Stoltenberg: NATO e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në Kosovë

Bruksel, 3 gusht 2022 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur qëndrimin se misioni i KFOR-it është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë nëse “rrezikohet stabiliteti”.

Stolterberg e ka bërǓ këtë deklaratë të mërkurën, më 3 gusht, pas bisedës që ka zhvilluar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes demokracisë. Misioni i NATO-s, KFOR, bazuar në mandatin e Kombeve të Bashkuara, qëndron i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka shkruar Stoltenberg në një postim në Twitter.

Ndërkaq, Presidenca e Serbisë ka thënë se Vuçiq e ka informuar Stoltenbergun lidhur me “aktivitetet e Prishtinës që rritën frikën dhe shkaktuan trazira në mesin e qytetarëve serbë”, por në njoftim thuhet se për çfarë aktivitetesh e kishte fjalën.

“Bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e vazhdimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit dhe se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për Serbinë dhe rajonin, por për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Serbisë.

Tëdielën, më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët në pjesën veriore të Kosovës, për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Barrikadat u hoqën më 1 gusht, pasi Qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve për targat dhe letërnjoftimet  serbe.

(r.m.)

Comment

*