Spiralizmi, lëvizja e re letrare shqiptare

Laureta Petoshati

Laureta Petoshati

Spiralizmi (Lat. Spiralismo), është një lëvizje letrare e lindur në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste në fillim të viteve 1990. Ai është një konceptim i tërë estetik dhe jo vetëm një çast i historisë letrare, bën paraqitjen e veprës letrare jo vetëm me fuqinë e fakteve, por edhe me lidhjen organike të zhvillimeve dialektike dhe historike të ndërthurur me vetëdijen e personazheve. Dihet që vetëdija nuk është e lindur, por ajo ka karakter shoqëror pasi lind dhe zhvillohet në marrëdhëniet njerëzore të epokave të caktuara historike. Spiralizmi, ndryshe nga realizmi socialist që vendosi hendeqe dhe krijoi mangësi që nuk lejuan krijimin e një realizmi të përkorë, të mundëson aftësinë për të shprehur realitetin me vërtetësi tronditëse në kohën që kemi ndryshim cilësor të botëkuptimit njerëzor dhe shfaqje të formave të ndërgjegjes shoqërore. Kulmin e tij spiralizmi e gjen te romani historik. Spiralizmi është një revolucionarizim tërësor i strukturës së romanit artistik me bërthamë historike në tërësi dhe atij historik të mirëfilltë në veçanti pasi pasqyron një botë poliedrike, zhvillim personazhesh të të gjitha niveleve, një eksperiencë kolektive bazuar në idealet e lirisë, demokracisë dhe të vlerave njerëzore, si dhe në sinqeritetin e ndjenjave me të cilat bëhet përshkrimi. Gjithë personazhet, që kryesisht nuk hamendësohen por janë realë, pavarësisht emrit që u vendos autori, nuk e humbasin unitetin dhe koherencën dhe gjatë veprimtarive të tyre të ndërgjegjshme nuk ka boshllëk, ka hop, pra kalim nga një cilësi më e vjetër në një cilësi më të re. Dihet që një vepër letrare ka përmasat e veta kohore dhe hapësinore. Koha e veprimit artistik, pra kohëzgjatja e ngjarjeve, mund të përfshijë disa muaj, disa vjet, por edhe disa shekuj, por në spiralizëm shkruhet me hollësi se si e ardhmja ka lindur nga e shkuara, proceset e kalimit tregohen me vërtetësi therëse si një detyrim moral i autorit ndaj shoqërisë së cilës i paraqet produktin letrar të ndërthurur me talentin e tij. Në spiralizëm vepra shtjellohet në një vijimësi kohore dhe brenda narracionit kemi shoqërim idesh ku përfytyrimet, ndjenjat dhe mendimet si dukuri psikike kanë vetinë për të tërhequr njëra tjetrën në formë spiraleje, ku një dukuri sjell në vetëdije një dukuri tjetër me të cilën është lidhur në një farë mënyre. Në përshkrimet e mirëfillta historike që u janë besnike vendeve, datave dhe njerëzve që ndikohen nga prania e njëri-tjetrit dhe ajo e natyrës kemi një spiralizëm psikologjik, një përshkrim që ndërthur në formë spiraleje bashkëveprimin e natyrës me ndijimet, perceptimet, ngacmimet, ndjenjat, mendimet, përsiatjet e vazhdueshme dhe gjendjet e brishta shpirtërore që japin mesazhe të thella nga një personazh tek tjetri, por nuk mungon as Ens Realissimum (qenia më reale), pra Zoti.
Spiralizmi, ndryshe nga realizmi, i cili është art demokratik, por hera herës bën dhe theksim të tepruar të disa elementëve të realitetit, është një lëvizje letrare që nuk e ndryshon ndjenjën e masës apo të shtrembërojë realitetin. Madje spiralizmi, ndryshe nga natyralizmi që interesohet për nevojat fiziologjike të personazheve, interesohet dhe jep dalëngadalë nëpërmjet ndryshimeve sasiore ndryshimet cilësore që ndodhin në jetën dhe ndërgjegjen e personazheve. Në spiralizëm kemi hop cilësor të ndërgjegjes së personazheve brenda një hapësire dhe kohe të caktuar. Kur spiralja e zhvillimit të narracionit brenda një vepre letrare, sidomos të romanit historik, është me shumë fibra ose nënshtresa, atëherë kemi multi-spiralizëm. Kjo vlen edhe për veprat poetike në përgjithësi dhe poezinë në veçanti që japin një zhvillim spiral të ndjenjave dhe mendimeve duke dhënë një cilësi të re, apo duke shfaqur shkallë-shkallë në një hapësirë kohore të përcaktuar gjithë atë që ka në mendje poeti si mesazh poetik.
Si vepra të spiralizmit shqiptar mund të përmendim romanet “ E penguara” e Ismail Kadaresë, “Ferri i Çarë” i Visar Zhitit, “Nata e Sofie Kondilit” e Koço Kostës, trilogjinë “Vështroni Meduzën” e shkrimtares vlonjate Vilhelme Vranari, si dhe romanin “Rikthim në Ventotene” të shkrimtares vlonjate Laureta Petoshati, etj. Mund të themi pa frikë se forma të hershme të spiralizmit janë gjithashtu dhe veprat autobiografike “Retë dhe Gurët – intervistë me vetvete” e shkrimtarit Petro Marko, si dhe “Rrno për me tregue” të at Zef Pllumit.
Ndërsa si vepra poetike të spiralizmit shqiptar mund të përmendim vëllimet 10, 11 dhe 12 të kolonës “Shtrati i Prokustit” të Miliano Stefës, vëllimin me poezi “O Tomorr në Pekin” me 60 poezi nga Kina të poetit Sinan Kërpaçi, vëllimin poetik “Kasollja e internimit” të poetit disident Dalan Luzaj, vëllimin poetik “Gjethi i kuq” të poetit Eqerem Canaj, etj.
U takon estetëve shqiptarë që ta studiojnë këtë lëvizje të lindur në mënyrë të vetvetishme mbas rënies së diktaturës por që shpreh një filozofi të re në lëvrimin e letrave apo më mirë në paraqitjen e të vërtetave historike me anë të letrave shqipe. Megjithatë, si përfundim mund të themi pa mëdyshje se në Shqipëri spiralizmi si lëvizje letrare i ka kaluar fillimet e tij dhe po merr trajtat e një lëvizjeje të përkorë. Kjo ka ardhur si pasojë e domosdoshmërisë për ta treguar të vërtetën në përmasat e saj reale, me ndjeshmërinë dhe pasojat e dhimbshme që ka shkaktuar në shpirtin dhe ndërgjegjen e njerëzve që i kanë përjetuar këto ngjarje. Shkrimtari Visar Zhiti flet për një letërsi, të cilën e quan burgologji, siç është letërsia e shkruar nga ata që vuajtën dënimet në burgjet e diktaturës, por mendoj se spiralizmi flet për diçka më shumë se kaq, për jetën brenda dhe jashtë burgut, për Shqipërinë e kthyer në një burg të madh e mbi të gjitha flet për ndryshimin e mendësisë, kalimin nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur, demokratike dhe pluraliste. Spiralizmi tani është në fazën ku ndodhet vetë shoqëria shqiptare, e cila është gati të bëjë hopin e madh, futjen në Europë dhe meqë Europa mbi të gjitha është një ndërgjegje, atëherë spiralizmi që pasqyron më së miri vetëdijen dhe ndryshimin cilësor të ndërgjegjes shoqërore në këto procese integruese është një lëvizje letrare integruese e ndërgjegjes së shqiptarëve me atë evropiane.