Si ta bëjmë më të efektshëm komunikimin me Qendrën e Kontaktit të USCIS-it

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Qendra e kontaktit të Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) [(800) 375-5283 dhe www.uscis.gov/contactcenter] ka bërë ndryshime të cilat kanë për qëllim të minimizojnë varësinë nga lidhjet e drejtpërdrejta nëpërmjet telefonit si dhe të promovojnë përdorimin nga ana e klientëve të mjeteve të vëna në dispozicion në internet si dhe rrugëve dixhitale të kërkimit për të marrë ndihmë në mënyrë të pavarur. Kjo ka ardhur si rezultat i kufizimeve financiare dhe të personelit, kufizime që kanë bërë të pamundur që USCIS-i t’i japë përgjigje direkte çdo klienti, sidomos në një kohë kur agjencia në fjalë po përballet me rritje të volumit të kërkesës për informacion nga ana e klientëve.  

Mund t’i drejtoheni qendrës së kontaktit të USCIS-it:

  • Kur ju duhet të ndryshoni takimin për intervistë apo për të dhënat biometrike përpara se të vijë data që ju është caktuar; 
  • Në raste urgjente, siç janë rastet kur nevojitet nxjerrja e lejes së udhëtimit apo dëshmisë së statusit të rezidentit të përhershëm (siç p.sh. vënia në pasaportë e vulës ADIT e cila shërben si dëshmi e përkohshme e statusit në fjalë);  
  • Për të kërkuar një proçedurë të përshpejtuar në rast se USCIS-i e parashikon një proçedurë të tillë në rastin tuaj; dhe/ose    
  • Kur dëshironi të informoheni lidhur me ecurinë e çështjes suaj, në rastet kur koha për shqyrtimin e saj i ka kaluar caqet kohore normale që parashikon Shërbimi i Emigracionit, ose kur bëhet fjalë për hetime mbi çështjen për të cilat nevojitet vërtet ndihmë e drejtpërdrejtë.

Duhet ta kontrolloni shpesh statusin e çështjes suaj në faqen përkatëse në internet të USCIS-it, duke seleksionuar llojin e formularit që keni paraqitur si dhe zyrën lokale që merret me atë çështje dhe të mos e kontaktoni USCIS-in përpara se t’ju kalojë afati kohor i shqyrtimit që parashikon Shërbimi i Emigracionit. USCIS-i merr vendim për aplikimet apo peticionet e paraqitura duke i shqyrtuar çështjet një për një. Çdo çështje ka të veçantat e saj dhe çështje të caktuara mund të kërkojnë më shumë kohë për t’u shqyrtuar. Diçka e tillë nuk nënkupton që ka probleme me çështjen tuaj.  

USCIS-i po kufizon ndihmën e drejtpërdrejtë nëpërmjet Qendrës së Kontaktit për t’u ardhur më shumë në ndihmë atyre që u nevojitet ndihmë direkte. Në rastet kur egziston mundësia për ndihmë në mënyrë të pavarur, mesazhi nga sistemi telefonik nuk i ofron telefonuesit alternativën për t’u lidhur me shërbimin që ofron ndihmë direkte. Volumi më i madh i telefonatave është të hënave dhe vjen duke rënë gjatë ditëve të tjera të javës. Asistentja virtuale e faqes së internetit të USCIS-it, Emma, ofron mundësinë për bisedë të drejtpërdrejtë nëpërmjet shërbimit “Live chat”, nga e hëna deri të premten nga ora 8 e mëngjezit deri në orën 8 të darkës (sipas Eastern Time). Në rastet kur Emma nuk është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve tuaja, mund të përdorni shërbimin e-Request për të paraqitur një kërkesë për një shërbim të caktuar apo për t’u informuar për ecurinë e çështjes. 

Nëse keni caktuar takim për të marrë ndihmë direkte, USCIS-i do të bëjë dy tentativa për t’ju kontaktuar. Nëse nuk përgjigjeni gjatë tentativës së parë, USCIS-i ju lë një mesazh ku ju bën të ditur që do të provojë dhe një herë tjetër brenda 60-90 minutave. Nëse përpjekja për t’ju kontaktuar dështon edhe herën e dytë, qendra e kontaktit të USCIS-it do t’ju dërgojë një e-mail ku thuhet se agjencia bëri përpjekje që t’ju kontaktojë si dhe do t’ju udhëzojë t’i merrni ju vetë në telefon ose t’i kontaktoni me mënyra të tjera. Jepni numrin e celularit si dhe atë të zyrës ku punoni. Qendra e kontaktit të USCIS-it provon më shumë se një numër për t’ju kontaktuar. USCIS-i përpiqet t’u përgjigjet telefonatave gjatë orëve normale të orarit zyrtar, sipas radhës që kanë ardhur kërkesat në shkallë vendi, duke filluar nga e para për të vazhduar tek më e fundit, në mënyrë që të ruhet njëfarë rregulli. Në rastet kur USCIS-i përballet me volum të madh kërkesash, nuk është çudi që t’ju telefonojë dhe jashtë orarit zyrtar apo dhe gjatë fundjavës.

Qendra e kontaktit të USCIS-it është ajo që vendos nëse bëhet ose jo fjalë për një rast urgjent (siç është rasti i lejes për të udhëtuar). Nëse kërkesa lidhet me një takim urgjent, ajo shqyrtohet nga personeli i Nivelit 2. Nëse caktohet ose jo takim, kjo vendoset nga zyra lokale ku është kërkuar të bëhet takimi dhe jo nga qendra e kontaktit të USCIS-it. Zyrat lokale të USCIS-it përpiqen që t’i caktojnë shumicën e takimeve brenda dy javëve. USCIS-i u përgjigjet kërkesave urgjente ose përmes e-mail-it ose përmes telefonit brenda 24-72 orëve. Kërkesave jo-urgjente USCIS-i synon t’u përgjigjet brenda 30 ditëve. Përfaqësuesit e Nivelit 1 u thonë telefonuesve nëse çështja e tyre kualifikohet ose jo si urgjente. Telefonuesi do të marrë gjithashtu një e-mail që konfirmon përshpejtimin e kërkesës për t’u informuar lidhur me çështjen.

Nëse dëshironi të përshpejtoni shqyrtimin e çështjes suaj, kjo e fundit duhet të ketë të bëjë me një takim urgjent. Nëse bëhet fjalë për diçka të tillë, atëherë kërkesa shqyrtohet nga personeli i Nivelit 2, por vendimin e merr zyra lokale ose qendra që ka në dorë çështjen; Qendra e Kontaktit të USCIS-it është përgjegjëse vetëm për kalimin e kërkesës këtyre dy zyrave. Telefonuesit duhet të sigurojnë vetë përkthyesit e tyre. Personat duhet t’i përgjigjen disa pyetjeve me natyrë verifikuese përpara se USCIS-i të mund t’u japë informacion që lidhet me çështjen. Takimet për të dhënat biometrike caktohen zakonisht automatikisht, por USCIS-i ka vazhduar të ketë vonesa në caktimin dhe ri-caktimin e këtyre takimeve. Qendrat që ofrojnë ndihmë lidhur me aplikimet (ASC-të) po funksionojnë me kapacitet të plotë dhe me orë të zgjatura. Pavarësisht nga kjo, në disa vende duhen 90 ose më shumë ditë për të caktuar takimet për të dhënat biometrike. Aty ku mundet, USCIS-i po ripërdor të dhënat biometrike, por kjo varet nga disa karakteristika të veçanta përputhjeje dhe përputhja nuk mund të përcaktohet deri pasi të jetë paraqitur aplikimi apo peticioni. Qendra e Kontaktit të USCIS-it nuk mund të caktojë takim për të dhëna biometrike, por vetëm mund të caktojë një datë të re për takimin ku aplikanti nuk është në gjendje të shkojë.

Aplikantëve, qoftë dhe atyre që kanë nevojë të caktojnë një datë të re takimi, u janë vënë në dispozicion në internet shërbime si Emma, e-Request të cilat janë aktive 24 orë çdo ditë të javës.  Klientët dhe përfaqësuesit e tyre mund të telefojnë gjithashtu Qendrën e Kontaktit të USCIS-it në çdo kohë. Në shumë raste, kur nuk është në gjendje t’ju japë përgjigje, Emma mund t’ia përcjellë telefonatën dikujt që ofron ndihmë direkte. Diçka e tillë është e mundur brenda orarit zyrtar. Kërkesat për të caktuar një takim të ri, nga ato për të cilat vendos ASC-ja, përpara datës që është caktuar takimi aktual, bëjnë pjesë në kategorinë e telefonatave që kalohen për ndihmë direkte përmes IVR-së ose “Live chat”-it përmes Emma-s. Kërkesat për të ricaktuar takimet për intervistë apo kryerje të betimit i kalohen zyrave lokale si kërkesa që kanë nevojë për shërbim. Janë zyrat lokale që marrin vendim për këto kërkesa.

Nuk është e garantuar që zyra lokale do t’ju caktojë një datë të re për intervistë, dhe në rast se nuk ju vjen ndonjë përgjigje, duhet të bëheni gati të paraqiteni për intervistë në ditën që ju kanë caktuar. Megjithatë, duhet të kini parasysh që personat me Covid-19 apo që kanë simptomat e Covid-19-ës nuk duhet të paraqiten për intervistë në asnjë mënyrë dhe duhet t’i drejtohen për sqarime udhëzuesit të hartuar për këtë qëllim nga USCIS-i, në faqen përkatëse të internetit.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net

Comment

*