SPAK çon në gjyq 10 zyrtarë e ish-zyrtarë të MB për abuzim me tenderin 2.8 mld lekë të uniformave të policisë

Prokurorët e Posaçëm shpjeguan se hetimi tregoi se ishin kryer veprime të kundërligjshme nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme

Knid Ndrenika

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi se dorëzoi për gjykim çështjen kundër 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.

Të arrestuarit, përfshi ish-drejtoreshen e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, u hetuan me akuzën e abuzimit me tenderin e uniformave të policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë.

SPAK-u i dha me shkronjat nistore të emër-mbiemrit disa të hetuar dhe e paraqiti në datën 11 tetor 2021 kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.174/1 të vitit 2020.

Në njoftimin e SPAK-ut thuhet se akuza iu ngarkua të pandehurve E.N.; F.Ç.; A.B.; A.M.; A.O.; F.D.; K.H.; K.B.; M.B.; G.M., akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH)”-saktëson SPAK-u.

Prokurorët e Posaçëm shpjeguan se hetimi tregoi se ishin kryer veprime të kundërligjshme nga: titullari i Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, E.N., në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit F.Ç.; A.B.; A.O.; K.H.; A.M.; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave K.B.; F.D.; M.B. dhe G.M..

Hetimi thotë se këta shtetas në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.

Të hetuarit nën arrest me burg janë Edlira Naqellari ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike, Kleivis Hasani anëtar i njësisë së prokurimit, Kreshnik Bejkaj anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Fatmir Demneri anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Flutura Çekrezi anëtare e njësisë së prokurimit, Ani Omuri anëtare i njësisë së prokurimit, Mariglen Buzali anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Gëzim Mingaj anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Ndërkaq një i hetuar është me masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, përkatësisht Anisa Bogdani, anëtare e njësisë së prokurimit.