Stoltenberg: Vështirë të besohet se Rusia s’pati rol në uljen e aeroplanit në Minsk

Bruksel, 29 maj 2021 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se beson që autoritetet bjelloruse e kanë organizuar devijimin e udhëtimit të aeroplanit të kompanisë irlandeze “Ryanair” në bashkëpunim me Rusinë.

“Ne i dimë marrëdhëniet shumë të ngushta në mes të Rusisë dhe Bjellorusisë, andaj është vështirë të besohet se regjimi në Minsk do të mund të bënte diçka pa një lloj koordinimi me Rusinë”, ka thënë Stoltenberg, sipas Radios Evropa e Lirë.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, varet tepër shumë nga mbështetja e Moskës, pas zgjedhjeve presidenciale, të cilat janë kontestuar nga opozita dhe nga organizata ndërkombëtare.

Aeroplani i kompanisë Ryanair ka ndërruar drejtim më 23 maj, pasi Lukashenko ka urdhëruar një aeroplan luftarak që ta shoqërojë aeroplanin me pasagjerë, pasi autoritetet bjelloruse kanë thënë se gjoja e kanë pranuar informacion se në aeroplan ka pasur bombë.

Asnjë bombë nuk është gjetur pas uljes së aeroplanit në Minsk, por  aty janë arrestuar kritiku i Lukashenkos, gazetari Raman Pratasevich, dhe e dashura e tij ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi  Evropian besojnë se incidenti është krijuar me qëllim që të justifikohet arrestimi i Pratasevichit.

Shumë qeveri dhe organizata për të drejta të njeriut kanë kërkuar lirimin e Pratasevichit, ndërsa liderët opozitë bjellorusë kanë thënë se janë të shqetësuar për jetën e tyre.

Vitin e kaluar në Bjellorusi u lëshua një urdhërarrest ndaj Pratasevichit për gjoja organizimin e protestave anti-qeveritare, përmes një kanali në “Telegram”. Pratasevich ngarkohet me akuza për të cilat mund të dënohet me 15 vjet burg.

Shumë qeveri kanë kërkuar që linjat e tyre ajrore, tash e tutje, të shmangin fluturimet nëpër hapësirën ajrore të Bjellorusisë, duke e konsideruar atë hapësirë të pasigurtë për  fluturime.

(r.m.)