SIKUR

Poezi nga Altin Zaloshnja

Vjen një kohë e vjen një cast, kur i vetëm rri menduar

Katër mure, një krevat, diell i ftohtë, grilat shpuar,

Dhe mendim’i turfulluar arratiset larg, dikur

Si Amok i Amulluar, e bën pyetjen … po Sikur?

Sikur Eva t’refuzonte rrëshqaninë e zvarranikut,

Njat’ mashtrim të reklamuar: “njohuri përtej rrezikut”,

E Adami mos ish fshehur poshtë ndën’ gjethet e Edenit

Ndërsa ne, që atje s’ishim, mos gëlltisnim vrrag’n e helmit.

Sikur Noe mos kish ngritur atë varkë të shpëtimit

Dhe të marrët që la pas atë kullë të ekzaltimit,

Babelianë të coroditur ndër zigzage t’Eufratit

Kleptomanë -që radhën presin- tek gjykatësi Hamurabit.

Sikur Mojsiu të ndalonte para Tokës së Premtuar

Teksa zbriste nga Sinai me dy rrasa gur në duar,

Hir kjo botë nuk meritonte ndaj ta linte fillikat

Refuzon thirrjen e Hyut, bën mëkat përmbi mëkat.

Sikur Akilin, nimfa Tetis, ne Stiks mos ta kish zhytur

Sikur Paridi, drejt Spartës nisur, n’Egjeun me dallgë t’qe mbytur,

Sikur Ilioni të mos plackitej nën dritën-sterrë të natës

Sikur Trojanët të besonin ekstazat e Kasandrës.

Sikur Itakasi, naiv te ishte, pa hu t’thëngjijtë në dorë

Kur Polifemi lëmonte qimet e dashit t’tij përcor,

E Penelopa në terr mos thurte pëlhurën e harresës

E Nausika të mos rrëfente te brishtin shteg të shpresës.

Sikur Davidi të kish besim sa c’kish të gjatë shtatin

Dhe mos guxonte që ta sfidonte, në dylyftim, Goliathin,

Përmbi tarracë të mos shëtiste, i hallakatur, natën

Të mos epshonte, të mos lakmonte, e të mos zgjaste qafën.

Sikur Leonida të kishte burra, por 300 herë më tepër

Me persët kruspull, nga frika dredhur, e trima vec në letër,

Kur tingull’i hekurit, zjarr të skuqur, pluskon mbi mijëra milje

E një atdhe që s’duhet shitur gulcon në Termopile.

Sikur Cesari pushtet-etjen kurrë mos ta kish dashur

E tek kalonte Rubikonin tundimin ta kish flakur,

Dhe tej matanë në bregun tjetër të merrte frymë, cliruar,

As i vrarë, as ego-cjerrur, as me barrë ngarkuar.

Sikur Spartaku t’i decimonte legjionet e Mark Krasit

E kamën Bruti mos e mprehte gjatë Ideve të Marsit,

Nga Apollonia Augusti mos kthehej, i vogël ish, do piqej

Neron mëm’vrasësi mos recitonte nderkohë që Roma digjej.

Sikur bota mos kish njohur një Sheherezade,

Që magjepste Shahriarin në mbarimin e cdo nate,

E dervishët mos vallëzonin tok me vargjet e Rumiut

E haxhinjtë të mos kallëzonin Gjylistanin e Saadiut.

Sikur Gjergjit t’Kastriotëve t’i kish shkuar nëpër mend

Se cfarë nofkash do i m’vishnin per cka bëri per kët’ vend,

Do shqiptonte i menduar, pa grimasë, e kokëmënjanë,

“Paqja ime s’duhet prishur pse kjo tokë pjell Ballabanë”.

Sikur Bibla t’mos printohej prej gjenisë së Gutenbergut

E Luteri t’mos qëmtonte ato teza t’Wytembergut,

Njutoni t’mos vriste mëndjen pse molla poshtë po bije

Kolombi të ish zhgënjyer nga mbretërit pa anije.

Sikur jankit puritanë të mos kishin rezistuar

Taksidarët që sjell mbreti tek i kthenin pa paguar,

Dhe më vonë të mos e flaknin skllavërinë e plantacionit

Dhe me tutje mos dëgjonin Getisburgun e Linkolnit.

Sikur tehun e gijotinës Robespierri ta ndalonte

Si një hije ndjellakeqe që lumpenin eksitonte,

Dhe Dantoni e DeMyleni të mos thereshin, pajetë,

Tek harbon revolucioni gllabëron vogëlush’t e vet’.

Sikur Marksi mos kish qenë një “quasi” parazit

Por gjallesën ta fitonte me punë, e për cdo ditë,

Të vraponte si i cartur në apel përgjatë rreshtimit

Mes acarit Siberian tek gulagu Xhugashvillit.

Sikur një piktor dështak mos kish hyrë tek der’ e burgut

Dhe “Mein Kampf-i” të mos ngjallte at’ instikt vrastar te vulgut,

Marrëzia mos fillonte tek një mendj’e sakatuar

Dhe Shindlerët e kësaj bote mos ndihmonin të vetmuar.

Ahhh, sikur një rrenjëdalë të mos endej n’Qafë t’Pazarit,

E të mos e përcudnonte, kaq ligsht, genin e shqiptarit,

Sikur dheu që e polli mos rënkonte prej mallkimit

Sikur balta që e volli mos lotonte prej trishtimit.

Sikur nje valixhe e drunjtë mos kish “ramun” kurrë kësaj ane,

Dhe n’Tiron mos t’futej mbartësi si të ishte armë Siriane,

N’at’ Dhjetor mos t’vritej ëndrra ndër zgafella riciklimi

Nga i kuqi tek i kuqi, i Dreqnumi tek Dreqnimi.

Sikur koha të ndalonte bashkë me klithmat e ma(rr)okut

Katovica mos ish fundi, por fillimi i epilogut,

Konsomolas që “Rilindën” porsa dolën nga Mordori

Sekretarë q’i atbot’ britën: “Asht’ anmik Hysen Shoshori”!

Sikur detet të pastronin mizoritë e “Lemerisë”,

Sikur malet të ndalonin barbaritë e “Llahtarisë”,

Sikur tendat të mbulonin grykësitë e “Kok’lubisë”,

Që Ajkunat mos vajtonin fatin pis te Arbërisë.

Sikur rruga e shqiptarëve prapë (dhe prapë) n’udhëkryq të ketë mbërritur

Dhe nga Lart kërkojnë një shenjë, vizionare, qartë-skalitur,

Kur asqerët e cdo sulltani nxijnë në cep të horizontit

Drejtim jep përmes epokash, testament’i Kastriotit.

Sikur të parakalonin, mes epokash, ikanakët

Dhe mjeranët që shpresuan se gjykimi eshtë i vakët,

Abrahamin përtej shohin dhe rënkojnë të pa-paqtuar

Vajtojnë fort që refuzonin, të Vërtetën e Amëshuar.

Dhe kështu fill i mendimit rend e shkon mbas cdo sikuri

Por në fund e qetëson FJALA; mishëruar prej një Burri,

Eshtë Ai që në Golgothë grisi hijet e dyshimit

Nga e para tek e fundit, nga fillimi … Drejt Mbarimit!

© Altin A. Zaloshnja, ripunuar Prill 2021

“Krishti i ringjallur” nga Boticelli

Comment

*