S’ka drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë, 18 janar 2022 – Për më shumë se dy vjet, Shyrete Tahiri Sulimani nuk ka asnjë informacion për rastin e saj si viktimë e dhunës seksuale në luftë.

Ajo thotë se është përdhunuar nga forcat serbe në Kosovë, në vitin 1999.

Njëzet vjet më vonë, në tetor të 2019-ës, ka ngritur kallëzim penal për rastin në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Edhe pse kanë kaluar mbi 27 muaj që nga ajo kohë, Tahiri Sulimani thotë se nuk ka asnjë lajm se si janë duke shkuar gjërat në Prokurori.

“Nuk ka ndodhur asgjë. Nuk ka lëvizur asnjë milimetër”.

Shyrete Tahiri Sulimani është gruaja e dytë në Kosovë, pas Vasfije Krasniqit, që ka folur publikisht për përjetimet e dhunës seksuale në luftë.

Ajo thotë se ka ofruar dëshmi dhe fakte para prokurorëve, porse gjërat nuk janë duke shkuar përpara – nuk ka asnjë lajm dhe nuk është kontaktuar nga askush.

“Drejtësia për mua është lirim i shpirtit tim nga një ëndërr e tmerrshme. Më keq se të presësh nuk ka, më besoni”.

“Ne jemi duke pritur që sa e sa kohë… një orë është shumë, një ditë është shumë, e lëre më që sa vite. Nuk ka drejtësi. Është e tmerrshme”, thotë Tahiri Sulimani për Radion Evropa e Lirë.

Ajo është njëra në mesin e mbi 20,000 personave që besohet se janë përdhunuar nga forcat serbe në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Prej tyre, 1,048 veta kanë marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, bazuar në një ligj të miratuar në vitin 2014.

Aplikimet e viktimave janë tani pjesë e Prokurorisë shtetërore dhe secili rast është dëshmi shtesë.

Në shumë aplikime thuhet se figurojnë emra dhe mbiemra të dhunuesve të dyshuar, por organizatat joqeveritare thonë se ndjekja e tyre është shumë e ngadalshme.

Në më shumë se dy dekada pas luftës, autoritetet në Kosovë kanë dënuar vetëm një person për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiq, është dënuar në korrik të vitit 2021 me dhjetë vjet burgim.

Me krimet e kohës së luftës në Kosovë merren katër prokurorë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë, gjegjësisht Departamenti për krime lufte në prokurori, duhet të jetë më aktiv në mbledhjen e provave dhe përgatitjen e aktakuzave për krime.

Muhamet Musaj, nga kjo qendër, thotë për Radion Evropa e Lirë se arritja e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale “është jetike”.

“Mos të harrojmë se çdo ditë që kalon, e vështirëson procesin, dhe kjo për faktin se kanë kaluar shumë vite dhe viktimat mund të mos e kujtojnë ndodhinë, e në rastin më të keq mund edhe mos të jenë më në mesin tonë. Dhe, kur kësaj i shtojmë edhe ngadalësinë e veprimit të organeve të drejtësisë, atëherë gjithçka bëhet më e vështirë”, thotë Musaj.

Ish-kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, Minire Begaj-Balaj, tani anëtare e komisionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se dokumentet e disa viktimave të dhunës seksuale nxjerrin emra e mbiemra të dhunuesve, për të cilët është njoftuar edhe Prokuroria Speciale.

Sipas saj, Prokuroria Speciale posedon dokumente që janë dorëzuar në pajtim me të dhunuarën apo të dhunuarin, në mënyrë që “të mundësohet gjetja dhe dënimi i kryesit të dhunës”.

“Kosova ka çka punon karshi këtij procesi. Kosova duhet të ndihmojë edhe procese të tjera, po flas për sistemin e drejtësisë. Ne po shohim që deri tash kemi vetëm një të dënuar për të gjitha këto raste”, thotë Begaj-Balaj.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka në proces mbi 1,250 raste të krimeve të luftës, përfshirë raste të dhunës seksuale.

Misioni evropian i EULEX-it – përgjegjës për sundimin e ligjit – ka përfunduar procesin e dorëzimit të dosjeve tek autoritetet e Kosovës në janar të vitit 2019.

Atëbotë, EULEX-i ka dorëzuar 434 dosje policore të krimeve të luftës.

Në Prokurorinë Speciale thonë se trajtimi i lëndëve bëhet “me përkushtim”.

“Është fuqizuar Departamenti me prokurorë dhe staf mbështetës (shtimi i numrit të prokurorëve nga 3 në 4, ndërsa i stafit mbështetës nga 6 në 9); formimi i task-forcës PSRK – Polici, ku është bërë harmonizimi i rasteve në mes të këtyre dy institucioneve, si dhe caktimi i pesë hetuesve për secilin prokuror të krimeve të luftës, ku njëri është koordinator (gjithsej 20 hetues); ndarja e lëndëve sipas regjioneve dhe përcaktimi i prokurorëve për regjione. Tani në punë kemi gjithsej 1,256 raste, përfshirë të gjitha regjistrat e lëndëve”, thuhet në një deklaratë nga Zyra e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë thonë se janë duke punuar brenda mandatit dhe kompetencave, për të mundësuar që sa më shumë raste të dhunës seksuale gjatë luftës, të gjykohen, dhe kryesit e krimit të tillë të dënohen.

Valëza Sadriu, këshilltare politike e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se Ministria e Drejtësisë i ka bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin e Procedurës Penale, që mundësojnë gjykimin në mungesë për krimet e luftës.

“…megjithatë, dënimi i kryesve të krimit të dhunës seksuale gjatë luftës mbetet një sfidë për sistemin e drejtësisë në vend, marrë parasysh vendndodhjen e kryerësve të këtij krimi në Serbi dhe mungesën e bashkëpunimit nga institucionet e këtij vendi”, thotë Sadriu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, Ministria e Drejtësisë pritet që këtë vit të hartojë projektligjin për Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, me qëllim të mbledhjes së të dhënave dhe fakteve për krimet e kryera.

Qysh në vitin 2018, kur edhe ka nisur punën Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale të luftës, 1,618 persona kanë aplikuar për statusin e tillë, i cili i siguron viktimës edhe një pension prej 230 eurosh në muaj.

Statusi u është konfirmuar 1,048 personave; 224 aplikime janë refuzuar dhe 304 raste pritet të shqyrtohen.

Me ligjin në Kosovë, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi që i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit në periudhën 27 shkurt,1998 – 20 qershor, 1999.

“Kurrë askush nuk mund ta dijë se si e ndjen veten viktima, pos ajo që e përjeton vetë”, thotë Shyrete Tahiri Sulimani.

(Arton Konushevci, REL)

Comment

*