Skandali me rrogat: Prokuroria sekuestron serverin e AKSHI-t, Tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve

Tiranë, 23 dhjetor 2021 – Pas publikimit të databazës me të dhënat personale dhe pagesat e qindra mijëra qytetarëve, Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e serverave të disa institucioneve, nga ku dyshohet se kanë dalë këto informacione.

Sipas News24, nën sekuestro janë vendosur serverat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit, drejtorisë së Tatimeve si dhe atë të Institutit të Sigurimeve.

Organi i akuzës ka ndërmarrë këtë masë me qëllim që të mos ndërhyet në këto servera dhe të bëhen ndryshime.

Ditën e djeshme dhe të sotme janë publikuar dy databaza që përmbajnë të dhënat e mbi 600 mijë qytetarëve duke filluar nga të dhënat personale, tek vendet e punës dhe pagesat që marrin në subjektet private ose shtetërore.

Kjo situatë ka sjellë një sërë reagimesh nga institucione të ndryshme dhe politikës. Kryeministri Edi Rama, në një konferencë ditën e sotme për gazetarët shprehet se rrjedhja e këtij informacioni duhet të hetohet nga organet kompetente, teksa nuk e përjashton edhe mundësinë se pas databazës, qëndron “një dorë në kërkim të konfuzionit dhe të destabilizimit në sensin e pasigurisë publike”.

(Panorama.al)