Sot do të shembet pjesa e mbetur e ndërtesës në Florida

Majami, 4 korrik 2021 – Ekipet e specializuara do të rrëzojnë sot, e diel, pjesën e mbetur të ndërtesës në Surfsajd që u shemb javën e kaluar. Pjesa e mbetur është bërë burim shqetësimi se mund të shembet në çdo moment duke rrezikuar jetë, thanë zyrtarët të shtunën.

Me afrimin e stuhisë tropikale Elsa që po lëviz në zonën e Karaibeve, që pritet të arrijë në Florida brenda pak ditësh, Guvernatori Ron DeSantis tha se ndërtesa në Sërfsajd po “lëkundet” dhe “nuk është e sigurtë nga ana strukturore” prandaj duhet shembur si masë mbrojtëse.

“Nëse e rrëzojmë ndërtesën, do të mbrojmë sigurinë e ekipeve të kërkim-shpëtimit, sepse nuk i dihet çfarë mund të ndodhë,” tha zoti DeSantis në një konferencë për shtyp.

Numri i viktimave nga shembja e Kullës Jugore Champlain ka arritur tani në 24 vetë pasi u nxorën edhe dy trupa pa jetë të shtunën, bëri të ditur Kryebashkiakja e Majamit Daniella Levine Cava. 124 persona ende figurojnë të humbur.

Zyrtarët besojnë se mund ta shembin pjesën e mbetur të ndërtesës të dielën duke shkaktuar vetëm ndërprerje të shkurtër të operacioneve të kërkim-shpëtimit, tha guvernatori. Gjatë javës që po përfundon janë shtuar shqetësimet për shembjen e mundshme të strukturës së dëmtuar, gjë që do të vinte në rrezik jetët e atyre që punojnë për të kërkuar në rrënoja.

“Kemi frikë se stuhia Elsa do ta rrëzojë ndërtesën mbi kokat e njerëzve”, tha kryetari i bashkisë së qytezës Sërfsajd, Charles Burkett.

Pritet që stuhia të godasë Floridën të martën në mëngjes, por ka gjasa që të zhvendoset më në perëndim.

Zëvendës Shefi i Shërbimeve Zjarrfikëse, Raide Jadallah, u tha të afërmve që ende nuk dinë fatin e personave të pagjetur se shembja do të realizohet “sa më parë që të jetë e mundur. Nesër do ta fillojmë ditën me këtë veprim”.

Por ai paralajmëroi se mund të dalin të papritura dhe do të zhvillohet edhe një konsultim i ekipit për të finalizuar hapat.

Ka shpresa se pas shembjes, ekipet e kërkim-shpëtimit do të kenë qasje nën pjesën e garazhit që ofron mundësi më të mirë për të kontrolluar rrënojat dhe mund të fshehë ende të mbijetuar.

Askush nuk është nxjerrë gjallë nga rrënojat që me 24 qershor, pak orë pasi u shemb ndërtesa e banimit me 12 kate.

Ndërkaq, Guvernatori DeSantis ka shpallur gjendjen e emergjencës në Florida në përgatitje për stuhinë tropikale.

Ndërkaq, banorët e një kompleksi banimi në zonën e Majamit në Florida mblodhën me ngut zotërimet personale, të urdhëruar të evakuonin ndërtesën pasi rezultoi se nuk ishte e sigurtë.

 

Pas rrëzimit të kompleksit Kullat Jugore Champlain në qytezën Sërfsajd, një kompleks tjetër banimi, gjithashtu i vitit 1981, vetëm 8 km larg, u deklarua i rrezikshëm, bazuar në një raport të inxhinierëve në muajin janar.

Të premten pasdite autoritetet e rendit bllokuan qarkullimin në zonë dhe vajtën derë më derë për të njoftuar banorët të dilnin nga ndërtesa 49-vjeçare.

Kjo është ndërtesa e parë që boshatiset që kur autoritetet filluan të analizojnë komplekset e banimit në Floridën jugore pas shembjes së Kullave Jugore Champlain të cilat ishin deklaruar me probleme nga inxhinierët por nuk ishte bërë asgjë për të riparuar problemet.

Ndërkaq, autoritetet në Sërfsajd thanë se trupat e katër viktimave të tjera janë nxjerrë nga rrënojat, përfshirë vajzën 7 vjeçare të një zjarrfikësi. Deri tani janë konfirmuar 22 viktima.

Por pati edhe lajme të mirëpritura. Lista me 145 të humbur u reduktua në 126 vetë, pasi u vërejt se kishte përsëritje emrash.

Përpjekjet e kërkimit janë vështirësuar pasi gjashtë zjarrfikës që po punonin në rrënoja rezultuan të infektuar me koronavirus. Ekipi i tyre është përjashtuar nga operacionet.

Kryetarja e bashkisë së Majamit ka nënshkruar një urdhër emergjent për shembjen e pjesës së mbetur të ndërtesës, sapo urdhri të marrë edhe firmën e inxhinierëve. Ajo tha se e nënshkroi urdhrin që gjërat të lëvizin sa më parë sapo të përcaktohet data e shembjes.

Disa persona u nxorën gjallë pak orë pas shembjes së ndërtesës më 24 qershor. Që atëherë nuk janë gjetur persona të tjerë gjallë nën rrënoja.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*