Sllovenia do të organizojë një samit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Lubjanë, 26 maj 2021 – Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha,  paralajmëroi se vendi i tij do ta kthejë fokusin nga procesi i zgjerimit dhe nga Ballkani Perëndimor,raporton REL.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, Jansha tha se gjatë kryesimit të Sllovenisë do të zhvillohet edhe një samit i veçantë mes BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai tha se ky samit planifikohet të zhvillohet në Slloveni, më 6 tetor,

Jansha tha se zgjerimi iBashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi strategjike për BE-në, sidomos duke pasur parasysh se ka edhe faktorë të tjerë që tentojnë të kenë ndikim në këtë rajon.

I pyetur rreth ideve për ndryshimin e kufijve në Ballkan, kryeministri slloven tha se “përgjigja më e mirë ndaj çështjes së kufijve është perspektiva e anëtarësimit në BE”, që, sipas tij, e bën çështjen e kufijve më pak të rëndësishme.

Jansha ishte në krye të Qeverisë së Sllovenisë edhe në vitin 2008, kur ky shtet për herë të parë kishte marrë kryesimin e BE-së. Ai tha se që nga zgjerimi i madh i BE-së, kur shteti i tij u bë anëtar i bllokut evropian, e deri më sot, vetëm një shtet ka arritur të integrohet në BE (Kroacia, më 2013) dhe kjo dëshmon se zgjerimi është në fund të prioriteteve të BE-së. Jansha tha se Sllovenia dëshiron ta ndryshojë këtë gjë gjatë gjashtë muajve të kryesimit të Këshillit të BE-së.

Jansha tha se Sllovenia mbështet edhe zgjerimin e zonës së Shengenit, apo zonës së lëvizjes së lirë, pa viza. Në këtë drejtim ai tha se mbështet edhe anëtarësimin e Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë në Shengen. Ai tha se kjo do ta rrisë sigurinë e BE-së.

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar një takim mes kryetarëve të grupeve punuese të Parlamentit Evropian dhe Qeverisë së Sllovenisë rreth përgatitjeve për presidencën sllovene të BE-së.

Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, tha se Parlamenti do të mbështesë Slloveninë në realizimin e prioriteteve të saj gjatë gjashtë muajve që ajo do ts kryesojë BE-në.

(REL)