Sot blihet sërish energji, pasi OSHEE nuk siguroi një ditë më parë sasinë e duhur

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë zhvilloi një ditë më parë dy ankande për blerje të energjisë elektrike, por nuk arriti të sigurojë të gjithë sasinë e nevojshme për shkak të mungesës së energjisë në tregje por edhe si rrjedhojë e çmimit të lartë. Në kushte të tilla, OSHEE ka çelur sot një procedurë të re ku po tenton të blejë edhe pjesën e mbetur.”

Në dy akandet e së hënës u blenë vetëm 24 900 MWh energji nga 44 400 MWh që kërkonte OSHEE të siguronte për mbulimin e nevojave për periudhën 13 deri më 17 tetor.

Ashtu sikurse pritej, çmimi mesatar për blerjen e kësaj sasie ishte tepër i lartë prej 258.4 euro/MWh me një vlerë totale prej 6.4 milionë euro.

Ky është çmimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë në blerjen e energjisë në import, gati mbi pesë herë më i lartë se çmimi mesatar me të cilin është siguruar energjia një vit më parë nga OSHEE.

Me gjithë blerjen në dy lotet e procedurave të së hënës, OSHEE që prej qershorit kur ka nisur importin e energjisë e deri më 12 tetor ka shpenzuar në total 106 Milionë euro.

Një situatë e tillë ku OSHEE po has vështirësi të mëdha në sigurimin e energjisë për konsum dëshmon edhe një herë se vendi ndodhet në krizë energjetike, ku nëse pasojat nuk do t’i vuajnë konsumatorët e bizneset e vogla, me siguri barra do të bjerë mbi biznesin e madh.

Top Channel

Comment

*