SPAK: Taçi mori përsipër transferimin e 18 milionë eurove nga Tirana në parajsa fiskale

Tiranë, 15 nëntor 2021 – Biznesmeni Rezart Taçi, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për akuzën e pastrimit të parave, jo vetëm kishte hyrë garant për transferimin e një shume prej rreth 18 milionë eurosh, por rreth një muaj më parë kishte komunikuar vetë në telefon dhe kishte hyrë garant personalisht për transferimin e shumës në parajsat fiskale.

Madje, sipas dosjes së prokurorisë, ai kishte ofruar garanci të pasurisë së tij, nëse shuma e madhe e parave do të humbte. Prokuroria e Palermos ka arritur të përgjojë bisedën midis Rezart Taçit dhe italianit Francesco Zummo, 90 vjeç, ku diskutojnë në lidhje me transfertën e parave, të cilat do të vinin nga Zvicra në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë dhe më pas do të shkonin në Mal të Zi dhe në Singapor.

Sigurisht, transferta do të bëhej nga Taçi kundrejt përfitimeve të përqindjeve.

Zummo, i cili aktualisht është vendosur nën arrest shtëpiak, ka qenë një nga ndërtuesit më të mëdhenj të Palermos dhe krahu i djathtë i të ndjerit Vito Cianciminos, ish-kryebashkiak i Sicilisë, i konsideruar si arkëtari i mafies.

Sipas SPAK, gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

MASA E SIGURISË

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lënë në burg dy bashkëpunëtorët e biznesmenit Rezart Taçi. Kjo është masa e sigurisë e vendosur një ditë më parë ndaj Artur Ballës dhe Bledar Lilos, të cilët akuzohen për pastrim parash. Lilo ka kërkuar lirimin nga qelitë, duke pretenduar se nuk ka lidhje me pastrimin e shumës prej 18 milionë eurosh, pasi është thjesht shofer.

I arrestuari tjetër, Artur Bala, ka kërkuar masë më të lehtë sigurie si ajo e “arrestit shtëpiak”.

Ky i fundit është njëkohësisht kunati i Taçit. Ndërkaq, avokatët mbrojtës kanë kërkuar nga SPAK t’u vihen në dispozicion provat, pasi sipas tyre, nuk kemi të bëjmë me pastrim parash, duke qenë se shuma prej mbi 18 milionë lekësh ka mbërritur nëpërmjet bankave.

“Nëse paratë kishin ardhur nga bota e krimit, pse nuk u ndaluan në Zvicër”, ka deklaruar mbrojtja.

Hetimet për zbulimin e skemës financiare të pastrimit të parave janë kryer nga SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane. Dyshohet se personat e sipërpërmendur kanë bashkëpunuar me dy italianë, Francesco Zummo e Fabio Petruzzella, si edhe 1 zviceran në skemën e pastrimit të parave.

AKUZAT

Gjysmë shekulli pas pushtimit të Palermos, pavarësisht arrestimeve dhe sekuestrimeve të qindra-milionë euro, ka ende pjesë të mëdha të thesarit të grumbulluar në ato vite nga organizata mafioze “Cosa Nostra” që u shpëtojnë kërkimeve të drejtësisë.

Thesari përfshin edhe gati 50 milionët e sekuestruara ndaj Francesco Zummo-s, i konsideruar nga Giovanni Falcone si dora e djathtë e kryebashkiakut mafioz Vito Ciancimino. Zummo përfundoi në arrest shtëpie në moshën 90- vjeçare së bashku me llogaritarin Fabio Petruzzella, i cili dyshohet se mbante në dorë biznesin e ndërtuesit të moshuar.

Akuzat janë ato të pastrimit të parave. Veçanërisht, nën objektivin e hetuesve të Palermos, përfundoi edhe një transfertë prej rreth 18.4 milionë eurosh, e cila kaloi shpejt nga Zvicra në dy fondacione të Lihtenshtajnit dhe më në fund në një llogari të hapur në një institucion krediti shqiptar.

Ishte kjo transfertë e dyshimtë që bëri që autoritetet shqiptare të kontaktonin ato italiane dhe më pas nisën edhe hetimet.

“Janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga shtetasit italian F. Z. dhe I. Z., në bashkëpunim me shtetasin italian F. P., të shtetasit zviceran me origjinë italiane D. C., si dhe të shtetasit shqiptar R. T., i përfshirë në biznese në sektorin e naftës.

Ky i fundit, në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie, ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasin A. B. dhe shtetasin B. L.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 eurosh”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Ndërtuesi italianë, krahu i djathtë i kryebashkiakut mafioz

Autoritetet italiane kanë ndarë detaje të reja për dy nga të arrestuarit për pastrim parash, ku në pranga ranë edhe dy shtetas shqiptarë, si dhe u shpall në kërkim biznesmeni Rezart Taçi.

Mediat e vendit fqinjë shkruajnë se një nga personat e përfshirë është 90-vjeçari nga Palermo Francesco Zummo. Emri i tij nuk ishte i panjohur për drejtësinë, pasi edhe në të kaluarën ishte dyshuar për implikime në skemën e pastrimit të parave, si dhe njihej si mik i afërt i ishkryebashkiakut Vito Ciancimino. Po ashtu, në pranga ka rënë edhe kontabilisti Fabio Petruzzella, i cili është vëllai i një magjistrati në Palermo. Ai dyshohet se ka vendosur 19 mln euro në një llogari bankare në Tiranë, për të shpëtuar këtë shumë parash nga konfiskimi.

“Hetimi përfshin gjithashtu një grup shqiptarësh që dyshohet se ndihmuan Zummo-n dhe bashkëpunëtorët e tij në operacionet e tyre financiare”, shkruajnë mediat. Emri Francesco Zummo-s bëhet i njohur në mediat italiane në vitin 2001, ku pas një operacioni u sekuestrua pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro. Dyshohet se personat e implikuar asokohe, mes të cilëve edhe Zummo, pastronin para për mafien e njohur “Costra Nostra”.

(Panorama.al)

Comment

*