Sofra gjithëshqiptare e ndërrimit të viteve në Chicago

Ku tepelenasi trokiste gotën me raki rushi me gjakovarët dhe vallen pogonishte e hiqte një prishtinali

 

Nga Gezim Muhaj

Nata e ndërrimit të viteve edhe në Chicago u festua mes miqsh dhe shokësh bashkatdhetarë në komunitetin shqiptaro amerikan në Illinois. Ky ishte i pesti organizim për këtë natë që grupi “Ilirët Productions” organizon me këtë rast. Sigurisht mbështetja e kryesisë së komunitetit shqiptar, xhamisë apo kishës ortodokse në Chicago si dhe ndihma shumë e vyer e radios “Zëri i shqiptarëve” me drejtues zotin Riza Milla bëri që ky event të kishte sukses si në mënyrën e organizimit ashtu edhe në pjesëmarrjen e 500 personave të pranishëm në Regency Inn Banquets ne Chicago.

Duhet ta themi qysh në fillim sikurse edhe vetë titulli i këtij raporti nga Chicago, aty u mblodh Shqipëria etnike në diaspore. Vetëm aty tingëllon motoja: “o sa mirë me qenë shqiptar”, apo refreni i këngës, “Xhamadani vija vija”, e kënduar me shumë mjeshtëri nga Antigona Rustolli dhe e shoqëruar në kor nga të gjithë të pranishmit.

Nuk dua të bëj analizën e asaj që ka kohë që ka ardhur dhe nuk po troket në kancelaritë e gjithë botës; Shqipëria e madhe, arsyet janë shumë, por të qendrojmë tek raporti ynë me bashkatdhetarët tanë në Chicago. Atë natë, të gjithë e ndjenë, atë ndjenjë të Shqipërisë sonë të madhe ku tepelenasi trokiste gotën me raki rushi me gjakovarët dhe vallen pogonishte e hiqte një prishtinali. Kulmi arriti kur ish valltari i Ansamblit “Myzeqeja” në Fier e kërceu më mirë se të gjithë të pranishmit Vallen e Shotës, por vetëm për pak pasi një ulqinak hoqi gjithë hir “Osman Taken” dhe çdo gjë u duk një Shqiperi e madhe , një Shqipëri e të tërëve në sallë.

Kënga dhe vallja të interpretuara me mjeshtëri nga banda muzikore “Ilirët” e Chicago-s si dhe përformanca e shkëlqyer e këngëtares kosovare Antigona Rustolli, pa lënë pas edhe performancën e Tanit të Korçës bëri shpejt efektin e vet, salla u elektrizua e tëra dhe ora po shkonte 12. Gjen kohen babagjyshi dhe hyn së bashku me disa fëmijë që kishin përgatitur një program me disa vjersha dhe këngë shqip apo anglisht për festat e fund vitit. Ndahen shpejt e shpejt dhuratat për të gjithë të panishmit në radhë të parë fëmijëve dhe duke hequr vallen e fundit babagjyshi del nga salla duke lënë pas një vit të mbushur me punë dhe suksese, për të gjithë të pranishmit, një vit të paharruar të pavarësisë të shtetit amë, një 100 vjetor dinjitoz, por edhe një 21 dhjetor të lakuar si ogurzi, por që me sa duket solli një erë të re; vitin e ri 2013, të shpresojmë në atë që do të arrijmë në këtë vit.

Ora po trokiste dhe d. j Mario filloi numurimin nga 10 në 1 së bashku në kor, me të gjithë të pranishmit, të cilët në duar mbanin gotat me shampanjë… dhe të gjithë në kor “Gëzuar vitin e ri 2013!” Po trokiste sekonda e parë e Vitit të Ri dhe stafi kishte përgatitur fituesit e parë. Një satelit me një abonim për një vit falas e dhuruar nga TVAlb, një TV nga Albanian Kafe, apo dhurata të tjera sollën fatlumët e parë të vitit të ri 2013.

Emocione të mëdha solli prezantimi i një dhurate nga një ish mjeshtër sporti nga qyteti i Beratit. Ai quhet Bujar Kumani ish Mjeshtër i Merituar i Sportit në sportin e mundjes. mbajtës i një medalje të bronztë në përfaqësimin e Shqipërisë në një kampionat ballkanik. Dhurata e tij ishte vërtet simbolike por me një domethënje të madhe. Mesazhi i tij, që rinia duhet të merret me sport dhe aktivitet fizik, larg lojës rutinë në internet, apo “play station”, solli duartrokitje dhe emocione te të gjithë në sallë.

Muzika vazhdonte pa pushim dhe tavolinat plot me ushqim nuk i prekte njeri, vetëm valle, këngë. Lishte hyrë 2013, njerëzit e kishin stakuar trurin dhe ishin të gjithë në sheshin e vallëzimit, ashtu të kapur dorë për dor,e ku një kosovar, ku një çam, ku një ulqinak, ku një djale fierak. Sa bukur… E dija se çdo gjë do të kalonte sipas skenarit tim dhe njerëzia do të kënaqeshin dhe do të dëfrenin deri në orët e para të mëngjesit.

Edhe vendet i kisha regulluar sipas krahinave, por që do të shija njerëz të një gjuhe dhe të një kombi të ndarë padrejtësisht nga historia, që të kërcenin Pogonishten dhe Shotën të gjithë së bashku nuk e kasha menduar më parë. Kjo është Shqipëria ime e madhe –thashë me vehte, atë që nuk e bën politika e bën njerëzia e thjeshtë, e bën patriotizmi, duan apo nuk duan disa, e kërkon kombi bashkimin e bijëve të vet nën një çati… i urova të gjithë të pranishmit për vitin e ri dhe natën e parë të mirë të këtij viti, që më solli Shqipërinë time të madhe në një sofër, në sofrën gjithëshqiptare.

Gëzuar, nga mot gëzuar!

(Gëzim Muhaj është President i “Ilirët Productions” në Chicago)

Comment

*