Situatë për alarm në Kosovë, 32 viktima të kosonavirusit për 24 orë

Prishtinë, 2 shtator 2021 – Situata epidemiologjike e COVID-19 në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Qysh prej gushtit, numri i viktimave sa vjen e rritet, ndërsa spitalet janë stërngarkuar me të sëmurë nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 32 persona e kanë humbur luftën me koronavirusin gjatë 24 orëve të fundit. Kjo është shifra e dytë më e lartë e viktimave brenda një dite në Kosovë, qyshse janë regjistruar rastet e para pozitive, në mars të vitit të kaluar.

Në shtatë ditët e fundit, në Kosovë, epidemia e koronavirusit ua ka marrë jetën 170 personave.

Pak më ulët se në ditët paraprake është shifra e rasteve të reja pozitive me koronavirus, por gjithsesi është lartë në raport me numrin e testimeve.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 1.612 raste. Kjo shifër ka rezultuar nga testimi i 13.953 mostrave,  që i bie se pozitivë në COVID-19 kanë  dalë 12 për qind e të testuarve.

Për autoritetet e shëndetësisë, në radhë të parë për drejtuesit dhe mjekët e spitaleve, është njafarë lehtësimi shifra e të shëruarve. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 2.460 pacientë, gjë që shton shpresën se me kapacitetet spitalore mund të përballohet fluksi i rasteve me simptoma më të rënda që kërkojnë trajtim spitalor.

Gjithsesi, klinikat COVID në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe në spitalet rajonale janë të stërngarkuara dhe autoritetet druajnë se do të ketë nevojë për kapacitete shtesë, si në shtretër ashtu edhe në personal.

Në të gjitha spitalet ka mungesë të mjekëve dhe, sidomos të infermierëve. Ministria e Shëndetësisë ka miratuar kërkesën për staf shtesë të infermierëve, por procesi i përzgjedhjes së tyre nuk ka përfunduar ende.

Në fund të javës që shkoi, Qeveria e Kosovës ka forcuar masat kufizuese, me qëllim të frenimit të përhapjes së pandemisë. Ndër të tjera, është vendosur që çdokush që futet në Kosovë, qoftë shtetas i vendit ose i huaj, duhet të ketë pasaportë vaksinimi ose test negativ më të ri se 72 orë. Përndryshe duhet të izolohohet ose ta lëshojë territorin e Kosovës brenda 3 orëve.

Ndërkohë, po bëhen përpjekje për rritjen e dinamikës së procesit të vaksinimit, duke shtuar edhe numrin e pikave të vaksinimit. Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se dinamika e procesit të vaksinimit mund të rritet, pasi këtë muaj do të arrijnë sasi të mjaftueshme të vaksinave.

Deri të enjten pasdite, në Kosovë janë dhënë mbi 875.000 vaksina kundër koronavirusit. Mbi 296 mijë qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.

Qeveria e Kosovës ka objektiv vaksinimin e 60 për qind të popullsisë derinë fund të vitit.

(r.m.)