Skena artistike dhe skena politike

Sadik Elshani

Nga Sadik Elshani

Të gjithë fjalorët skenën e përshkruajnë si një pjesë të ngritur ku luajnë aktorët a vallëtarët, ku këndojnë këngëtarët; tërësinë e dekoreve që paraqesin vendin ku zhvillohet veprimi i një pjese teatrore. Por, njëri ndër kuptimet tjera të kësaj fjale është: tërësia e kushteve dhe rrethanave në të cilat zhvillohen ngjarjet politike, shoqërore, artisike, etj. Duke parë artistët, sportistët, shkencëtarët tanë që po shkëlqejnë në lëmitë e tyre përkatëse në të gjitha skenat e botës dhe kur këta i krahasojmë me politikanët tanë, pra, skenën artistike me skenën politike vërehet një dallim (kontrst) i madh, që më ngacmon, më nxit që të bëj një paralele në mes të të dyjave.

 

Skena artistike

Artistët, sportistët, shkencëtarët për të arritur suksese në lëmitë e tyre përkatëse, pikësëpari duhet të jenë të talentuar, të studiojnë e të punojnë shume. Arti nuk e duron mediokritetin. Edhe këngëtarët, instrumentistët me famë botërore ushtrojnë cdo ditë me orë të tëra, për të qëndruar gjithnjë në nivelin e tyre të lartrë artistik. E njejta gjë vlen edhe për sportistët dhe gjithë të tjerët në lëmi të ndryshme, ku konkurenca është e madhe dhe ku mbizotëron shpirti garues. Për një artist, vlerat, cilësia e lartë artistike, respekti për artin e publikun janë mishërim i punës së tyre. Prandaj, pjesa dërmuese e artistëve, sidomos këngëtarët e operave, tërhiqen nga skena në kulmin e pjekurisë, karrierës së tyre artistike, seppse ata duan që të mbeten në kujtesën e publikut, në faqet e historisë së artit si yje që gjithmonë shkëlqejnë dhe jo si hije të zbehura. Dashuria për artin, publikun, dinjiteti i tyre nuk e duron që dikush t’i tërheqë ata nga skena. Për artistët është shumë e rëndësishme të disnë si të qëndrosjnë në skenë, por edhe më e rëndësishmë është të disnë kur të dalin, të tërhiqesn nga skena me respekt e dinjitet. Por, edhe pse largohen nga jeta aktive në skenë, ata e japin ndihmesën e tyre në shërbim të artit në forma të ndryshme: punojnë si pedagogë, ndihmojnë talentët e rinj, organizojnë gara, festivale, marrin pjesë në koncerte bamirësie, etj.

 

Skena – klasa politike

Skena – klasa politike është pak më ndryshe. Në skenën politike të rrallë janë ata njerëz që janë të ndershëm, të përkushtuar, të nxitur për të bërë mirë, për të sjell ndryshime pozitive në jetën e vendit, qytetarit, merren me çështjet madhore të kombit tonë. Përkundrazi, në skenën politike mbizotëron mediokriteti, injoranca, intrigat, mashtrimet, korrupsioni… Skena jonë politike, për fat të keq, është mjaft e shëmtuar – vetëm shikoji seancat (skenat) e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Skena politike ka nevojë për aktorë (kupto politikanë) të talentuar, të zotë, të brumosur me ndjenjat e atdhedashurisë, sepse në këtë skenë luhen dramat e vërteta jetësore nga të cilat varen fatet e atdheut, drama që nëse nuk drejtohen si duhet, përfundojnë me rrjedhoja tragjike. Politikanët tanë nuk dinë si të sillen në skenë, por ajo që është edhe më e keqe, ata nuk dinë se si e kur duhet të largohen nga skena. Në sistemet e kaluara mbizotëronte sistemi njëpartiak – partia shtet. Sot në pluralizëm kemi shumë parti, por shumica e tyre kontrollohen nga një njeri, apo një grup i ngushtë klanor. Pra, në këtë drejtim gjërat nuk kanë ndryshuar shumë, nuk kemi bërë ndonjë përparim të dukshëm. Politikanët tanë janë të lidhur shumë për kolltuqet e tyre, madje nuk largohen nga skena as kur dështojnë, i humbin zgjedhjet dhe as kur ballafaqohen me probleme serioze shëndetësore. Shkurt, ata mendojnë se janë të pazëvendësueshëm. Respekt për përjashtimet e rralla! Partive tona politike kanë nevojë për një reformim rrënjësor; u mungon demokracia e brendshme. Të rregullohet me statut që asnjë person nuk mund të qëndrojë në krye të partisë më shumë se dy mandate. Partia të mos bëhet pronë private e askujt dhe burim i pasurimit të paligjshëm.

Politikanët, udhëheqësit tanë si dhe gjithë ne të tjerët me të drejtë mburremi me arritjet e aristëve, shkencëtarëve, sportistëve, afaristëve tanë të sukseshëm. Sidomos kur arrihen në gara të rëndësishme ndërkombëtare. Udhëheqësit tanë për ta organizojnë pritje, i përgëzojnë ata që po ia zbardhin fytyrën Kosovës. Po politikanët tanë a janë duke ia zbardhur fytyrën Kosovës? Jo, kurrsesi. Gjatë këtyre takimeve të reflektojnë edhe për rolin e tyre për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës, të marrin shembullin e tyre. Rezultatet e shkëlqyera arrihen me talent, përkushtim, këmbëngulje e punë të pandërpreë. Le të jenë këto vlera një pikëtakim, emërues i përbashkët për të gjithë. Skena politike të mësojë nga skena artistike. Të shpresojmë…

 

Philaelphia, më 11maj, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.