“SPIEGEL”: Çfarë loje po luan Vuçiqi?

Aleksandar Vuçiq ekuilibron me mjeshtëri mes të fuqishmëve në Bruksel, në Kremlin dhe në Pekin, pa dhënë përgjigje në pyetjen se në cilën prej këtyre botëve ndjehen si në shtëpinë e tyre ai dhe populli serb.

 

Revista gjermane “SPIEGEL”, në tekstin me titull “Miqtë evropianë të Kremlinit”, të publikuar në edicionin e saj online, i trajton demonstratat në Beograd në mbështetje të politikës së presidentit rus Vladimir Putin dhe kërkon përgjigje në pyetjet: “Cilat janë arsyet për këtë?” dhe “çfarë loje po luan këtu presidenti serb Aleksandar Vuçiq?”

Në fillim të tekstit, autori Walter Mayr shkruan: “Sikur të kishte një çmim për një qytet në Evropë që mund të ofrojë këto ditë spektaklin publik më bizarr, me siguri në krye të listës do të ishte Beogradi. Së bashku me flamujt rusë, portretet e Putinit dhe kryqet e drurit, mijëra vetë marshuan të premten (4 mars) nëpër kryeqytetin serb, për të shprehur solidaritetin me krerët e Kremlinit dhe për të mbështetur  luftën e tyre agresive kundër Ukrainës.”

“Kukullar i talentuar, që tërheq fijet nga prapaskena”

Duke u përpjekur për të shpjeguar këtë fenomen, autori kujton lidhjet tradicionalisht të afërta të Serbisë me “Nënën Rusi” dhe me “popullin vëllazëror” ortodoks në Lindje, por vëren se e gjithë kjo tani po vihet në provë. Kjo, thuhet më tej në artikull, flet për “bishtnimin e presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Nga njëra anë, ai është për integritetin territorial të Ukrainës, por, në të njëjtën kohë, nuk dëshiron t’u bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Ai nuk e kritikon qartë luftën e dukshme agresive, duke iu referuar “marrëdhënieve të posaçme të vendit të tij me Rusinë”.

This image has an empty alt attribute; its file name is Protesta-pro-ruseBeograd-2.jpg

Autori e quan Vuçiqin “kukullar i talentuar që i lëviz telat nga lart” dhe kujton se në fillimet e karrierës së tij politike ai ishte nxënës i kriminelëve të luftës, si Radovan Karaxhiq, Vojisllav Sheshel dhe Sllobodan Millosheviq.

“Për vite me rradhë ai u mbështet nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe deri më sot ai prezantohet me sukses si një ndërmjetës mes botëve, si politikan që ekuilibron me mjeshtë ri mes të fuqishmëve në Bruksel, në Kremlin dhe në Pekin. Por, në të njëjtën kohë, ai nuk u përgjigjet pyetjes se në cilën nga këto botë ndihen si në shtëpinë e vet ai dhe populli serb”, thuhet në tekst.

“Kjo me siguri ka të bëjë me zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, ku kundërshtar serioz është ish-shefi I Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Zdravko Ponosh. Prandaj, Vuçiqi duhet t’ia shpjegojë tani elektoratit të tij përse aleati i tij i vjetër, Vladimir Putini, po e përmbyt tani me bomba dhe granata shtetin paqësor fqinj, Ukrainën”, shkruan autori.

Shumë të irrituar në Bruksel

Deri tani janë përdorur kryesisht argumente nga e kaluara e afërt. Në vitin 1999 Rusia protestoi kundër bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Por, nga këndvështrimi serb ka edhe arsye shumë pragmatike për të mbështetur politikën e Putinit.

“Gjatë takimit të nëntorit në brigjet e Detit të Zi, Putin i premtoi Vuçiqit furnizim të shtuar me gaz me çmim të favorshëm”,  shkruan Mayr. Pas takimit presidenti i Serbisë pranoi, se Pugtinit i ka kërkuar “trajtim më të mirë” të Serbisë.

Opinioni publik, me mbështetjen e madhe mediatike të gazetave bulevardale besnike të Vuçiqit, është në krah të presidentit. Sondazhet tregojnë se dy të tretat e qytetarëve serbë kanë qëndrim pozitiv ndaj Putinit. Në disa gazeta u shfaqën edhe tituj të tillë, si “Ukraina pushtoi Rusinë”, shkruan autori.

This image has an empty alt attribute; its file name is Protesta-pro-ruseBeograd-1.jpg

 Në të njëjtën kohë ai tërheq vëmendjen se në Bruksel janë shumë të irrituar nga sjelljet e tilla serbe dhe shpreh “keqardhje” që Serbia nuk iu bashkua sanksioneve, gjë që i redukton ndjeshëm shanset për anëtarësimin e shpejtë të Serbisë në BE.

Por, Walter Mayr mendon se Bashkimi Evropian e ka çuar vetëveten në këtë situate.

“Që prej shpalljes së shpejtë të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Serbia ka një rol kyç në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme paqësore për Ballkanin Perëndimor. Vuçiq e di këtë dhe e përdor me shumë sukses. Ai forcon gjithnjë e më shumë sundimin e tij autoritar në Serbi, ndërsa, në të njëjtën kohë, në skenën ndërkombëtare paraqitet si ndërmjetës i ndershëm në lidhje me Kosovën”, shkruan Mayr.

Një kërcënim serioz për sigurinë

Sipas mendimit të autorit, kjo “ecje diplomatike mbi vezë” përbën gjithnjë e më shumë një kërcënim serioz për sigurinë në continent, gjë që shihet edhe në Bosnje- Hercegovinë. Me mbështetjen ruse dhe serbe loja me zjarrin gjithnjë e më serioze e Milorad Dodikut kërcënon të shndërrohet në një zjarr të vërtetë. Vazhdimisht përmendet mundësia e shkëputjes së Republikës Srpska nga Bosnjë-Hercegovina, gjë që do të rrezikonte “gjithë rendin postjugosllav të pasluftës, të vendosur me mundim”, mendon Mayr.

Fakti se Vuçiqi, presidenti i një vendi që është kandidat për anëtarësim në BE, deri më sot nuk ka marrë kritika serioze nga Komisioni Evropian, nga kreu i shtetit serb mund të kuptohet si shpërblim për politikën e tij cinike”, përfundon gazetari i revistës gjermane “SPIEGEL”, Walter Mayr.

(DW)