Si u arrestua në Romë ish-kryeprokurori Adriatik Llalla?

Tiranë, 14 dhjetor 2021 – “Arratia” e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla ka ma marrë fund dje, afro 3 muaj pasi u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vjet burg me vendim të formës së prerë nga Apeli i Posaçëm.

Zyrtarisht, Policia e Shtetit thotë se Llalla është arrestuar në Itali me qëllim ekstradimi në vendin tonë, por nuk është e qartë nëse është vetëdorëzuar, apo vendndodhja e tij u zbulua nga ana e oficerëve të Interpolit. Në njoftimin zyrtar, Policia thotë se ish-Kryeprokurori ka rënë në pranga falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe zyrës homologe të Interpol Romës. Megjithatë, avokati i Lallës, Sokol Hazizaj, i tha BIRN se nuk kishte informacion të qartë për situatën dhe se po priste informacionin me shkrim. Llalla u dënua me 2 vite burg me vendim të formës së prerë, që u shpall më 22 shtator. Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e dhënë më 20 maj nga GJKKO, që përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë. Ndërkohë, Llalla nuk ka qenë i pranishëm në seancë, ndërsa avokati i tij Sokol Hazizaj deklaroi atëherë se nuk ishte në dijeni të vendndodhjes së ish-Kryeprokurorit. Llalla u dënua nga Shkalla e Parë me 2 vite burg dhe disa pasuri që iu sekuestruan e i kaluan shtetit me akuzën e deklarimit dhe fshehjes së pasurisë.

ARRESTIMI

“Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në pranga, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe zyrës homologe të Interpol Romës. Kapet në Itali, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar Adriatik Llalla”, njoftoi dje zyrtarisht Policia e Shtetit. Nga Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës, falë shkëmbimit të informacionit me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Adriatik Llalla, 52 vjeç, banues në Tiranë. “Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale ‘Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim’. Falë informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë italiane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

SHPALLJA NE KERKIM

Më 8 tetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi procedurat ligjore dhe shpalli në kërkim ndërkombëtar ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla, i dënuar me 2 vite burgim. Policia i është përgjigjur me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Posaçme, ku e informonte se ish-Kryeprokurori nuk ishte gjetur në Shqipëri. Policia thotë se ka bërë të gjitha verifikimet me metoda speciale, por nuk e ka gjetur, ndaj dhe i ka kërkuar SPAK-ut që të niste procedurat për ta shpallur Llallën në kërkim ndërkombëtar. Nga verifikimet, Llalla rezultonte të ishte larguar jashtë vendit pak ditë para shpalljes së vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi atë me dy vite burg dhe i konfiskoi pasurinë. Në tetor SPAK i është përgjigjur shkurtimisht interesimit të gazetarëve lidhur me çështjen, duke thënë se: “SPAK është duke bërë procedurat qëparashikon ligji. Detajet nuk mund të bëhen publike”. Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, për të cilin është firmosur një urdhër arresti më 22 shtator, ditën kur Apeli i dha formë të prerë vendimit të dënimit të tij me 2 vite burg, ishte larguar nga Shqipëria më 9 shtator. Sipas të dhënave të sistemit TIMS, ai ishte larguar nga Rinasi në drejtim të Italisë.

(Etleva Delia, Panorama.al)