Spitalet e Bjellorusisë mbushen me ushtarë rusë të plagosur në Ukrainë

Që nga fillimi i luftës në Bjellorusi kanë arritur trupat e shumë ushtarëve rusë të vdekur dhe të plagosur në Ukrainë, por shumica e zyrtarëve dhe e mjekëve refuzojnë të flasin hapur për shifra dhe detaje specifike.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar vetëm një here për ushtarë të vrarë në Ukrainë, qëkur forcat ruse nisën pushtimin e këtij vendi, më 24 shkurt. Më 2 mars ajo tha se janë vrarë 498 ushtarë dhe janë plagosur 1,597 të tjerë.

Ndoshta asnjëra palë nuk thotë të vërtetën. Por, sipas njoftimeve të mediave bjelloruse dhe kanaleve në Telegram shumë ushtarë rusë të plagosur po sillen në Bjellorusi ku marrin trajtimin e parë mjekësor përpara se të transportohen për në Rusi.

Madje, edhe presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, pesë ditë pas fillimit të luftës, tha se në qytetet Gomel, Mazyr dhe në një qytet tjetër bjellorus ishin trajtuar rreth 160 dhe 170 ushtarë rusë.

Ushtarë të rinj nga rajone të varfra të Rusisë

Katër burime thanë për DW se në këto qytete jugore të Bjellorusisë kishte ushtarë rusë. Po ashtu, ata thanë se në Narovlya, jo shumë larg kufirit me Ukrainën, ishte ngritur edhe një spital fushor. Një burim tha për DW se shumë ushtarë të plagosur që kanë arritur në Mazyr kishin humbur “krahë, këmbë, veshë apo sytë”. Ata thanë se disa kishin arritur me shumë vonesë dhe se u kishte filluar gangrenizimi i gjymtyrëve.

Burimi tha se disa nga të plagosurit nuk kishin ngrënë prej pesë ditësh, dhe se kur mbërritën ishin të çorientuar dhe donin të telefononin me prindërit e tyre.

“Fjala është për ushtarë që kanë lindur në vitin 2003. Ata vijnë nga rajone të varfra të Rusisë dje janë në thelb ende fëmijë”, tha ai.

Një burim tjetër që nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në sektorin e kujdesit shëndetësor, por i informuar mirë për situatën tha se në një spital në rajonin e Gomel, kryhen “pa ndërprerje operacione”, deri në 50 çdo natë. Burimi tha se shpesh kirurgëve u duhet t’ua presin gjymtyrët ushtarëve rusë.

“Spitali është plot”, tha burimi, duke kërkuar që vendndodhja e spitalit të mos bëhet publike.

Spitalet nën kontroll të rreptë nga shërbimet sekrete

Shumë mjekë të kontaktuar nga DW refuzuan të flisnin në lidhje me trajtimin mjekësor të ushtarëve rusë. Dy burime thanë se mjekëve u duhej të nënshkruanin një marrëveshje për të mos folur.

Fondacioni Bjellorus i Solidaritetit Mjekësor konfirmoi se të gjitha spitalet janë nën kontroll të rreptë.

“Në spitale ka mjaft punonjës të KGB-së ose FSB-së. Të gjitha ndërtesat e spitaleve janë nën mbikëqyrje. Shumë mjekë bjellorusë, që mendohet se mund të kenë treguar diçka për çfarë po ndodh në spitale, janë zëvendësuar me mjekë rusë,” tha një zëdhënës, duke shtuar se shumë mjekë dhe punonjës të spitaleve kanë frikë të flasin për ato që kishin parë ose bërë.

Disa persona thanë për DW se trupat e ushtarëve të vdekur rusë transportohen nga Ukraina në Bjellorusi.

Edhe zëdhënësi i Fondacionit Bjellorus të Solidaritetit Mjekësor tha se spitalet në Bjellorusi janë të mbingarkuara, duke shtuar se ka edhe shumë ushtarë të vdekur.

Megjithatë, askush nuk mund të jepte një shifër të saktë.

(Olga Stefanoviq, DW)