Sot pritet vendimi i Tribunalit të Hagë për Stanishiqin dhe Simatoviqin

Hagë, 30 qershor 2021 – Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë do të shpallë sot vendimin për dy ish-shefa të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, të akuzuar për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.

Jovica Stanishiq, 70 vjeç, ish-shef i shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, 71 vjeç, përballen me burgim të përjetshëm.

Grupet paraushtarake të udhëhequra nga ta kanë përfshirë njësitë elitare, të quajtura “Beretat e Kuqe” dhe “Tigrat” e Arkanit.

Të dyja njësitë dyshohet se kanë vrarë qindra njerëz.

Gjykata në Hagë i ka liruar Stanishiqin dhe Simatoviqin nga akuzat për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në vitin 2013.

Por, pas protestave dhe apelit të prokurorëve, në vitin 2015, gjykatësit kanë urdhëruar rigjykim të rastit kundër tyre.

Rigjykimi ka nisur në vitin 2017.

Të dy të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, të tilla si: përndjekje, vrasje, dëbime dhe transferime me forcë.

Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili ka qenë ideator dhe urdhërdhënës i luftërave në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Millosheviq ishte duke u gjykuar në Hagë, por ai  kishte vdekur përpara se t’i shqiptohej dënimi, në vitin 2006.

(REL)

Comment

*