STOP SHANTAZHIT DHE DESTABILIZIMIT TË KOSOVËS, BALLKANIT DHE EVROPËS NGA SERBIA

Ledhatimi i agresorit dhe presioni ndaj viktimës nuk bën punë dhe nuk do të arrijë kurrë një zgjidhje të qëndrueshme paqësore 

NGA MSc. AGIM ALIÇKAJ

        Rezistenca paqësore e udhëhequr nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova; lufta e lavdishme për liri e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të udhëhequr nga komandanti heroik Adem Jashari; puna e jashtëzakonshme e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Washington e udhëhequr nga legjendat e lobimit Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi; të ndihmuar nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, i kanë dhënë fund pushtimit brutal më shumë se një shekullor të Kosovës nga Serbia. Ishte një akt historik, i guximshëm dhe fisnik i botës demokratike për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm kundër popullit shqiptar.        

         Pas shumë vitesh negociatash të vështira dhe kompromisesh të dhimbshme me planin e Ahtisarit në vitin 2008, pavarësia e Kosovës u shpall dhe u njoh nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe vendet më të rëndësishme të botës. Që nga ai moment e deri më sot, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga SHBA-të, karakterizohet me pak arritje, por me dështime të shumta. Arsyeja kryesore është angazhimi i pamjaftueshëm i Amerikës në organizimin e dialogut i kombinuar me ndërmjetësuesit e padrejtë pro-serbë evropianë, të cilët nuk po i marrin parasysh faktet dhe nuancat e mëposhtme të konfliktit:

  • Serbia është një agresor që ka shkaktuar dhe ka humbur katër luftëra të tmerrshme për të cilat duhet mbajtur përgjegjësi. Serbia po kërcënon me një luftë tjetër në Evropë. Kosova është viktima dhe po përpiqet të ndërtojë demokracinë properëndimore dhe të sigurojë ekzistencën e saj.
  • Serbia ende po përpiqet të dominojë duke destabilizuar të gjithë fqinjët e saj, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, madje edhe Kroacinë. Kosova po promovon paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
  • Kosova është një demokraci proamerikane dhe evropiane. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë liderë properëndimorë të pakorruptuar të arsimuar dhe shumë të aftë. Serbia është një autokraci pro-ruse dhe kineze. Presidenti Aleksandar Vuciq është një despot, një ish-ministër dhe përkrahës i Millosheviqit. Qeveria e tij e korruptuar është e mbushur me racistë, shovinistë, fashistë dhe kriminelë të mundshëm lufte.
  • Minoriteti serb në Kosovë gëzon të gjitha të drejtat kombëtare dhe njerëzore, plus shumë privilegje shtesë. Shqiptarëve në Serbi u mungojnë të drejtat themelore kombëtare dhe njerëzore.
  • Kosova po përpiqet shumë të luftojë korrupsionin dhe të zbatojë rendin dhe ligjin. Së fundmi, World Jusice Project e ka renditur Kosovën në vendin e dytë në mesin e përmirësuesve të sundimit të ligjit në nivel global dhe të parën në Ballkan. Serbia është shumë poshtë.
  • Kosova ka hyrë në dialog me mirëbesim dhe mendjehapur. Zyrtarët despotikë serbë para çdo takimi përsërisin si papagaj se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës. Çfarë lloj dialogu është ky?
  • Populli shqiptar i praktikon tri fe kryesore: Islamin, Katolicizmin dhe Krishterimin Ortodoks. Toleranca e tyre fetare është e paprecedentë dhe ka qenë shembull i aftësisë për të bashkëjetuar në mënyrë paqësore. Populli serb ka vetëm një fe (ortodokse). Kisha serbe në veçanti prinë në shfaqjen e mos tolerancës për të tjerët. Ajo e ka luajtur një rol të madh në planifikimin dhe përgatitjen e popullit, ushtrisë dhe paraushtarakëve serb, për ushtrimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve. Në shumë raste, priftërinjtë serbë kanë bekuar ushtarët për të masakruar fëmijë, gra dhe pleq shqiptarë.
  • Shqiptarët, duke përfshirë edhe babain tim Arif Aliçkaj, treguan tolerancën e vërtetë fetare dhe racore gjatë Holokaustit, me shpëtimin e popullit hebre nga nazistët. Shumë serbë e kanë treguar shpirtin e tyre të keq duke dërguar hebrenj të pafajshëm në kampet e përqendrimit.
  • Serbia organizon dhe financon struktura kriminale ilegale në veri të Kosovës, duke terrorizuar si popullin shqiptar ashtu edhe atë serb. Kosova po përpiqet shumë për të qetësuar situatën kudo.
  • Serbia po mbështet agresionin rus, Kosova është duke e mbështetur luftën e Ukrainës për liri dhe demokraci.
  • Sjellja dhe politika e Serbisë bazohen në gënjeshtra të qarta dhe propagandë mashtruese. Ata po e helmojnë edhe brezin e tyre të ri me urrejtje për shqiptarët dhe kombet e tjera përreth, përmes sistemeve të tyre shkollore dhe propagandës mediatike. Politikat e Kosovës bazohen në të vërtetën dhe drejtësinë, barazinë dhe përfshirjen për të gjithë.  

         Duke i marrë parasysh të gjitha këto fakte, është përtej çdo imagjinate pse vendet perëndimore ende po e ledhatojnë Serbinë! Dëshpërimi i tyre për ta tërhequr Serbinë nga bota ruse është bërë i turpshëm. Si nuk u lodhën më me Serbinë. Mjaft është mjaft.  Është koha për të ndryshuar këto politika të dështuara dhe për të përdorur ato që bëjnë punë.      

         Është e padrejtë të fajësohet qeveria Kurti për zbatimin e një marrëveshjeje tashmë të nënshkruar për targa. Vendimi për realizimin e saj në faza dhe shtyrja e afatit deri më 21 prill 2023 tregon fleksibilitet dhe mençuri, duke adresuar shqetësimet e miqve amerikanë dhe evropianë, si dhe duke i përballuar obstruksionistët serb. Zbatimi i ligjit dhe rendit është gjëja më e duhur për t’u bërë. Shantazhi serb, kërcënimet me luftë dhe nxitja e trazirave, janë krejtësisht dhe thelbësisht të gabuara dhe të papranueshme.       

         Është koha për të trajtuar problemin aty ku është planifikuar dhe krijuar me shumë kujdes, në Serbi dhe Rusi. Fajësimi dhe mposhtja e agresorit është e vetmja zgjidhje për çdo konflikt. Të fajësosh njëlloj dhe të bësh presion ndaj viktimës është imorale dhe nuk do të funksionojë.

         Serbia dhe aleatët e saj negativë e kanë sjellë situatën në pikën ku ajo mund të zgjidhet vetëm përmes një konfrontimi të fortë. Ky konfrontim do të jetë kryesisht diplomatik dhe politik, por mund të jetë e nevojshme edhe shfaqja dhe përdorimi i forcës. Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet të ndihmohen nga KFOR-i, UNMIK-u dhe EULEX-i për ta ruajtur paqen në veri. Kjo është arsyeja pse ato janë krijuar, për të promovuar dhe ruajtur sigurinë, stabilitetin dhe të drejtat e njeriut në Kosovë e në rajon.      

         Është koha që të lihet i qetë sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Jo asociacione (zajednica) të pastërta etnike, jo ndryshime dhe “përshtatje” kufiri dhe asnjë ekstraterritorialitet për monumente fetare të kujtdo ato qofshin. Të gjitha këto janë kundër politikave dhe vlerave të shpallura evropiane dhe amerikane. Këto nuk duhet dhe nuk mund të jenë pjesë e asnjë dialogu. Pikë.

         Është detyrë shumë e vështirë e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani që të përballen si duhet me kërkesat dhe agresionin e fundit serb. Ata në asnjë rrethanë nuk duhet t’i nënshtrohen presioneve nga jashtë dhe brenda Kosovës që synojnë ta zgjidhin konfliktin “shumë lehtë” në kurriz të popullit të Kosovës. Ndryshe nga paraardhësit e tyre që zgjedhën rrugën e turpit dhe nënshtrimit ndaj Serbisë, ata kanë zgjedhur rrugën e lavdisë kombëtare dhe të rezistencës ndaj padrejtësive nga të gjitha anët.       

         Edhe pse disa diplomatë amerikanë dhe zyrtarë të qeverisë po bëjnë presion ndaj tyre, në analizë të fundit, Amerika gjithmonë anon drejt së vërtetës dhe drejtësisë. Shumë vende të rëndësishme demokratike evropiane gjithashtu mund të bëjnë gjënë e duhur dhe të mbështesin të drejtën e viktimave për të ekzistuar.

         Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti nuk duhet të llogarisin në asnjë mbështetje të opozitës së pavlerë të Kosovës, të cilët ose janë krejtësisht të hutuar ose të prirur për të minuar qeverinë, vetëm për pushtet dhe interesa personale. Nuk mund të llogarisin as në mbështetjen e kryeministrit proserb të Shqipërisë, Edi Rama.

        Nëse presioni ndërkombëtar i kalon kufijtë e mundësive të tyre për ti përballuar, çështjet që cenojnë sovranitetin dhe integritetin e vendit duhet të qiten për votë në parlament dhe në referendum të të gjithë qytetarëve.                

         Ajo që është më e rëndësishmja, ata e kanë mbështetjen e shumicës së popullit shqiptar të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, si dhe të Mërgatës shumë të madhe dhe të fuqishme në mbarë botën, sidomos në SHBA. Humbja e kësaj mbështetjeje do të ndikonte drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre politike dhe vendin e tyre në histori. Votuesit e Republikës së Kosovës janë pjekur dukshëm dhe nuk do të pranojnë asnjë padrejtësi dhe frikësim nga askush. “Vox populi vox dei”.        

         Në fund të fundit, agresioni serb duhet të ndalet. Nuk ka rrugë tjetër. Sapo pushtetarët serbë të shohin vendosmërinë absolute të Kosovës dhe të Komunitetit ndërkombëtar për t’iu kundërvënë kërkesave, kërcënimeve, shantazheve të tyre të pa arsyeshme, të panevojshme dhe shkatërruese, ata do të mendojnë seriozisht t’i ndalojnë ato dhe të përqafojnë dialogun e vërtetë, për zgjidhjen paqësore të të gjitha problemeve që i kan krijuar vetë.        

        Mirëpo, nëse fashistët serbë në pushtet në Serbi ende guxojnë të fillojnë një luftë tjetër në Evropë, për të arritur qëllimet e tyre për dominimin e Ballkanit dhe për të ndihmuar agresionin rus në Ukrainë, do të bëjnë një gabim katastrofal. Ata do të digjen. Pozicioni i Kosovës nuk është ai i vitit 1999. Populli shqiptar në Kosovë dhe kudo që jeton, tani është shumë më i fortë dhe i gatshëm t’i përgjigjet agresionit serb. Ky popull i shumëvuajtur  nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të ngritet në këmbë i tëri në mbrojtje të lirisë, shtëpive, fëmijëve dhe Trojeve të veta Pellazgo-Ilire.