Skënderbeu, strumbullari i shqiptarizmit

20 - autori - Fuat Memelli

Fuat Memelli

Para pak ditësh, presidenti i shoqatës “Kombi” me qendër në Uster, Artur Vrekaj, na njoftoi për një veprimtari që do zhvillohej në këtë qytet, me rastin e 545 vjetroit të vdekjes së Skënderbeut dhe promovimit të librit në anglisht “Rrethimi i Shkodrës”.
Së bashku me dardharin Sotir Pani dhe gjirokastritin Kostandin Mosko, të kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve, u nisëm drejt Usterit. Ishte një ditë e ftohtë , e diela që kaloj, kur u zhvillua takimi , por kjo nuk i pengoi afro 100 shqiptarë, nga qytete të ndryshme të shtetit të Massachusetts, të mblidheshin në bibliotekën e Usterit, ku do zhvillohej veprimtaria. Ishte emri dhe vepra e pavdekëshme e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që i mblodhi në këtë takim. Prushi i shqiptarizmit, e ”shkriu” të ftotin e janarit. Pjesëmarrja në këtë tubim edhe e ish kongresistit amerikan , Joseph DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardi, ishte një arsye tjetër që i nxiti shqiptarët të mernin pjesë në këtë takim.

 

Çështja shqiptare – misioni im për jetën

Pas fjalës së mirseardhjes të presidentit të Shoqatës “Kombi”, Artur Vrekaj, e merr fjalën ish-kongresisti amerikan dhe kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardi. Me oratorinë e tij të veçantë, me dashurinë që fliste për Shqipërinë e Kosovën , me njohjen që kishte për historinë e Shqipërisë e të Skënderbeut, ai e elektrizoi sallën. Ndër të tjera, tha:”Unë nuk do të isha sot këtu, po të mos kisha njohur historinë e Skënderbeut. Është fat i madh që kohët e fundit është përkëthyer në anglisht , libri i Marlin Barletit ”Rrethimi i Shkodrës”. Unë jam mrekulluar me leximin e këtij libri. Është fatkeqësi ta kesh të varrosur historinë në gjuhën latine apo turqishten e vjetër. Me sa jam informuar, ka shumë libra të bukur në gjuhën shqipe por ato duhen përkëthyer në anglisht , që t’i njohë bota. Më pas DioGuardi u ndal në origjinën e tij arbëreshe , foli për gjyshen e tij e cila fliste shqip, për babain dhe shprehjen që përdorte ai ” Ne jemi gjaku i shprishur”, për fshatrat e shumtë arbëreshe që ka në Itali dhe mbiemrat shqiptarë që mbahen ende sot aty. Foli edhe për kuptimin e fjalës “Kalabri” që do të thotë “Kalaja arbëreshe”, etj. Një vend të veçantë në fjalën e tij zuri lobimi që ka bërë ai bashkë me ligën që drejton, për çështjen shqiptare. Ky lobim është bërë te miqtë amerikanë, te senatorë e kongresistë, deri edhe te presidentë amerikanë, për t’ju kundërvënë lobingjeve greke e sërbe , që janë kundër çështjes shqiptare. –Misioni im për jetën , është mbrojtja e çështjes shqiptare, theksoi ai. Kemi shumë ferra nëpër këmbë, prandaj duhet të jemi të bashkuar e të mos ndahemi nga fetë e ndryshme që kanë shqiptarët. Këtu në Amerikë, kisha është për Zotin e nuk ngatërohet me qeverinë. Kështu duhet të jetë feja edhe për shqiptarët. Ai mbylli fjalën e tij, duke thënë në shqip, shprehjet tona të njohura:” Gur , gur bëhet mur” dhe “Trimi i mirë, me shokë shumë”.
Rreth një orë vazhdoi fjala e ish kongresistit amerikan, por ajo nuk u ndie fare. Dhe , kjo ndodhi pasi ai kishte gjetur “çelsin” për të depërtuar në zemrat e të pranishmëve: çështjen shqiptare! E, si mirënjohje , mori disa herë duartrokitjet e zgjatura të tyre.
Plot pasion për çështjen shqiptare , foli edhe gruaja e tij , zonja Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare e e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe e mbrojtjes së çështjes shqiptare në Ballkan. Ajo foli për problemet aktuale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. U ndal edhe te gjëndja në luginën ë Preshevës si dhe problemin e Çamërisë. Çështjen shqiptare, ajo e ka pasqyruar edhe në disa media. Megjithëse me origjinë amerikane, ajo është si një shqiptare e vërtetë , ndaj ashtu si bashkëshorti i saj , gëzon një respekt të veçantë nga bashkombësit tanë kudo që janë.

 

Arbëreshët – përçuesit e parë të veprës së Skënderbeut në Amerikë

Shkrimtari dhe dhe historiani, Aristotel Mici, në ligjeratëm e tij, u ndal në shtegëtimin e armëve të Skënderbeut pas vdekjes së tij dhe largimi të gruas , Donikës e djalit Gjon Kastrioti, nga Shqipëria dhe vendosjes së tyre në Itali. Duke bërë një sërë hulumtimesh , ai tregoi shitjen e armëve në Itali pas vdekjes së Donikës e më pas shitjen në Austri e vendosjen e tyre në Muzeun e Armëve në Vjenë , ku ndodhen edhe sot.
Shkrimtarja dhe poetja, Raimonda Moisiu, kishte ardhur nga qyteti Hardford ku jeton , për të marrë pjesë në këtë veprimtari. Ndër të tjera në fjalën e saj, ajo theksoi se për Heroin tonë Kombëtar, janë shkruar vepra pa mbarim. Midis tyre veçoi librin “Historia e Skënderbeut” të Marlin Barletit, i cili është përkëthyer 98 herë . U ndal edhe te dy botimet për Skënderbeun , të bëra nga Fan Noli. Në mbarim të fjalës së saj, Raimonda i dhuroi zotit DioGuardi, librin e saj me titull ”Letrat shqip andej e këtej Atlantikut”, ku përfshihen 100 intervista.
Ish ushtaraku në pension, Kasëm Kaso, në ligjëratën e tij foli për stratëgjinë ushtarake të Skënderbeut , duke u ndalur në Kuvendin e Lezhës , ku mblodhi princat shqiptarë e u bëri thirje për bashkim, për t’ju kundërvënë mësymjeve turke, foli për organizimin e kavalerisë, goditjet e befasishme që i bënte ushtria e tij forcave turke, etj.
Kosovarja Rita Saliu, poete dhe veprimtare e palodhur e çështjes shqiptare, e cila jeton sa në Amerikë e sa në Kosovë, theksoi se për të ndërtuar më mirë të ardhmen , duhet të studiojmë të kaluarën , siç është edhe historia e Skënderbeut. Në mbrojtje të çështjes shqiptare, ne kemi një mik të madh, Amreikën, e cila u bë edhe vëndlindja jonë e dytë.
Një kosovar tjetër afrohet te mikrofoni. Është Imer Berisha, zëvëndës konsull i Kosovës në New York. I prekur nga takimi kushtuar heroit tonë Kombëtar, ai theksoi: “Skënderbeu është strumbullari i shqiptarizmit. Kohë më të mira do të vijnë për shqiptarët”, përfundoi ai.
Një kumtesë të veçantë mbajti në këtë takim , poetja dhe shkrimtarja Rozi Theohari. Jehona e veprës së Heroit tonë Kombëtar në Amerikë, ishte thelbi i diskutimit të saj. Arbëreshët, ishin të parët që e sollën jehonën e veprës Skënderbejane në Amerikë. Ata u ngulitën në fillim në fshatin Milford , afër Bostonit, në shekullin e 19-të. Krahas gjuhës, veshjeve e zakoneve , ata sollën këtu edhe emrin e Skënderbeut, me të cilin emërtuan toponimet, festat e tyre tradicionale, emrat e fëmijëve, etj.
Në fund të fjalës së saj , ajo i dhuroi çiftit DioGuardi, librin e saj me titull ”Jehona Skënderbejane” si dhe një lule të quajtur Barbarose, ose Idërsha apo lule Livando , siç thiret në Shqipëri. Ajo i tregoi çiftit në fjalë se kjo lule është sjellë në Amerikë para 100 vjetësh, nga një gruaje shqiptare, me origjinë nga rrethi i Përmetit. Kjo dhuratë e thjeshtë por mjaft simbolike, preku jo vetëm çiftin DioGuardi por gjithë pjesëmarrësit.
Para mbylljes së takimit, kryetari i shoqatës “Kombi”, Artur Vrekaj, vlerësoi çiftin DioGuardi, me një dëshmi Mirënjohje me motivacionin :”Për mbështetjen dhe ndihmën në vazhdimësi, të të drejtave njerëzore dhe çështjes kombëtare shqiptare”. Në fund, pjesëmarrësit bënë foto në grupe si dhe foto të veçanta me çiftin DioGuardi. Deshën t’i kenë si kujtim këta miq të shquar të shqiptarëve. Por, më shumë se në fotografi, ata do t’a rruajnë kujtimin me ‘ta, në mëndjet dhe zemrat e tyre, pasi shqiptarët nuk i harrojnë miqtë e çmuar.
Në mbyllje të këtyre rradhëve , desha të shtoj se ky takim i bukur, nuk u “shijua”si duhet nga të gjithë pjesëmarrësit. E kam fjalën për një grup të moshuarish, të cilët nuk dinin anglisht dhe nuk kuptuan dot fjalët e Joseph DioGuardit e bashkëshortes së tij . Ka ndodhur edhe herë të tjera në shtetin e Massachussetts, që në disa veprimtari, është folur veç anglisht, duke e privuar një pjesë të auditorit. Le të shpresojmë që herë të tjëra, nuk do të ndodhë kështu e, të mos prishet “gjella për një lugë kripë”.