Si po shkërmoqet së brendshmi faktori politik shqiptar në Maqedoni?

Emin AZEMI

Integriteti i kërcënuar i përfaqësimit dinjitoz të shqiptarve në institucionet e RMV ka bërë që fuqia vendimarrëse e partive shqiptare të reduktohet në një qark të mbyllur ambiciesh iracionale për disa karriga ministrash e drejtorësh, paçka se deklarativisht angazhohen më tepër për programe e më pak për poste.

E përbashkëta e mënyrës së punës dhe metodës së partive politike shqiptare në Maqedoni është radikalizmi i tyre në opozitë dhe tkurrja e veshëve posa ta shkelin derën e qeverisë. Nëse i pyetni ata se pse ndodh kjo veshtkurrrje, me siguri do të merrni përgjigje nga më të bezdisshmet, e që në të shumtën e rasteve mund të përmblidhen me pak fjalë: “Ne po bëjmë politikë insitucionale, nuk e kemi lehtë brenda natës t’i kalojmë projektet dhe kërkesat e premtuara në fushata parazgjedhore”.

Në një shtet multietnik si Maqedonia, ku problmet dhe proceset etnike, shoqërore e adminstartive nuk kanë përfunduar ende, është luks i tepruar ky farë “pluralizmi” partiak shqiptar, sepse me kalimin e kohës dhe praktika e ka dëshmuar se ky më pak është pluralizëm, e më tepër inflacion idesh dhe humbje energjish të kota në luftën brendashqiptare. Ky fukarallëk potencash brendashqiptare nuk është pasojë e mungesës së resurseve dhe kapaciteteve kadrovike e profesionale, por është më tepër rezultat i projeksioneve të gabuara të udhëheqësve partiakë për të menaxhuar në kaos, me kuadro që janë kontingjente tifozësh partiakë dhe që synim përfundimtar e kanë kënaqjen e ambicieve sociale e ekonomike të një tufe njerëzish që ndryshe quhen edhe partizanë kokëshkretë që si “kualifikim” të vetëm e konsdierojnë posedimin e patent shoferit ose librezën e shëndetësisë.

Në vend se të demonstrojnë unitet për një strategji të përbashkët të veprimit politik, e cila do t’ua lehtësonte punën edhe gjatë pjesëmarrjes në ndonjë koalicion qeverisës, partitë shqiptare sikur janë të prirura të veprojnë të defaktorizuara në arealin politik maqedonas, duke u treguar gjithnjë e më të dobëta në kabinetet qeverisëse të radhës. Vetëm kur të hyjnë në pushtet ato mund ta dini se sa pak fuqi vendimarrëse kanë dhe krejt kjo për pasojë të mosfakorizimit politik e institucional dhe përjashtimit arbitrar të energjive kreative nga shoqëria e gjerë dhe nga bota intelektuale-akademike. Per pasojë ndodh që të angazhohen  vetëm individë me sens të lartë të lojalitetit dhe me koeficient të ulët të inteligjencës.

Kjo shkërmoqje së brendshmi e faktorit politik shqiptar në RMV do të ketë një kosto të lartë për të ardhmen e vet shqiptarëve, por edhe një favor për politikën maqedonase, e cila vetëm përmes defaktorizimit të shqiptarëve mund t’i rrumbullakësojë disa procese që ende nuk kanë përfunduar.

3 shkurt 2022

Comment

*