SPAK dërgon në gjyq dy të arrestuar me 788 kg.kokainë dhe 1,250,000 mln euro të sekuestruara

Dy shtetasit e arrestuar në Spanjë akuzohen për “Falsifikim të dokumentave”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”,“Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”

Knid Ndrenika

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK përfundoi hetimin dhe dërgoi për gjykim dy persona të dyshuar për narkotrafik.

Dy personat ishin arrestuan në Spanjë dhe autoritetet atje u sekuestruan 788 kilogramë kokainë dhe 1,250,000 milionë euro.

SPAK njoftoi dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.72 të vitit 2019 për shtetasit Arjan Ndoci alias Ardian (Ardjan) Noka alias Dritan Gradica dhe Julian Deblini (Bedlini) alias Julian Gjoka.

Prokurorët thonë se gjatë hetimit provuan se këta shtetas të arrestuar në flagrancë në Spanjë duke trafikuar 788 kg lëndë narkotike të llojit “kokainë’’, si dhe u janë sekuestruar 1.250.000 euro cash nga autoritetet spanjolle të drejtësisë, kanë kryer aktivitet kriminal të trafikimit të narkotikëve, nga i cili janë gjeneruar shuma të mëdha të ardhurash.

Sipas SPAK-ut, këta shtetas me anë të personave të tjerë dhe veprimeve fiktive kanë fshehur dhe mbuluar origjinën e paligjshme të pasurive duke investuar në sektorë ekonomik, duke krijuar shoqëri apo blerë dhe shitur pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.

Për të dy shtetasit SPAK-u ngriti akuzën “Falsifikim i dokumentave”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”,“Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Për këto vepra të parashikuara nga nenet 186, 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, dosja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ndërkaq, SPAK-u në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.72/2019 dhe veprës penale të pastrimit të parave, janë sekuestruar në Shqipëri, si produkt i veprës penale, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.

Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara në Tiranë janë 8 apartamente, me sipërfaqe totale 905 m2; 2 njësi shërbimi (lokale), me sipërfaqe totale 280 m2; 4 garazhe, me sipërfaqe totale 60 m2, ndërsa pasuritë e luajtshme 3 automjete; 4. 645.700 lek në llogari bankare dhe 7. 435 euro në llogari bankare.