Spanja i mirëpret të gjithë turistët e vaksinuar

Madrid, 21 maj 2021 – Spanja do t’u mundësojë të gjithë turistëve të vaksinuar ta vizitojnë këtë shtet nga 7 qershori, ka thënë kryeministri spanjoll Pedro Sanchez të premten.

“Nga 7 qershori, të gjithë personat e vaksinuar dhe familjet e tyre do të mirëpriten në shtetin tonë, Spanjën, pavarësisht vendit të origjinës”, ka thënë Sanchez, në një panair ndërkombëtar të turizmit në Madrid, citon Radio Evropa e Lirë.

Po ashtu, ka njoftuar se udhëtarët nga Britania e Madhe mund ta vizitojnë Spanjën për pushime nga java tjetër.

I njohur si vendi i dytë më ivizituar nga turistët pas Francës, Spanja pati regjistruar 83.5 milionë vizitorë të huaj në vitin 2019.

Në vitin 2020, numri i turistëve të huaj që e kanë vizituar Spanjën ishte 77 për qind më i ulët se një vit më parë, si pasojë e kufizimeve të vendosura për luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Ky shtet pret që këtë vit të mirëpresë 45 milionë turistë të huaj.

Në gjithë botën, turizmi ka qenë një prej sektorëve më të dëmtuar nga pandemia. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, vitin e kaluar, udhëtimet e turistëve besohet të kenë rënë për 74 për qind në krahasim me vitin paraprak.

(r.m.)