SPAK-u arreston ish-zyrtarin e burgut Peqin

Prokuroria e Posaçme urdhëroi arrestimin e ish-shefit të sektorit ligjor në burgun e sigurisë së lartë Peqin, Gani Shehu, ndaj të cilit rëndojnë dyshime se mashtroi institucionin e akuzës, në lidhje me kohën që Viktor Imeri, i njohur si “Tori i Xhihanes”, ka vuajtur dënimin për vrasje të dyfishtë në burgun e sigurisë së lartë Peqin.

Nga hetimet rezultoi se ish zyrtari i burgut, i dërgoi SPAK të dhëna të rreme, pas një kërkesë që prokuroria i bëri institucionit të vuajtjes së dënimit, ku kërkonte informacion lidhur me periudhën, sektorin apo qelinë ku kishte qëndruar i dënuari Imeri, i cili u prangos pak muaj pasi u lirua me kusht, si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliut.

Ky informacion kërkohej dhe konsiderohej shumë i vlefshëm për hetimin, për të konfirmuar dëshminë e të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili pretendonte se të dhënat për dy vrasjet e bujshme të ndodhura në vitin 2005, i kishte mësuar nga “Tori i Xhihanes”, gjatë kohës që kishte qëndruar në të njëjtin burg me të.

Skandali është zbuluar në seancë gjyqësore, gjatë së cilës shqyrtohej një kërkesë e bërë nga i dyshuari, i cili kërkonte zëvendësimin e masës së sigurisë. Një nga provat kryesore ku mbështetej avokati në kërkesën e tij ishte shkresa e burgut e firmosur nga ish-zyrtari Shehu, përmes së cilës synonte të provonte se për kohën që Reçi pretendonte se ishte ndodhur në të njëjtin sektor me Imerin, ky i fundit vuante dënimin në një tjetër institucion. “Duke marrë shkas nga përmbajtja e kësaj shkrese, Prokuroria e Posaçme, kreu hetime të thelluara në drejtim të vërtetësisë së të dhënave të pasqyruara. Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore, u krijua dyshimi i arsyeshëm se, në shkresën e datës 14.01.2021 të nxjerrë nga IEVP, Peqin, paraqiteshin të dhëna të rreme të cilat shkonin në drejtim të lehtësimit të pozitës së të hetuarit Viktor Imeri Bajraktari”, thekson SPAK.

 

Më tej, prokuroria sqaron se “deri në këtë fazë të hetimit krijohet dyshimi i arsyeshëm se, personi që ka përgatitur këtë shkresë në të cilën janë pasqyruar të dhëna të rreme, është ish – Shefi i Sektorit Ligjor të IEVP – së Peqin, Gani Shehu. Për këtë shkak, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” dhe ai u dërgua prapa hekurave. Viktor Imeri akuzohet se në bashkëpunim me ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, Emiljano Shullazin dhe persona të tjerë akuzohet se organizuan dhe ekzekutuan biznesmenin Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliun.BW

 

Comment

*