Spitali “COVID 3” gati për t’u hapur

Spitali infektiv po shkon drejt ezaurimit të kapaciteteve, pasi mbi 100 pacientë janë shtruar për trajtimin e nevojshëm pas infektimit me covid.

Rritja e numrit të pacientëve reflektohet edhe te numri i familjarëve që presin jashtë rrethimit të spitalit.

Ata kanë ardhur herët për të dërguar tek të afërmit sendet personale.

Mes pacientëve ka edhe të rinj 20 vjeç.

“Çunin, është 20 vjeç. Ka dhimbje fyti.”

Një pjesë e të shtruarve nuk kanë kryer asnjë dozë anticovid, disa nga neglizhenca e të tjerë nga pamundësia.

“Jo, vaksinën jo. Pak neglizhencë edhe e urgjencës së Elbasanit.”

“Me babin kemi folur vetëm me doktorin. E sollëm në gjendje të keqe, tani është më mirë. Nuk e kishte bërë vaksinën. Unë me burrin do ta bëjmë.”

Por ka edhe nga ata që kanë kryer minimalisht një injeksion ndërkohë që janë infektuar.

“Ka 13 ditë sot, hyn te pacientët e rënduar. Dozën e parë të Pfizer e kishte marrë.”

Ndërkohë në spitalin “Covid 3” kanë  filluar përgatitjet për ët pritur brenda pak ditësh pacientët e parë të prekur me Covid-19.

Në skenarin për përballimin e situatës parashikohet hapja e spitalit “Covid 3” ndërkohë që edhe të tjerët do të jenë në gatishmëri për pritjen e pacientëve nëse përkeqësohet situata. Spitali infektiv ka në total 120 shtretër ndërsa “Covid 3” mund të presë deri në 100 pacientë./OraNews/