Sot 11 vjet nga liberalizimi i vizave për Shqipërinë nga Bashkimi Europian

Kryetari i sotëm i Partisë Demokratike, vërejti se ky rrugëtim ka mbetur në vendnumëro me udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama

Knid Ndrenika

Ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha kujtoi këtë të mërkurë 11-vjerorin e vendimit të europianëve për t’i njohur shtetasve të Shqipërisë të drejtën e lëvizjes së lirë.

Zoti Basha tha se 15 dhjetori 2010 ishte hapi më i madh përpara në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

“Në 15 dhjetor 2010 ne demokratët përmbushëm një ëndërr për gjithë shqiptarët, lëvizjen pa viza në Europë me fluturimin e parë drejt Brukselit”-shkruan ai.

Por, kryetari i sotëm i Partisë Demokratike, vërejti se ky rrugëtim ka mbetur në vendnumëro me udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Të rinj dhe të vjetër që e gëzojnë këtë privilegj prej 11 vjetësh tashmë duhet ta dinë se ai fluturim përfaqëson arritjen më të madhe, hapin më të madh përpara në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian, i cili fatkeqësisht me Ramën ka ngecur në vend numëro”-vijon zoti Basha, ish-ministër i qeverisjes së kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha.

Sipas zotit Basha, në “këtë ditë të bukur fare pranë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të 18 dhjetorit, detyra jonë është të bashkohemi rreth vlerave më të mira të forcës tonë politike, ta lëmë pas të kaluarën për të zgjedhur të ardhmen që vetëm ne mund t’ia japim Shqipërisë”.