SPAK-u çon në gjykatë ish-kryetarin dhe ish-anëtarin e GJK, Dedja dhe Lulo

Knid Ndrenika

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të fillojë procesin nëse qëndron ose jo akuza e SPAK-ut për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe ish-anëtarin Fatos Lulo

Dy ish-gjyqtarë të lartë Kushtetues në Shqipëri u dërguan për gjykim nga SPAK-u, Prokuroria e Posaçme për fshehje të pasurisë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe për ish-anëtrain e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.

Ndaj të dy ish-zyrtarëve rëndojnë akuza për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim, kryer në formën e deklarimit të rremë dhe fshehjes”.

Ish-kryetari Kushtetues, Dedja dhe ish-anëtari Lulo nuk e kaluan vetingun, ligjin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

SPAK-u e filloi hetimin për probleme me pasurinë të të dy ish-gjyqtarëve të lartë Kushtetues.

Hetimet u shoqëruan me vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në 27 prill 2021 me sekuestro të pasurive mbështetur në ligjin “Antimafia”.