërkohë të aludoja edhe për probleme të kohës, që idetë të tingëllonin aktuale dhe drama te rezononte me publikun shqiptar. 

Pallati i Pionierëve e pëlqeu dramën dhe filloi punën me rrethin e amatorëve nën regjinë e Lazar Filipit. Pas një jave provat u ndërprenë, sepse duhej siguruar së pari aprovimi. Edhe pse duhej të ishte diçka formale, dolën vështirësi serioze. Kush duhet ta aprovonte pjesën? Komiteti i Rinisë së Tiranës, nga i cili varej formalisht Pallati i Pionierëve thoshte se nuk kishte kompetenca të tilla, pra e hoqi barrën nga supet. Manuskripti i dramës u soll vërdallë zyrave të komitetit Ekzekutiv e të Komitetit të Partisë së Tiranës dhe ndërkohë, siç mund të pritet, entusiazmi u ftoh, zelli u mek dhe vepra mbeti as e miratuar, as e rrëzuar.

Mendova ta dorëzoj për botim në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore dhe kështu të paktën të ishte e botuar. Redaktorët nuk guxuan të merrnin përgjegjësinë për botimin prandaj e dërguan në Lidhjen e Shkrimtarëve për shqyrtim. Lidhja u përgjegj se s’kishte asgjë kundër, po nuk mund të merrnin përgjegjësi për botimin, sepse Buletini i Fëmijëve nuk qe organ i tyre. E shkarkuan barrën duke e përcjellë në adresën e sektorit të Artit e të Letërsisë në Komitetin Qendror të Partisë. Kritiku Jakup Mato, punonjës në këtë sektor, pasi e lexoi i shprehu në mënyrë konfidenciale kolegut të tij, Gaqo Bushakës, një frazë që më befasoi e më trishtoi: “Ç’i duhet Naumit të merret me Leninin? Pse të hapim një kapitull të mbyllur? Jo po, Bashkimi Sovjetik, Traktati i Varshavës etj. Thuaji të shkruaj tregime nga jeta jone…” Një përgjigje e tillë këshillimore m’u duk e pakuptueshme. Deri atëherë sinqerisht besoja se për figurën e Leninit ne nuk mund të kishim asnjë lloj stepje a ngurrimi. A nuk e quanim veten leninistë? A nuk thoshim se Lenin na përket ne më shumë se Bashkimit Sovjetit? Psikologjia e nëpunësve të vegjël nuk pyet aspak për vlerat artistike. Ndrojtja e tyre qe e pashprehur, por e hapur. ”Ç’po na duhet të merremi tani me revolucionin e tetorit, me Rusinë Sovjetike? Dakord me Leninin se është figura më e madhe e proletariatit, po sidoqoftë…” Reticenca të shoqëruara me rrudhje buzësh, ngërdheshje, dhe sidomos bezdi se po u hapja telashe… E pyeta Gaqon nëse e dinte Jakupi se porosia kishte ardhur prej Pallatit të Pionierëve nga Manush Myftitu, anëtar i Byrosë Politike, zëvendëskryeministër që mbulonte arsimin, kulturën e shëndetësinë? Mirëpo askush nuk guxonte të komunikonte me të. Dhe drama mbeti në erë.

Këtu ndërhyri fati tekanjoz. Në një mbledhje të Ministrisë ku ishin thërritur të raportonin teatrot, u kritikua Teatri Popullor që nuk kishte vënë asnjë pjesë për fëmijë për shumë kohë. Drejtori, Vaskë Aristidhi, filloi të pyeste gjatë pushimit të seancës, nëse mund t’i rekomandonin ndonjë pjesë të mirë. Dikush i sugjeroi dramën time dhe ai pa e lexuar fare, deklaroi ne mbledhje se Teatri e kishte futur në plan me kohë. Kjo deklaratë aty i shërbeu si një varkë për të kapërcyer lumin e kritikave.

Pjesa hyri në listën për t’u shqyrtuar në Këshillin Artistik, ku u shfaqën ngurime se përse duhej vënë kjo pjesë tani, kur nuk dukej ndonjë ndryshim në marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik. Burokracia nuk i bindet arsyeve. Po për fat qëlloi vigjilja e 110 vjetorit të lindjes së Leninit. Për ne, që jemi mësuar të  punojmë me fushata, ky argument u duk i fortë dhe bindës. Drama nisi rrugëtimin e saj.  

Unë isha përpjekur ta paraqisja figurën e Leninit në një dritë tjetër nga ajo e filmave ruse si edhe nga portretizimi te “Orët e Kremlinit”, si një figure babai, si një mik i të vegjëlve që di të ulet në nivelin e tyre edhe pse vete nuk pati fëmijë. Këtu shihja një kontrast të madh ndërmjet një njeriu që kishte një dhembje a merak të përhershem dhe atij që donte t’i përmirësonte kushtet e këqia të tyre brenda një hapësire të madhe si Rusia. Natyrisht nuk i mëshova kësaj ane, vetëm sa e ceka pak diku, por edhe atë pjesë më detyruan ta fshija. Në historinë e dhimbshme të Rusisë, Lenini u përpoq seriozisht të ndikonte me shembullin personal që zyrtarët burokratë dhe pushteti qeveritar ta ndryshonin konceptin ndaj filizave me të brishta të jetës dhe unë këtu e shihja vlerën e dramës, si një aludim se edhe tek ne duhej  të tregonim më shumë kujdes për ta.

Regjisori Qenan Toro për hir të këmbimit të skenave më sugjeroi antraktet dhe unë i shfrytëzova për të lidhur më mirë ngjarjet e për të forcuar unitetin e akteve.

Me aktorët e rritur, sado që s’kishte aktorë me potence, regjisori punoi mjaft mirë. Me të vegjëlit la shumë për të dëshiruar. Disa mizanskena nuk kishin zhdërvjelltësi dhe fëmijët nuk vepronin natyrshëm. Eksperimentoi me idenë e një teatri të kukullave në një akt dhe me një valle në një akt tjetër, po këto nuk patën sukses dhe u hoqën gjatë provave.

Disa replika kundër shovinizmit rusomadh që desha të shtoja për ta aktualizuar, nuk qe e mundur të futeshin në kokën e Lazrit. Truri i tij dukej sikur prej kohësh qe mbushur plot dhe s’pranonte më asnjë shtesë. Edhe aludimi për pushtimin e Afganistanit mbeti jashtë, por sikurse u pa, nuk prishi asnjë punë. Lazër Filipi e kishte rolin të punuar, të skalitur, të gatshëm, si temperament, lëvizje, intonacion, por megjithatë atij ju desh punë për ta dhënë në një dimension të ri rolit kryesor. Po ia arriti të hynte në marrëdhënie të ngrohta e të sinqerta me fëmijët duke krijuar një Lenin që e kupton moshën e tyre, di të komunikojë me ta, të jetë i vëmendshëm ndaj tyre dhe të shfaqë keqardhje për gjendjen e mjeruar të femijëve në mbarë botën.

Skenografia e Shaban Hysës qe e mirë, veçanërisht akti i parë në Jalkala, me kasollen në livadh, rrethuar me berjozkat e bardha. Interioret e dy akteve të tjera qenë të zakonshme, pa shumë fantazi. Për rekuizitën, kam shumë vërejtje. U sajua me pjesë të vjetra e të mbetura, të cilat nuk arrinin të jepnin as kohën, as veshjen karakteristike të fëmijëve ruse e finlandezë. Ishte manifestimi i mendesisë që nuk u kushton kujdesin që meritojnë shfaqjeve për fëmijë. Teatrot nuk derdhin fonde për to dhe të gjithë sikur e pranojnë këtë me një shkujdesje të përligjur se “Është pjesë për fëmijë. S’ka rëndësi sido që të bëhet”.

Nga rolet e luajtura nga fëmijët më pëlqyen të dy Urkot, Lenocka (që ishte vajza ime e vogël Rafaela), Valentina (Enkeleda Prifti), Piteri vogël (Altin Basha). Nga të rriturit Piteri (Petraq Xhillari), Maria (Elida Janushi) dhe Vasilievski (Ahmet Pasha), rolet e të cilëve ishin përgjithësisht episodike por të interpretuara mirë. Sekretari i Partisë për Tinanën, Xhelil Gjoni, tha fjalë të mira për shfaqjen, për dramën dhe përgëzoi Teatrin Popullor për këtë realizim me vlerë. Unë ndihesha i emocionuar se në premierën e shfaqjes ishte edhe mamaja ime plakë, që prej disa vitesh kishte ardhur nga fshati Rehovë, të banonte me ne në Tiranë. Ajo ishte për herë të parë në një sallë teatri dhe për më tepër kishte ardhur të ndiqte një dramë të shkruar nga i  biri dhe të shihte në skenë edhe mbesën e vogël, Rafaelën, me të cilën ishte shumë e lidhur. Unë përshëndeta i emocionuar spektatorët, miq e dashamirë ndërsa mora një buqete me lule për herë të parë në skenën e teatrit të kryeqytetit. Në atë moment u kujtova se nga Pallati i PIonierëve ndërtesa e Teatrit Popullor ishte vetem disa hapa larg. Veçse rrugëtimi i dramës ishte zgjatur shumë më tepër se disa hapa, nga që kishte patur aq shumë kthesa , zbrapsje, manovrime para e prapa kthehu.

Drama “Lenim mes Femijeve” kaloi përmes diskutimeve e debateve në shume instanca lokale e partiake të Tiranës komuniste përfshirë edhe Kryeministrinë e Komitetin Qendror të PPSh. Rrëfimi i arrijes së saj në skenën e Teatrit Popullor më 27 mars të vitit 1980 kishte nota të forta dramatike, por tipike të një kohe absurde që mund të jetë frymezim për një dramë tjetër.   

Rafaela e vogël me gjyshen Parashqevi Prifti

Comment

*