SPAK nis verifikimin e deklaratës së Petro Koçit për “krimin e organizuar” në Fier

Tiranë, 22 korrik 2021 – SPAK nis verifikimin e deklaratave të ish-zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili pak ditë më parë i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme të shkojë dhe të hetojë në Fier, ku, siç është shprehur “duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike”.

Lajmin e konfirmoi për News24 e BalkanWeb kreu i SPAK Arben Kraja.

Më 16 korrik, ish-zëvendës ministri Koçi, i cili hyn në shtator në parlament, si deputet i PS, ka deklaruar se “duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike në Fier” dhe se “protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës fitojnë tendera publikë”.

“Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, katheksuar Koçi.

Deklarata e plotë e Koçit:

Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji.

Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.

Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike.

Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit.

Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona.

Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.

(r.m.)

Comment

*