Stërvitje ushtarake e NATO-s në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 12 maj 2022 – Më se 4.600 ushtarë të tetë vendeve anëtare të NATO-s po marrin pjesë në një stërvitje ushtarake në Maqedoninë e Veriut.

Stërvitja “Swift Response 22”(Përgjigja e Shpejtë 22) po mbahet në poligonin ushtarak Krivollak, një nga zonat më të mëdha për manovra dhe stërvitje ushtarake në Ballkanin Perëndimor.

Pjesëtarë të ushtrisë amerikane, britanike, franceze, italiane, shqiptare, malazeze, greke dhe maqedonase shfaqën para krerëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe oficerëve të lartë të ushtrive të vendeve pjesëmarrëse aftësitë luftarake, sidomos në ulje me parashuta.

45 aeroplanë transportues e luftarakë që u nisën nga baza e Avianos në Itali fluturuan mbi Krivollak, ku u hodhën 200 parashutistë, ndërsa pjesë e stërvitjesishin edhe helikopterë “Çinok” dhe “Apaçi”.

Autoritetet maqedonase të Mbrojtjes thanë se mesazhi nga stërvitja “Përgjigja e Shpejtë” nuk është demonstrimi i forcës, por “i bashkimit dhe aleancës”.

Stërvitja “Përgjigja e Shpejtë” konsiderohet shumë e rëndësishme për ushtritë e vendeve anëtare të Aleancës për sa i përket shkëmbimit të njohurive, përgatitjes, koordinimit dhe aftësive për veprim të përbashkët për realizimin e operacioneve të tilla.

Oficerët e lartë të ushtrive aleate e vlerësuan lart përgatitjen e ushatarëve në këtë stërvitje.

Maqedonia e Veriut u pranua në Aleancën ushtarake të NATO-s në mars të vitit 2020. Hapësirën ajrore të saj e sigurojnë aeroplanët grekë. Poligoni ushtarak Krivollak në pjesën qendrore të vendit vlerësohet si strategjik nga Aleanca Veriatlantike.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*