Skandal i madh në Shqipëri. Rrjedhin në publik pagat e 637,183 qytetarëve

Tiranë, 22 dhjetor 2021 – Një tjetër skandal ka ndodhur me publikimin e të dhënave personale të qindra mijërave qytetarëve.

Në media qarkullon një dokument I cili mban emrat e mbi 637 mijë personave, të punësuar në sektorin privat dhe atë shtetëror. Në këtë tabelë, tregohet emri dhe mbiemri i qytetarëve, numri i kartës së identitetit, vendi ku ata punojnë dhe paga e tyre e deklaruar pranë Sigurimeve Shoqërore.

Ajo që e rëndon situatën është se në listë janë deklaruar një pjesë e mirë e pagave të punonjësve te shërbimit informative shtetëror, zyrtarëve të policisë, apo nëpunësve të institucioneve në të gjitha nivelet.

Bashkë më këta janë edhe persona drejtues në kompanitë private, madje edhe të shtetasve të huaj që punojnë në Shqipëri.

Publikimi i këtyre të dhënave sensitive bëri që Prokuroria e Tiranës të nisë menjëherë hetimet për Drejtorinë e Tatimeve dhe Sigurimet Shoqërore nga ku dyshohet se mund të ketë rrjedhur informacioni.

Hetimet nuk përjashtojnë as mundësinë që të jetë ndërhyrë nga jashtë në serverat e këtyre dy institucioneve, servera të cilat janë sekuestruar. Tashmë pritet që organi i akuzës të kontaktojë me ekspertë të fushës për të zbardhur këtë skandal.

Lista e pagave, një dokument në formatin “excel” tashmë është përhapur në rrjetet sociale dhe aplikacione të tjera duke kryer një shkelje të rëndë të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.

Të mërkurën, Prokuroria e Tiranës tha se ka nisur verifikimet, pasi ka marrë një referim mbi rrjedhjen e të dhënave të të punësuarve në Shqipëri, së bashku me databazën përkatëse.

“Ka filluar verifikimi i materialeve të referuara,” tha drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Ky skandal i rëndë me të dhënat personale të qytetarëve vjen pas skandalit të “patronazhistëve”, kur një databazë me të dhëna personale të qytetarëve shqiptarë përdorej nga Partia Socialiste për qëllime elektorale.

Të dhënat e databazës që rodhën në media në muaji prill tregonin se përpara zgjedhjeve Partia Socialiste e kishte krijuar një “ushtri” me mbi 9 mijë “patronazhistë” në Tiranë, të cilët i përdornin të dhënat personale dhe kontaktet e qytetarëve të Tiranës.

(Visionplus.tv)

Comment

*