Spanja fitoi ndaj Kosovës me rezultat 3:1

Sevila (Spanjë), 31 mars 2021 – Kombëtarja e Spanjës në futboll mundi kombëtaren e Kosovës me rezultat 3:1, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Ndeshja u zhvillua në Sevilla të Spanjës.

Besar Halimi shënoi golin për Kosovën në minutën e 70-të.

Përpara fillimit të ndeshjes, u lëshua himni i Kosovës dhe i vendit nikoqir.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Më herët, zyrtarë të Federatës së Futbollit të Spanjës janë cituar të kenë thënë se “ndeshja Spanjë – Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshjet zyrtare”.

Kosova është pjesë e të dyja këtyre federatave të futbollit.

Por, përfaqësuesja spanjolle e futbollit, në një postim në Twitter më 9 mars, e ka cilësuar Kosovën si “territor”.

Spanja e fillon rrugëtimin e saj për kualifikime në Kampionatin Botëror me takimet “kundër Greqisë, Gjeorgjisë dhe territorit të Kosovës”, ka shkruar përfaqësuesja spanjolle.

Federata e Futbollit të Kosovës e ka cilësuar këtë referim si “përpjekje të kotë dhe të padrejtë të spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës, në ndeshjen e 31 marsit”.

Në maj të vitit 2019, Federata Evropiane e Futbollit, UEFA, ka marrë një vendim që i detyron vendet që nuk e njohin Kosovën, të luajnë kundër skuadrës së kombëtares dhe klubeve të saj si nikoqirë – qoftë në shtëpi apo në terren neutral – dhe si mysafirë.

Sipas këtij rregulli, të gjitha skuadrat nga vendet që nuk e njohin Kosovën, qoftë në nivel kombëtaresh apo klubesh, përveç Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – që përbëjnë përjashtim për arsye sigurie – obligohen të luajnë kundër Kosovës apo klubeve të saj.

(REL)