Skandali i Pagave, Prokuroria regjistron procedim penal për tri akuza

Tiranë, 24 dhjetor 2021 – Një ditë pas publikimit në medie të pagave të qytetarëve shqiptarë, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal ndaj përgjegjësve për rrjedhjen e të dhënave personale dhe informacioneve sensitive.

Prokuria e Tiranës ka urdhëruar administratorin ose kontrolluesin e të dhënave kompjuterike të Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit që të dorëzojë të dhënat kompjuterike, të memorizojë në sistemin kompjuterik të të gjitha logove që kanë loguar në sistemin e të dhënave për pagat Janar 2021’.

“Panorama” mëson se Prokuroria ka dërguar 3 oficerë të grupin hetimor në institucionet AKSHI-t, ISSH-së dhe në Drejtorinë e Tatimeve. Prokuroria po kryen hetime për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.

Burimet thanë se, nga të dhënat e deritanishme, dyshohet të jenë kryer rreth 640 mijë veprime për afro 3 muaj, përmes dokumentit të listës së pagave.

PROKURORIA

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar kryesisht procedim penal nr.9427/2021 dhe po zhvillohen hetime, pasi dyshohet se janë konsumuar elementë të veprës penale të ‘Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike’, ‘Ndërhyrje në sistemet kompjuterike’, si dhe ‘Shpërdorim detyre’, parashikuar në nenin 293/b, 293/c dhe 248 të Kodit Penal.

Në lidhje me këtë material hetimor ka dyshime të arsyeshme se mund të kemi dëmtime të rënda të hetimeve. Për sa më sipër, duke u mbështetur në nenin 191, pika 3 (Marrja e dokumenteve, dokumentet që përbëjnë provë materiale duhet të merren cilido qoftë personi që i ka krijuar ose që i mban), të Kodit të Procedurës Penale, urdhëroj: Mbajtësin (administratorin) ose kontrolluesi i të dhënave kompjuterike të Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit, të dorëzojë të dhënat kompjuterike, të memorizojë në sistemin kompjuterik e konkretisht të të gjitha logove që kanë loguar në sistemin e të dhënave për pagat Janar 2021; Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet OPGJ L.A., S.M., si dhe S.N., të cilët do të përpilojnë procesverbalin përkatës lidhur me këtë provë materiale dhe ta administrojnë një kopje të tij në fashikullin e hetimit; Të njoftojë me këtë vendim personat e interesuar, të cilët kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, brenda afatit ligjor të marrjes dijeni”, thuhet në urdhrin e prokurorit.

HETIMET

Hetimet për skandalin e rrjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve po vijojnë prej dy ditësh në Prokurorinë e Tiranës, ku është ngritur grupi hetimor, fillimisht për gjetjen e burimit të nxjerrjes së informacioneve sekrete. Burimet thanë dje se është identifikuar një person, i punësuar në Drejtorinë e Tatimeve, që pritet të merret në pyetje.

Nga analiza paraprake e dokumentit “Excel”, të shpërndarë në forma të ndryshme nëpërmjet aplikacioneve, rezulton një “user” me emrin e Moza Seraj (Mimoza Seraj).

Deri tani rezulton se zonja në fjalë është krijuesi i këtij “file”-i, por nuk mund të flitet ende, nëse është përgjegjëse e drejtpërdrejtë e ndonjë prej veprave penale, për të cilat është regjistruar procedimi penal. Burimet thanë se nga veprimet paraprake hetimore, rezulton se lista me mbi 630 mijë emra qytetarësh, është “vjedhur” në mënyrë manuale dhe nuk kemi të bëjmë me një sulm kibernetik.

Lista me emrat, numrat e kartave ID, pagat, pozicionin e punës dhe të dhënat të tjera është marrë me “Excel” nga persona që kanë pasur lidhje pune me këto të dhëna. Këta persona e kanë shpërndarë përmes “WhatsApp”-it, kështuqë lista ka përfunduar në duart e qindra personave.

(Panorama.al)