Stoltenberg: S’do të ketë ndryshime në misionin e NATO-s në Kosovë

Bruksel, 17 maj 2021 – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk ka dhe as nuk pritet të ketë ndryshime në misionin e NATO-s në Kosovë dhe se 30 vendet anëtare janë të përkushtuara për vazhdimin e mandatit.

“Nuk ka ndryshime në misionin e NATO-s dhe të 30 aleatët, përfshirë edhe SHBA-në, janë të përkushtuar për misionin e KFOR-it. KFOR-i është atje për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë dhe aleatët janë të përkushtuar. Ky mision është i bazuar qartë në mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka ndryshime”, tha Stoltenberg.

Ai theksoi se çfarëdo ndryshimi në mandatin e KFOR-it duhet të bëhet vetëm me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s i bëri këto komente të hënën, në Bruksel, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte deklaruar para disa ditësh se “ka informacione se një shtet i madh i NATO-s do të kërkojë largimin e misionit të NATO-s, KFOR, nga Kosova”.

Ndërsa pas takimit me Stoltenbergon, Vuçiq tha se është “i kënaqur me këto sqarime”.

“Ndoshta ishte moskuptim i thashethemeve nga ana ime, por mund të them se jemi në rrugë të mirë për të ruajtur qetësinë në rajon”, tha Vuçiq.

Ai tha se me shefin e NATO-s kanë diskutuar për shumë çështje nga rajoni, posaçërisht çështjet e lidhura me Kosovën dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë. 

(r.m.)