Skadimi i green card-ës, natyralizimi dhe udhëtimet

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesit

Kam green card prej shumë vitesh dhe kam aplikuar për nënshtetësi amerikane. Kam shumë kohë që pres dhe sapo më ka skaduar green card-a. Më duhet të shkoj në Europë për arsye personale, por nuk kam pasaportë amerikane. Si mund të udhëtoj?

RD

Las Vegas, NV

Mund të udhëtoni nëse green card-a ka skaduar, por duhen kryer më parë disa gjëra.

Green Card-at:

Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së pajis me green card-a ata persona që nuk janë nënshtetas, por që janë pranuar në SHBA si banorë të ligjshëm të përhershëm. Green card-a u jepet në mënyrë që të mund të provojnë statusin në fjalë (LPR). Personat me status LPR, 18 vjeç e lart duhet ta mbajnë green card-ën me vete si dëshmi të statusit të tyre.

Zëvendësimi i green card-ës me një të re:

Për të zëvendësuar green card-ën, duhet të paraqisni formularin I-90, Application to Replace Permanent Resident Card, qoftë online qoftë nëpërmjet postës së zakonshme.

Nëse keni statusin e rezidentit të ligjshëm të përhershëm, duhet të zëvendësoni green card-ën në rast se:

  • Ju ka skaduar green card-a ose do t’ju skadojë brenda gjashtë muajve të ardhshëm; 
  • Ju kanë vjedhur green card-ën e mëparshme, ju ka humbur apo ju është dëmtuar; 
  • E keni marrë green card-ën përpara se të mbushnit 14 vjeç dhe tashmë keni mbushur moshën 14 vjeç (përveçse kur karta ju skadon përpara se të mbushni 16 vjeç); 
  • Keni shkuar e keni ardhur dhe tani po vendoseni me banim në Shtetet e Bashkuara; 
  • Keni qenë rezident i ligjshëm i përhershëm me banim në SHBA dhe tani do të filloni të shkoni dhe të vini; 
  • Statusi ju është konvertuar automatikisht në status rezidenti të përhershëm të ligjshëm (këtu futen aplikantët që janë punonjës bujqësie të veçantë që konvertuan statusin e mëparshëm në status rezidenti të përhershëm); 
  • Keni një version të hershëm të kartës së regjistrimit si i huaj (për shembull, formularin AR-3, formularin AR-103 apo formularin I-151, që nuk vlejnë më si dokumente që dëshmojnë statusin që keni) dhe ajo duhet zëvendësuar me green card
  • Karta që keni përmban informacion që nuk është i saktë; 
  • Që nga koha kur u pajisët me kartë, keni ndryshuar ligjërisht emrin apo ndonjë informacion tjetër biografik që gjendet në kartë; ose  
  • Nuk e keni marrë kartën që ju është lëshuar nga emigracioni.

Nëse karta ju ka skaduar ndërkohë që ishit në pritje për të marrë nënshtetësinë:  

USCIS-i mund të zgjasë automatikisht afatin e vlefshmërisë së green card-ës (Formulari I-551) përmes dokumentit (receipt notice) që njofton marrjen nga ana e USCIS-it të Aplikimit për Natyralizim (Formulari N-400), pavarësisht nëse aplikanti ka paraqitur ose jo një aplikim për të zëvendësuar Kartën e Rezidentit të Përhershëm (Formulari I-90 ).

Më parë, aplikantët për natyralizim, të cilëve u kishte skaduar green card-a, duhet të paraqisnin formularin I-90 ose të aplikonin për natyralizim të paktën gjashtë (6) muaj përpara se t’u skadonte green card-a për të marrë një vulë në pasaportë ( Vula ADIT – Alien Documentation, Identification and Telecommunication) e cila shërbente si provë e statusit të tyre si LPR. 

Vula ADIT lëshohet nga USCIS-i dhe luan rolin e një green card-e të përkohshme (I-551) dhe përmban shenjat e gishtërinjve, informacionin përkatës, foton dhe datën e skadimit në SHBA. Kjo vulë ADIT ju lejon të udhëtoni, të punoni si dhe të aplikoni për numër të sigurimeve shoqërore, patentë shoferi, shërbime sociale si dhe shërbime të tjera. Vula u lëshohet LPR-ve të cilët janë jo-nënshtetas dhe u është dhënë leja të jetojnë përgjithmonë në SHBA. Mund të vihet në një pasaportë ose në formularin I-94. E njohur gjithashtu si vula I-551, ajo mund të merret nëse ju humbet green card-a, nëse ju është vjedhur, ose nëse nuk ju ka ardhur ndonjëherë.

Për shembull, kur LPR-të udhëtojnë jashtë vendit dhe kthehen në SHBA, ata duhet të tregojnë pasaportën dhe green card-ën për verifikim në kufi, aeroport ose çdo pikë hyrjeje në vend. Për të udhëtuar, nevojitet një pasaportë e vlefshme dhe LPR-të duhet të jenë në gjendje të tregojnë dëshmi të statusit të tyre të vlefshëm në mënyrë që të mund të udhëtojnë me pasaportat që kanë. Megjithatë, nëse një LPR nuk ka green card, atij ose asaj i duhet një vulë ADIT në pasaportë ose në formularin I-94 për ta paraqitur si dëshmi të statusit aktual.

USCIS-i po e përditëson përmbajtjen e dokumentit, Notice of Action (formulari I-797), që lëshohet kur dikush ka paraqitur formularin N-400, në mënyrë që të mund të përfshijë aty dhe shtyrjen në mënyrë automatike të vlefshmërisë së green card-ës edhe për 24 muaj të tjerë nga data e skadimit që tregohet në kartë si dhe po përditëson edhe rregulloren përkatëse. Sipas USCIS-it, një politikë e tillë i hap rrugën mundësisë për të qenë më fleksibël dhe më efikasë, pasi zbatimi i saj sjell zvogëlim të numrit të aplikimeve I-90, të numrit të kërkesave që bëhen lidhur me ecuritë e çështjeve, diçka kjo që çon në një përqendrim të vëmendjes dhe burimeve të punës tek çështje të tjera të paraqitura pranë emigracionit. Paraqitja e letrës njoftuese të lartpërmendur (mbi marrjen e formularit N-400) së bashku me green card-ën që ka skaduar mjafton për të dëshmuar vlefshmërinë e statusit si LPR si dhe si shërben si dokument identifikimi dhe leje pune dokumente këto të  Listës A të formularit verifikues të kualifikimit për punësim I-9 (Employment Eligibility Verification). Diçka e tillë ka hyrë në fuqi më 12 dhjetor, 2022 dhe vlen për të gjithë aplikimet e paraqitura më ose pas datës 12 dhjetor, 2022. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]