Sllovakia miraton traktatin për dhënien e dy bazave ajrore SHBA-së

Bratisllavë, 9 shkurt 2022 – Parlamenti i Sllovakisë të mërkurën ka miratuar një traktat për mbrojtje ushtarake me Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja për Bashkëpunim të Mbrojtjes kaloi me 79 vota për dhe 60 kundër.

Ky traktat do t’i lejojë ushtrisë amerikane që të përdorë dy baza ajrore – bazën Malacky-Kuchyna dhe Sliac – për dhjetë vjet në Sllovaki, shtet anëtar të NATO-s. Si shpërblim Sllovakia do të marrë 100 milionë dollarë nga SHBA-ja, me qëllim të modernizimit të bazave.

Marrëveshja u nënshkrua nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Mbrojtjes së Sllovakisë, Jaroslav Nad, më 3 shkurt në Uashington. Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet edhe nga presidentja Zuzana Caputova, e cila e mbështet traktatin.

Votimi për këtë traktat ndodh në kohën e rritjes së frikës se Rusia po planifikon ta pushtojë Ukrainën. Moska ka vendosur mbi 100,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës, por insiston se nuk po planifikon ndonjë sulm. Sllovakia gjendet në kufi me Ukrainën.

Traktati është mbështetur nga Qeveria e kryeministrit Eduard Heger, i cili ka thënë se do ta “rrisë sigurinë tonë në mënyrë të konsiderueshme”. Por, marrëveshja është kundërshtuar fuqishëm nga opozita, që ka argumentuar se ajo komprometon sovranitetin e shtetit, duke bërë që prezenca e trupave ushtarake në territorin sllovak të jetë e përhershme. Po ashtu, opozita ka thënë se traktati mund të mundësojë edhe dislokimin e armëve bërthamore në Sllovaki.

Qeveritë në Sllovaki dhe SHBA kanë hedhur poshtë këto akuza.

“Asgjë në marrëveshjen e sotme nuk krijon bazë të përhershme për SHBA-në apo për prezencë të përhershme të trupave amerikane në Sllovaki dhe marrëveshja respekton plotësisht sovranitetin dhe ligjet sllovake”, ka deklaruar sekretari Blinken gjatë ceremonisë së nënshkrimit të traktatit.

Mijëra qytetarë protestuan të martën para Parlamentit kur deputetët sllovakë nisën diskutimet për këtë temë.

Protesta bashkoi opozitën sllovake, përfshirë partinë e ekstremit të djathtë, Partia Popullore për Sllovakinë Tonë dhe partinë e majtë, Partinë Socialdemokrate të ish-kryeministrit, Robert Fico.

SHBA-ja ka arritur marrëveshje të ngjashme me 23 shtete të tjera të NATO-s, përfshirë Poloninë dhe Hungarinë, që janë dy shtete fqinje të Ukrainës në krahun lindor të aleancës ushtarake.

Sipas marrëveshjes, çdo dislokim i trupave amerikane duhet të miratohet nga Qeveria dhe Parlamenti i Sllovakisë.

(REL)

Comment

*