Sot në Bruksel pritet të takohen delegacionet e Kosovës dhe Serbisë

Bruksel, 8 shtator 2021 – Sot, më 8 shtator, në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë.

Takimi zhvillohet kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që kehtësohet nga Bashkimi Evropian, me emisarin special të  Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak

Delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga zëvendës-kryeministri Besnik Bislimi, ndërsa delegacionit të Serbisë i prin drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Dy delegacionet zhvilluan të martën, më 7 shtator, takime të veçanta me z. Lajçak. Pas takimeve u raportua se palët nuk janë pajtuar as për temat që duhet të diskutohen në takimin e sotëm trepalësh.

Delegacioni i Kosovës, në takim me z. Lajçak, ka kërkuar që në takimin e sotëm të diskutohet për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midisdy shteteve, si edhe për çështjen e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe vizitat e zyrtartae në të dyja shtetet.

Ndërkaq, delegacioni i Serbisë ka kërkuar që të mos diskutohet për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse, por së pari të diskutohet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, si edhe për zbatimin e Marrëveshjes për fushën e Drejtësisë, marrëveshjen për vizitat zyrtare dhe për çështjen e të pagjeturve.

Sipas burimeve diplomatike, të dyja palët janë pajtuar që të takim të diskutohet për çështjen e të pagjeturve, por diskutimi për këtë temë është vënë në pikëpyetje, për shkak se pala kosovare nuk dëshiron të takohet me delegacionin e Serbisë, në qoftë se pjesë e tij do të jetë edhe Velko Odalloviq.

Qeveria e Kosovës ka thënë se Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë, prandaj ai duhet të merret në pyetje si i akuzuar për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Takimet e dy delegacioneve janë të rëndësishme për përgatitjen e takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në qoftë se gjithçka zhvillohet sipas parashikimeve të Brukselit, ky takim do të duhej të mbahej në fund të shtatorit.

Në takimin e fundit të Kurtit dhe Vuçiqit, më 19 korrik, nuk ishte bërë asnjë përparim në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

(r.m.)